"Gërdeci, viti 2018..."
Ndoshta ata që drejtojnë këtë vend, e njohin mirë ndikimin e pashmangshëm që ka ecja e kohës në drejtim të harresës dhe të duket se në rastin konkret, ata janë të etur që kjo veçori e memories së njeriut të jetë më evidente dhe mundësisht më e shpejtë dhe më vepruese. Po duam apo nuk duam ne t'i harrojmë gjërat, duam apo nuk duam ne që ato të ikin shpejt, apo ngadalë nga kujtesa jonë, ka ca gjëra që le të themi pas dhjetë vjetësh, nuk do të harrohen kaq lehtë. Natyrisht, ndodhitë e tjera do të ecin sipas ritmit të tyre siç jemi mësuar ta shohim ecjen e tyre, këto thuajse njëzetë vite.
Mund të merrej për bazë edhe një ngjarje tjetër, për të parë si do të ecnin gjërat, po tragjedia e Gërdecit ishte më shumë se një ngjarje. Ajo ishte një kujë, ishte një gjëmë kolektive dhe si e tillë do të na duhet që edhe për të ardhmen shumë gjëra t'i shikojmë në kuadrin e saj, t'i matim si të thuash me kutin e saj. Dhjet vjet më pas, në 2018, në udhët e atij fshati me emrin Gërdec do të zbrese ndoshta një regjisor dhe ndërsa do të kërkojë që banorët e tij t'i tregojnë diçka më shumë se ato që ka lexuar, në arkivat e dhjetë viteve më parë, do të shohe se në çdo çast do ta ndjekin ca sy të akullt, ca sy që përtojnë të flasin, si të duan t'i thonë se ajo që ka ndodhur, nuk ka ndodhur rreth tyre, por thellë brenda tyre dhe se ajo nuk mund të bëhet film...
Dhjetë vite më pas, ajo nusja që iku vrap me këmbë të zbathura, ndërsa dhëndërri i ri e ndiqte nga pas i lemerisur, do të nxirret nga arkivat e televizioneve të asaj kohe. Ajo atëherë do ta ketë fëmijën e saj të parë, ndoshta në klasën e parë, duke shfletuar abetaren. Ndërsa nëna e tij do të jetë duke i mësuar abetaren, do t'i thotë, xhan i mamit, germën "b", do të kalojmë se nuk dua ta zë në gojë, pasi ajo germë më tremb. Kjo bisedë do të jetë krejt pa vend dhe paradoksale për t'u bërë me një fëmijë, po ajo nuk do ta evitojë dot. Fëmija i saj nuk do ta kuptojë dhe do të insistojë që të mësojë më tej, pasi mësuesja i ka thënë se duhet t'i dijë të gjitha germat. Pas kësaj, nëna e gjendur ngushtë do t'i thotë, mirë atëherë, mëso çdo lloj germe e fjale të shqipes, po vetëm fjalën bombë nuk dua ta mësosh. Fëmija do të vrapojë drejt shkollës dhe ndërsa do t'i thotë mësueses së saj se mami nuk do që ai të mësojë fjalën bombë, do të shohë lot në sytë e mësueses, po ai kurrë nuk do marrë guximin të pyesë më tej dhe kurrë nuk do ta kuptojë pse rrodhën ata lot.
Nga të gjitha ato që u thanë më lart, duket se vetëm një pamje nuk do të ndryshojë. Mbi barin e një varri fare të vogël, aq sa për mbajtur brenda vetes një kukull, do të ketë mbirë bari dhe atje do të shkojë herë pas herë dikush, veshur me të zeza dhe do të qajë, do qajë aq sa të mos ketë më fuqi për të nxjerrë zë. Do të qajë djalin e saj që në atë kohë ishte vetëm tre veç dhe aty në varr nuk ndodhet gjithë trupi i tij i vogël, po vetëm disa pjesë e trupit të tij, sepse ai u tret nën shpërthimin e bombave. Ky fëmijë, para dhjetë vitesh ishte fare i vogël. Edhe pas dhjetë viteve ai do të jetë po fëmijë. Kështu do të jetë edhe pas njëzetë vitesh dhe duket se ai do të jetë për një kohë të gjatë kështu si përfytyrim i foshnjërisë sonë si popull, që në një moment të caktuar gjakoset dhe vritet ende pa u rritur dhe ndoshta pa nxjerrë mësime.
Ky varr i thjeshtë, ku fijet e rralla të barit do të përkunden nga flladi i lehtë i erës që do të vajtojë mbi të, do të jetë ajo që nuk do të ndryshojë, do të jetë ajo që nuk ka ç't'i bëjë harresa e kohës, i ngulitur njëherë e përgjithmonë në memorien tonë.