Çizmet më të vogla në botë, në më pak se 1 milimetër
Nëqoftëse nuk do ta kishit menduar kurrë se në dorë mund të mbanit çizme të gjata në më pak se një milimetër, tashmë ëndrra bëhet realitet.
Këtë dizenjim e ka sjellë artisti Anatoli Konjenko, në qytetin siberian Omsk. Tashmë këpucët e kukullave prej lecke nuk mund të marrin cilësimin si më të voglat, pasi çizmet e reja të punuara me lesh dele, mund të shikohen vetëm me lupë.
Mesa duket, risitë që sjellë artisti janë të shumta, pasi ai dhjetë vjetë më parë, u regjistrua në Librin e Rekordeve Ginness, si krijuesi i librit më të vogël në botë. Kjo miniaturë kishte të njëjtat përmasa si të çizmeve, pra në më pak se një milimetër.
Veprat e artistit tashmë të mirënjohura, kanë zanafillë prej vitit 1997, pas pjesëmarrjes në Kongresin e XV të Miniaturës, i cili u zhvillua në SHBA.
Ai paraqiti punën e tij të parë, një supermikrolibër me gjerësi e lartësi nëntë me dhjetë milimetra. Vëllimi me tregimin e Anton Çehovit Kameleoni, u shtyp në 30 faqe, me tre ilustrime me ngjyra dhe kopertinë prej ari, argjendi dhe lëkure dhe u regjistrua në Librin e Rekordeve Ginness.
Vitin e kaluar, Akademia e Rekordeve Botërore (World Records Academy), pranoi më të voglin në botë, akuariumin në miniaturë të krijuar prej tij.