E Diel, 1 Nëntor 2026

“Belle Air” vazhdon me mashtrime

 Qindra udhëtarë edhe të hënën kanë pritur me orë të tëra për të fluturuar drejt Zvicrës, Gjermanisë, por edhe destinacioneve tjera, pasi që aviokompania “Belle Air” i ka mashtruar ata, duke ua marrë paratë dhe duke mos iu siguruar vende në avion, pavarësisht se shumica e tyre biletat për të udhëtuar i kishin rezervuar për më shumë se gjashtë muaj. Qytetarë të shumtë edhe të hënën pritnin para sporteleve të kompanisë “Belle Air” për të marrë informacione rreth shtyrjeve dhe anulimit të fluturimit, shkruan Zëri.

Mirëpo, këta të fundit në shumicën e rasteve kanë injoruar bashkatdhetarët, duke mos u dhënë as më të voglin sqarim.

Tefik Berisha, të hënën, nga orët e hershme të mëngjesit ka pritur në terminal për të fluturuar drejt Cyrihut. Ai thotë se në bazë të biletës fluturimi është dashur të realizohet në orën 11:00, por një gjë e tillë nuk ka ndodhur. Përveç vonesës, Berisha është i shqetësuar edhe me ndërrimin e destinacionit për të fluturuar drejt Zvicrës.

“Ata tash më thanë që të martën (sot) do të udhëtosh për në Bazel. Këta nuk të japin më shumë informata, as arsyen se pse është shtyrë fluturimi. Jam këtu me familje. Gruan e kam të sëmurë, dhe kjo nuk po mundet të presë aq gjatë. Kjo është e tmerrshme”, tha i nervozuar ai. Më tej, Berisha bën të ditur se kjo është hera fundit që udhëton me aviokompaninë “Belle Air”. Sipas tij, situata të tilla ku qytetarëve u merren paratë dhe nuk u sigurohet vend në avion ndodhin vetëm në Kosovë./Zëri/ 

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›