Plumb në gojë 40-vjeçarit, i ngacmonte vajzën 17 vjeçare
Atentat në qendër të Shkodrës, kapet i moshuari Pal Prroni
Shkodër/Një ngjarje e rëndë është shënuar sërish mesditën e djeshme në qytetin e Shkodrës, ku një i moshuar ka gjuajtur me plumb në gojë, një 40 vjeçar pasi ky i fundit i ngacmonte prej disa muajsh vajzën 17 vjeçare. Ti më pëlqen, dua të lidh jetën me ty, dhe ti ose do martohesh me mua ose do të bëj mos të dalësh më nga shtëpia, kjo mendohet të ketë qenë një nga kërcënimet që 40 vjeçari Gjergj Bunga i ka thënë 17 vjeçares, vajzës së vogël të familjes së Pal Prronit. Prej disa muajsh adoleshentja nuk guxonte të dilte në rrugë, pasi 40 vjeçari e ndalonte duke e kërcënuar dhe duke e ofenduar në sy të njerzve të tjerë. Sapo babai i saj e ka marrë vesh këtë histori dhe ka dëgjuar ankesat e vajzës së tij, ka marrë pistoletën që ka pasur në shtëpi dhe nuk ka nguruar por ka gjuajtur bashkëqytetarin e tij me plot katër plumba në trup, dhe një në gojë. Sipas të dhënave të policisë rajonale, 70 vjeçari e ka zgjidhur problemin me një vetëgjyqësi duke i zënë pritë në rrugë dhe plagosur me armë zjarri pistoletë personin që i ngacmonte vajzën. Gjergj Bunga ndodhet në gjendje të rëndë për jetën në spitalin rajonal, ndërsa sipas informacioneve ai nuk mundet më të flasë edhe sikur të shërohet për shkak të plagëve të marra.
Arrestimi
Sipas policisë së Shkodrës, i moshuari Pal Prroni u ndalua rreth mesditës së djeshme nga policia e Shkodrës me akuzën e vrasjes së mbetur në tentativë dhe armëmbajtjes pa leje, kurse një 40-vjeçar që udhëtonte me motoçikletë përfundoi në spital me plagë të rënda në trup dhe kokë. Ngjarja ka ndodhur rreth orës 11:00, në qendër të Shkodrës, pranë bustit të Isa Boletinit, kur kishte dhe shumë lëvizje. Sipas policisë vendore, i plagosuri është Gjergj Bunga, i cili është qëlluar me armë ne momentin që po udhëtonte me një motoçikletë. Kurse për krimin brenda pak minutash u ndalua si i dyshuar 60-vjeçari Pal Mark Prroni, i cili u përpoq të arratisej duke u fshehur por u kap nga Patrullat e Përgjithshme në ndjekje. Gjatë kontrollit i është bllokuar edhe arma e krimit pistoletë dhe disa gëzhoja. I plagosuri ka një plagë të rëndë në pjesën e gojës. Orët e pasdites i moshuari është marrë në pyetje nga grupi hetimor.
Ngjarja
Fillimisht u dyshua për motivet e një hakmarrje të mundshme për konflikte të vjetra mes fiseve. Gjithashtu Prroni ka thënë se e kishte këshilluar Brungën që të mos e ngacmonte më vajzën e tij. Mëngjesin e djeshëm, në lagjen e quajtur Perash, Prroni ka mbajtur nën vëzhgim 40-vjeçarin. Kur ai është afruar me motoçikletë pranë bustit në qendër dhe ka ulur shpejtësinë, 60-vjeçari i ka prerë rrugën me një pistoletë në dorë duke e qëlluar të paktën katër herë.
(ARTA AGOLLI)