E Shtunë, 31 Tetor 2026

"Ftesa për NATO, pas Bukureshtit, ka ende shumë punë"

 

Siç edhe pritej ftesa për anëtarësim për tre vendet ballkanike, Shqipërinë, Kroacinë dhe Maqedoninë u copëzua nga tekat e Greqisë. Qeveria greke, e cila është një qeveri e pakicës në Parlament, këmbënguli që Maqedonia të ndryshojë emrin. Shtypi amerikan theksoi dje se kjo vetëm sa e kërcënon edhe më shumë stabilitetin e rajonit, i cili së fundi u përball me pavarësinë e Kosovës. Grekët nuk dinë ndryshe, ndaj diplomatët duhet të jenë krijues në gjetjen e një zgjidhjeje. Në tryezën e debatit është dhe ofrimi për Ukrainën dhe Gjeorgjinë "Plani i Veprimit për Anëtarësi". Ky plan që hap rrugën drejt anëtarësimit, në fakt, nuk vendos afate dhe nuk garanton fundin e procesit. Shqipëria, Maqedonia dhe Kroacia kanë hyrë në këtë plan veprimi afro një dekadë më parë. Presidenti Bush, pas vizitës në Ukrainë, përsëriti mbështetjen për Kievin dhe Tbilisin dhe tha se "Rusia nuk do ketë veto në NATO". Por, ka qenë kancelaria gjermane Merkel, që pas takimit të fundit në Moskë me Putinin, ka ashpërsuar kundërshtimin për hapjen e dyerve të NATO-s për Gjeorgjinë dhe Ukrainën. Rreth 10 vende të tjera anëtare u rreshtuan pas Merkelit, duke thënë se Ukraina është shumë e ndarë lidhur me anëtarësimin në NATO, kurse demokracia në Gjeorgji është shumë e paqëndrueshme. Por arsyeja e vërtetë është se, përse të krijojmë probleme me Rusinë. Afganistani do jetë një tjetër temë e nxehtë debati, kur Shtetet e Bashkuara kërkojnë më shumë kontribute në trupa nga vendet e Aleancës.NATO-ja vazhdon të flasë për sfidat në periudhën e pas luftës së ftohtë dhe ato janë Evropa Lindore, Ballkani, Afganistani, por pas takimit të Bukureshtit ende ka shumë punë për t'u bërë.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›