Çitaku takoi disa nga ambasadorët e akredituar në Kosovë
Ministrja e Integrimit Evropian, Vlora Çitaku ka pritur të hënën në takime të ndara ambasadorë të vendeve të ndryshme të Bashkimit Evropian të akredituar në Kosovë, me të cilët diskutoi për rrugën e Kosovës drejt integrimeve evropiane dhe strategjinë për liberalizimin e vizave.
Ndër takimet e para ministrja Çitaku vendosi të ketë me ambasadorin Francez, Jean François Fitou, si një mik dhe ambasador i një shteti që ka përkrahur dhe vazhdon të përkrah vendin tonë në të gjitha sferat, dhe luan rol kyç në procesin e Integrimit të vendit tonë në Bashkimin Evropian.
Me këtë rast, Çitaku tha se zhvillimi ekonomik, liberalizimi i vizave dhe bashkëpunimi rajonal dhe ndërkombëtarë do të jenë hapat e radhës në mënyrë që integrimi të jetë sa më i shpejt dhe i suksesshëm.
“Integrimi evropian nuk është opsion, por është faktor i rëndësishëm ne ruajtjen e kohezionit të brendshëm dhe faktor i rëndësishëm për kontekstin rajonal. Është emërues i vetëm i përbashkët me të gjitha vendet e rajonit. Si i tillë luan rol në bashkëpunimin rajonal dhe ruajtjen e paqes dhe stabilitetit”, tha ajo.
Takimi i radhës i ministres Çitaku ishte me ambasadorin belg, Van Gucht, ambasadorin slloven, Hlep dhe pastaj me ambasadorin e Republikës Federale të Gjermanisë, Steinbach.
Çitaku thekoi faktin se Gjermania është një nder vendet me mbështetjen më të madhe të dhënë për Qeverinë dhe popullin e Kosovës në të gjitha frontet, si dhe donatori më i madh bilateral nga vendet e Bashkimit Evropian.
“Gjermania ka mbështetur Kosovën në procesin e shtetndërtimit dhe vazhdon të mbështesë Kosovën në procesin e Integrimit Evropian dhe anëtarësimin në të”, tha ministrja Çitaku.
Po ashtu, Çitaku theksoi se nga takimi i sotëm janë dakorduar që Gjermania të ofroj mbështetje profesionale dhe teknike në ngritjen e kapaciteteve te Ministrisë për Integrim Evropian (MIE), në mënyrë që proceset të ecin më rrjedhshëm.
“Meqë MIE është përgjegjëse për koordinimin e donacioneve, ne do të koordinohemi ne mënyrë që akomodimi i donacioneve të jetë sipas agjendës për avancimin e proceseve drejt integrimit”, tha ajo.
Nga takimet e sotme mesazhi i ambasadoreve ishte se përzgjedhja e ministres Çitaku është përzgjedhje e duhur dhe vënia në prioritet e agjendës Evropiane është gjëja e duhur në këtë kohe. Gjithashtu, nga ambasadorët u tha se ka shumë punë për te bërë dhe se duhet një mobilizim gjithëpërfshirës ne mënyrë që proceset te shkojnë sa ma rrjedhshim.