13 familjarë në grevë urie: Do vetëflijohemi për shtëpitë
Vazhdon lufta mes banorëve dhe përmbaruesve, Arvizu ju vjen në ndihmë
14 familjet që u nxorën para tre ditësh jashtë banesave të tyre nga përmbarimi janë futur në grevë urie. Mes një situate të tensionuar edhe gjatë mbrëmjes së djeshme dhjetëra banorë të ndërtesës tre katëshe tek Petro Nini kanë tentuar të hyjnë në banesat e tyre por janë përleshur trup më trup me policinë duke u nxjerrë me forcë nga ndërtesa. Banorët të irrituar nuk kanë pranuar për asnjë moment që të braktisin banesat e tyre. Të gjendur të një situatë të pashpresë familjet kanë ndërmarrë aktin ekstrem të grevës së urisë, pranë pallatit 3-katësh në rrugën “Margarita Tutulani”. Pasditen e djeshme numri i grevistëve shkoi në 13 persona, të cilët janë ngujuar në pjesën që shërbente si verandë banese. Por nga ana tjetër godinës i kanë dalë dje pronare të reja, dy vajzat e Jakup Shalsit të sapo kthyera nga Italia, të cilat pretendojnë pronësinë mbi godinën krahas një tjetër pretendenti që u shfaq para banorëve pak ditë më parë në nisje të konfliktit.
Dëshmitë e grevistëve
Ardian Pojani, një prej familjarëve deklaroi se ata do të qëndrojnë në këtë grevë derisa të gjendet e drejta e tyre. Ai tha po ashtu se tashmë janë paraqitur dy gra, të cilat kanë dokumente të rregullta pronësie, duke e konsideruar një mashtrues pronarin e paraqitur pak ditë më parë. Banorët kanë deklaruar se kërkojnë ndërhyrjen e shtetit në këtë situatë, pasi shume prej tyre nuk kanë ku të strehohen, pasi nuk kanë vendbanime alternative, por as shanse për të marre kredi. Me kalimin e orëve banorët e irrituar dhe të lodhur kanë kërkuar mbërritjen e ambasadorit të SHBA Aleksandër Arvizu për ti parashtruar problemin e tyre. Duket sikur shpresat u kanë sosur ndaj këmbëngulin ndërhyrjen edhe të ambasadorit, pasi sipas tyre nuk kanë ku të fusin kokën Nuk kam ku të shkoj më, kam tre ditë që fle për jashtë me gjithë banorët e pallatit. Bëni dicka për ne, A ka zot:, tha një banore që fle për të tretën natë rresht në qiell të hapur. Kjo është pjesa jonë e fundit, ne kemi tre ditë që rrimë natë e ditë në rrugë, pasi plaçkat i kemi jashtë. Ne nuk kemi ku të shkojmë më, është shpresa jonë e fundit.
Apeli për ndihmë
Dhjetëra qytetarë nga personat e dëbuar prej përmbaruesve privatë, kanë apeluar ditën e djeshme për ndihmë duke i drejtuar një thirrje televizioneve, qeveritarëve, ambasadorëve sidomos atij amerikan, dhe institucioneve zyrtare që të marrin masa për gjendjen e krijuar. Ju lutem dhe ju bëj thirrje gjithë njerëzve që kanë dalë jashtë nga shtëpia si puna ime të na mbështesin. Unë nuk kam ku të shkoj, tha një nga banorët që u ngujua dje në grevën e urisë. Siç u flijua ai grevisti Lirak Bejko ashtu do flijohemi dhe ne dhe askush nuk do dalë nga greva, u shpreh ajo duke i bërë thirrje për ndihmë edhe kryeministrit Berisha.
Banorët: Greva shpresa e fundit,
do ti shkojmë deri në fund
Greva është shpresa jonë e fundit, do të vetëflijohemi janë disa nga deklaratat që kanë bërë ditën e djeshme disa prej familjarëve që të vetmen zgjidhje kanë gjetur grevën e urisë pranë pallatit 3-katësh në rrugën “Margarita Tutulani.
Përmbaruesit dhunojnë
grevistët, katër persona në spital
Situata është tensionuar edhe më tej në orët e vona të mbrëmjes së djeshme teksa banorët e ndërtesës kanë nisur të konfliktohen me forca të shumta të policisë private dhe me përmbaruesin. Banorët kanë tentuar rreth orëve të mbrëmjes të hyjnë me forcë në godinën nga ku i nxorën, por kanë hasur në rezistencën e policisë private. Në konfrontim e sipër, katër persona kanë shfaqur probleme me shëndetin dhe janë transportuar në spital, në gjendje të rëndë shëndetësore. Forcat dhe përmbaruesit kanë tentuar të nxjerrin me dhunë banorët nga ndërtesa e tyre, ndërkohë që pronari ka pohuar se e ka blerë godinën në 1947-ën, ndërsa banorët janë shprehur se godina është ndërtuar nga italianët dhe se pronari i ka falsifikuar dokumentet.
Përmbaruesit privatë: Të mos pengohet
zbatimi i vendimeve gjyqësore
Dhoma Kombëtare e përmbaruesve gjyqësorë privatë u bën thirrje qytetarëve, institucioneve shtetërore e private dhe forcave politike që të mos pengojnë zbatimin e vendimeve gjyqësore. Përmes një deklarate të shpërndarë për mediat, përmbaruesit privatë përmendin rastin e fundit, në godinën pranë shkollës Petro Nini Luarasi, ku banorët u konfrontuan fizikisht me përmbaruesit gjyqësorë. Dy ditë më parë u bëmë dëshmitarë të një ngjarjeje, ku banorët shkuan deri në konfrontim fizik me përmbaruesit gjyqësorë, të cilët kanë detyrën e shenjtë të zbatimeve të vendimeve gjyqësore dhe zbatimin e shtetit të së drejtës. Gjatë zbatimit të vendimit u pa një presion i jashtëzakonshëm, si ndaj përfaqësuesve të përmbarimit, ashtu edhe ndaj përfaqësuesve të Policisë së Shtetit, detyra e të cilëve është të sigurojnë rendin e qetësinë gjatë kryerjes së procedurave përmbarimore- thuhet në deklaratë. Dhoma Kombëtare e përmbaruesve gjyqësorë privat u kërkon forcave politike që të mos ndërhyjnë në zbatimin e vendimeve të gjyqësorit për arsye elektorale. Ky pushtet delegohet nga vetë Kushtetuta e Republikës së Shqipërisë e cila e ngarkon përmbaruesin gjyqësor për zbatimin e vendimeve gjyqësore të formës së prerë. Në situata të tilla, përfshirja e forcave politike të çfarëdo kahu do të çonte në pengimin e dhënies së drejtësisë dhe krijohen tensione që çojnë më pas në përplasje dhe situata tej normales, në një kohë që lufta e vërtetë është bërë më parë në Gjykate dhe ajo ka dhënë një vendim, që më pas duhet të zbatohet- thuhet në deklaratë.