E Shtunë, 31 Tetor 2026

“Aleanca për Prishtinën” zgjeron strukturën

Kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj dhe kryetari i Aleancës për Prishtinën, Besnik Tahiri, sot priten në selinë e AAK-së udhëheqjen e re të nëndegës “Dardania e Vjetër” dhe një grup anëtarësh të rinj të AAK-së nga kjo lagje.

Kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj duke i falënderuar të pranishmit për besim tha se “vendi ynë është në një udhëkryq të madh prej të cilit mundemi të dalim fitues vetëm në qoftë se qytetarët mobilizohen dhe mbështesin opsione dhe ofertë konkrete për qeverisje, si në nivelin lokal po ashtu edhe në atë qendror”.

Besnik Tahiri, kryetari i Aleancës për Prishtinën pohoi se zgjerimi i strukturës dhe forcimi i AAK-së në Prishtinë është në funksion të plotë të konsolidimit dhe fitores së AAK-së në Prishtinë. Tutje ai theksoi se “me strukturën e re dhe ekipet e ndërtuara, Aleanca për Prishtinën ka identifikuar kapacitete të reja që do të jenë në funksion të fitores në Prishtinë. Po ashtu, me fuqizimin e strukturave forcohet lidhja në mes të strukturave të Aleancës për Prishtinë dhe qytetarëve duke krijuar bashkëveprim të qëndrueshëm si në planifikim ashtu edhe në veprim”.

Kryetari i porsazgjedhur e nëndegës “Dardania e Vjetër”, Rasim Krasniqi theksoi se “është koha e fundit që në qytetin tonë të ndodh ndryshimi dhe në këtë mënyrë të rritet kualiteti dhe mirëqenie për banorët e lagjes dhe tërë Prishtinës”.

Pas këtij takimi kryetari i Aleancës për Prishtinën, Besnik Tahiri, dhe anëtarët e rinj vizituan pjesë të lagjes Dardania në Prishtinë. /Indeksonline/
 

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›