E Diel, 1 Nëntor 2026

“Arrest me burg” për vrasësin e trefishtë të Vidohovës

KORçë- Gjykata e Rrethit Gjyqësor të Korçës la sot në fuqi masën e sigurisë “Arrest me burg” për Besim Karaj, i cili disa ditë më parë vrau tre vëllezër në fshatin Vidohovë të Korcës. E njëjta masë ishte vendosur në mungesë nga trupi gjykues në datën 1 shkurt, para se autori i krimit të dorëzohej në polici. Në kushte të rrepta sigurie, Karaji, u paraqit para trupit gjykues të kryesuar nga gjyqtari Besnik Shehu ku pranoi krimin e kryer. Ai rrëfeu se pas kryerjes së krimit, u largua më këmbë me armën në dorë nga Vidohova në Thumanë të Krujës në shtëpinë e të vëllait. Karaj tha se i vëllai e kishte këshilluar të dorëzohej në Komisariatin e Policisë të Fushë-Krujës, prej nga Policia e trasferoi në burgun e sigurisë së lartë në Korçë, ku edhe do të gjykohet. Besim Karaj deklaroi se nuk kërkonte avokat mbrojtës për shkak se nuk kishte mundësi ta paguante dhe në këto kushte është caktuar një avokat kryesisht nga gjykata. Krimi për të cilën Karaj akuzohet ndodhi të premten e kaluar, në mesditë, ku sipas policisë, ai vrau me armë vëllezërit Xhilian, Taulant dhe Etlevan Mulliri, përkatësisht 27, 23 dhe 18 vjeç. Nga hetimet e para dyshohet se krimi ka ndodhur për motive xhelozie. Autori dyshonte se një prej vëllezërve Mulliri kishte marrëdhënie me gruan e tij. (d.b/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›