Çitaku e bindur se Raporti i Progresit do të jetë i mirë

Ministrja e Integrimit Europian, Vlora Çitaku, ka pritur sot në një takim përfaqësuesit e Komisionit Parlamentar për Integrim Europian.
Me këtë rast, Çitaku është shprehur optimiste se rezultatet nga koordinimi me të gjithë faktorët kyç në ri-integrimin e personave të riatdhesuar do të jenë evidente. Ajo shprehu bindjen se Raporti i Progresit për këtë vit do të jetë shumë më i mirë se sa vitin e kaluar.
Ministrja Çitaku këto komente i paraqiti në takimin që sot pati me anëtarët e Komisionit Parlamentar për Integrime Europiane në Parlamentin e Kosovës. Me këtë rast ministrja Çitaku i informoi parlamentarët rreth takimeve që ka pasur me kryetarët e komunave dhe gjendjen në të cilën gjenden komunat me procesin e ri-integrimit të personave të riatdhesuar, dhe me gjithë punën që Ministria është duke bërë për përgatitjen e të dhënave dhe informatave për raportin e Progresit, njofton kjo ministri, nepermes nje komunikate per shtyp.
Ministrja Çitaku theksoi se Qeveria e Kosovës intensivisht është duke punuar në plotësimin e kushteve dhe kritereve të kërkuara dhe ajo që varet nga Qeveria do të realizohet në përpikëri.
Ajo theksoi se Kosova këto procese është duke i kaluar me një hap më të shpejt duke përfituar nga përvojat e vendeve të rajonit, dhe dinamika e lëvizjes nga ana e institucioneve të Kosovës është shumë më e shpejtë.
Sipas Çitakut, në Bashkimin Europian ka pajtim për çështjen e marrëdhënieve tregtare dhe liberalizimin e vizave me Kosovën.