MSA, lajm i mirë, por sfidues

Kryetari i Komisionit Parlamentar për Integrime Evropiane, Lutfi Haziri, ka thënë se hapja e negociatave ndërmjet Kosovës dhe BE-së për Marrëveshjen e Stabilizim Asocimit (MSA) është hapi më i madh që është bërë në dekadën evropiane të Kosovës.
Kryetari i Komisionit Parlamentar për Integrime Evropiane, i cili është edhe bashkëkryesues i Task Forcës për procesin e integrimit evropian, Lutfi Haziri, të martën e ka quajtur lajm të mirë për shtetin e Kosovës nisjen e negociatave për Marrëveshjen e Stabilizim Asocimit.
Në këtë intervistë për “Epokën e re”, ai ka thënë se ky është hapi më i madh që është bërë në dekadën evropiane të Kosovës. “Ky është hapi më i madh që bëhet në këtë dekadë evropiane të Kosovës, sepse në qershor të këtij viti bëhen 10 vjet prej kur Kosova është përfshirë në perspektivën evropiane. Sidoqoftë, nisja e negociatave për MSA-në është lajm i mirë”, ka deklaruar Haziri.
Por, Haziri e ka quajtur proces të vështirë nisjen e negociatave për MSA-në. Sipas tij, qeveria aktuale s’ka kapacitete të mjaftueshme për t’u përballur me sfidat që e presin në këtë proces. “Negociatat nuk do të jenë të lehta, por përparësia është që tash nuk jemi një palë e vetme, por ulemi në tavolinë të barabartë dhe ndërtojmë marrëdhënie kontraktuale, ku Kosova i mbron qëndrimet e veta, negocion për interesa të veta, shtyn procese, por duhet të ndërmarrë veprime konkrete. Kjo qeveri është pa kapacitete të mjaftueshme për t’u përballur me këto sfida të mëdha”, është shprehur Haziri. /Indeksonline/