E Shtunë, 31 Tetor 2026

“Forumi 2015” debatoi për sistemin zgjedhor

“Në Kosovë nuk ekziston vullnet politik për të bërë zgjedhje demokratike, nga të cilat rezultati përfundimtar do të ishte vullneti i qytetarëve të Kosovës”, tha kreu i Kuvendit, dr. Jakup Krasniqi, gjatë një debati të organizuar nga Forumi 2015 lidhur me reformën zgjedhore Kryetari i Kuvendit të Republikës së Kosovës, dr. Jakup Krasniqi, mori pjesë në debatin lidhur me reformën e sistemit zgjedhor në Kosovë, të organizuar nga Forumi 2015, mbështetur nga Fondacioni për Shoqëri të Hapur (KFOS), që u mbajt sot në Prishtinë.

Temë diskutimi e këtij takimi ishte problemi zgjedhor në Kosovë dhe qasja praktike për të kthyer besimin në procesin zgjedhor. Me këtë rast, si panelist i këtij debati foli edhe kreu i Kuvendit, dr. Jakup Krasniqi, i cili vlerësoi fillimisht se gjithë zhvillimi i demokracisë dhe gjithë zhvillimi i institucioneve demokratike bazën e ka në zgjedhjet e lira. Kryekuvendari Krasniqi tha se zgjedhjet e fundit në vend kanë treguar se reforma zgjedhore dhe procesi zgjedhor është i lënduar rëndë, prandaj, shtoi ai, ka dalë nevoja për të kërkuar reformë. “Vetë mënyra se si është arritur marrëveshja pas zgjedhjeve të fundit të lira dhe vetë fakti se çka kanë prodhuar ato marrëveshje dhe ato zgjedhje, janë dëshmia më e mirë se në Kosovë nuk ekziston një vullnet politik për të bërë zgjedhje demokratike, nga të cilat rezultati përfundimtar do të ishte vullneti i qytetarëve të Kosovës.

Prandaj, veç faktorit vendor në Kosovë ka qenë i përfshirë edhe faktori ndërkombëtar dhe ajo çfarë kemi parë, tek asnjëri faktor nuk ka ekzistuar dhe vazhdon të mos ekzistojë vullneti politik për të bërë reformë zgjedhore çfarë i duhet Kosovës, qytetarëve të saj dhe institucioneve të Kosovës, ndërkaq, shtoi se po të kishte një përfshirje të organeve përkatëse të Bashkimit Evropian për të ushtruar ndikimin e vet pozitiv fillimisht tek liderët e partive politike dhe tek partitë politike, reforma zgjedhore mund ta ketë finalen e vet, për faktin se ligji nuk ka qenë problemi, por problemi ka qenë tek mosgatishmëria për të respektuar vullnetin e qytetarëve që dalin nga zgjedhjet”, tha gjatë këtij debati kreu i Kuvendit.

Me këtë rast folën edhe deputetët e Kuvendit të Kosovës, Lutfi Haziri, Albin Kurti, Ardian Gjini, Arsim Bajrami, si dhe nënkryetari i Kuvendit, Petar Miletiq./Indeksonline/ 

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›