“Dorëheqja nuk mjafton … për Ramadan Mujën”

Qendra e Prizrenit e Lëvizjes vetëvendosje! ka reaguar për aktakuzë kundër kryetarit të komunës së Prizrenit, Ramadan Muja, dhe pesë zyrtarëve të tjerë komunal për korrupsion, keqpërdorim të detyrës dhe autoritetit, për përfitim personal.
“Ky është kryetari i katërt nga radhët e Partisë Demokratike të Kosovës ndaj të cilit organet e rendit kanë ngritur aktakuzë për krime të rënda. Me këtë ritëm, mund të konkludojmë se as të tjerët nuk mbeten prapa, me gjasë është vetëm çështje kohe se kur do të ngrihen aktakuza edhe ndaj tyre”, thuhet në reagim.
në këtë komunikatë thuhet se korrupsioni nuk është dukuri vetëm e nivelit komunal por vetëm zgjatje e atij qendror.
“Partia të cilës i takon z. Muja, pra PDK, nuk mund të shfajësohet nga kjo aktakuzë e radhës duke u thirrur në përgjegjësi personale të njerëzve. Në fakt, Kryeministri këtë nuk e ka bërë as më herët. Përkundrazi në rastin e të dënuarit që më pas u arratis, Xhabir Zharkut, Kryeministri Thaçi e lavdëroi për punën e bërë gjatë fushtatës për zgjedhjet e jashtëzakonshme në Kaçanik”, vazhdon më tej reagimi.
Vetëvendosje! e bën fajtore PDk-në për këtë.
“Për këtë aktakuzë të radhës, PDK bart përgjegjësinë politike e morale për vjedhjen e qytetarëve të Prizrenit. Posaçërisht duke ditur përkrahjen që Kryeministri ka ofruar për Mujën, përkundër dëshmive të shumta nga qytetarët dhe Qendra e VETËVENDOSJE!-s në Prizren”, thuhet në këtë letër.
Sipas tyre, rasti nuk mund të përfundojë me dorëheqjen e Mujës.
“Edhe njëherë ju bëjmë ftesë të gjitha organizatave politike, shoqërore e ekonomike për bashkërendim të aktiviteteve për të shpejtuar fundin e kësaj qeverisje të dëmshme duke theksuar se tanimë dorëheqja nuk mjafton”, përfundon reagimi./Indeksonline/