E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kriza, Topi: Së shpejti tryeza me Ramën dhe Berishën

TIRANE-Presidenti Bamir Topi shprehet i gatshëm të ulë për dialog dy krerët e forcave kryesore politike në vend. Në një njoftim për shtyp nga Drejtoria e Informimit Publik të Institucionit të Presidentit të Republikës bëhet e ditur se: “Presidenti i Republikës Bamir Topi, duke ndjekur me vëmendje zhvillimet më të fundit politike në vend, mirëpriti gatishmërinë dhe vullnetin e shprehur për dialog të Kryeministrit të Shqipërisë, Sali Berisha dhe udhëheqësit të opozitës, Edi Rama”. Sipas të njëjtit burim, i vendosur në këtë kontekst të ri politik, “Presidenti i Republikës do të vijojë në ditët në vazhdim kontaktet paraprake të punës me Kryeministrin e Shqipërisë dhe udhëheqësin e opozitës si dhe me bashkësinë ndërkombëtare për të përgatitur termat e bisedimeve që do të zhvillohen gjatë tryezës së përbashkët”. Përfshirja e tij për zgjidhjen e situatës politike në vend është edhe një rekomandim i rezolutës së Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Europës, miratuar javën e kaluar, e cila i bën apel opozitës të kthehet në Kuvend, ndërsa i kërkoi qeverisë ngritjen e një komisioni parlamentar hetimor për zgjedhjet e 28 qershorit.Ky hap i Presidentit vjen pas thirrjeve qe erdhen nga të dy krahet politike për zgjidhjen e krizës politikë në vend. Ka qënë fillimisht kryeministri Sali Berisha që kërkoi të ulet në një tryezë me kreun e opozitës, Edi Rama. Ai ftoi Ramën që të diskutojnë hetimin e zgjedhjeve në një tryezë e shtruar qoftë dhe nga Presidenti Topi, por pa u kërkuar hapja e kutive. Më pas thirrja për tryezë erdhi nga kampi i majtë që gjithashtu u kërkua një tryezë me Sali Berishën, por e organizuar nga kreu i shtetit. Por Edi Rama shprehet se nuk do të heqë kurrë dorë nga kërkesa për hapjen e kutive. Me thirrjen e re të Presidentit, tani do të jenë forcat politike kryesore në vend të dëshmojnë vullnetin e tyre për bisedime për zgjidhjen e ngërcit politik që vazhdon prej muajsh, pas bojkotit që e majta po i bën Kuvendit pas mosnjohjes së zgjedhjeve të 28 Qershorit nga ana e kësaj partie. (d.b/BalkanWeb)

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›