E Shtunë, 31 Tetor 2026

“Fundosen” Inter e Milan, javë surprizash në Itali

Titulli kampion i Serisë A duket se do të jetë edhe këtë vit larg Milanos. Dy skuadrat e këtij qyteti kanë pësuar sërish disfata në ndeshjet e sotme, duke mbetur prapa kryesuesve të Juventusit dhe duke konfirmuar krizën e thellë. Interi vazhdon të mos fitojë prej 5 ndeshjesh zyrtare në stadiumin “San Siro”, duke pësuar disfatë pas disfate, ndërkohë që Milani, sot është mundur nga Udineze duke bërë që pankina e Alegrit tashmë të tronditet në kuptimin e plotë të fjalës. Transferta e djeshme ishte vendimtare për të ardhmen e teknikut toskan dhe tashmë pritet reagimi i Milanit, pasi skuadra kuqezi nuk duket aspak në terezi në këtë start të sezonit. “Pësuam një humbje të trishtueshme, që nuk e meritonim. Gjithsesi, unë jam i qetë, pasi skuadra edhe sot luajti një futboll të bukur”, deklaroi Alegri.
Interi
Interi priste që ndaj Sienës të ishte momenti i duhur për të prishur “mallkimin” e ndeshjeve në shtëpi, por në të vërtetë rezultoi e kundërta. Disfata e sotme në shifrat 0-2, ishte ndoshta më e rënda e deritanishme, duke qenë se përballë ishte një ekip që në historinë e tij nuk kishte fituar kurrë ndaj zikaltërve. E megjithatë futbolli tregoi edhe sot se është i paparashikueshëm. Interi ka vuajtur shumë në sulm, duke mos kthyer në gol rastet e krijuara, ndërkohë që Siena për çudi ka luajtur ballazi, duke mos iu trembur aspak emrit të madh që kishte përballë. Në pjesën e parë, për t’u shënuar disa lëvizje të mira të Kasanos dhe gjuajtjet e Shnajder, por portieri Pegolo ka qenë përherë i gatshëm. Në të dytën, Siena ka vazhduar lojën e saj të shpejtë dhe në minutën e 73-të, pas një aksioni të bukur me tre pasime, Vergasola mposhti portierin Handanoviç me një diagonale të bukur. Reagimi i Interit mungoi, kështu që Siena e Kozmit realizoi golin e dytë me anë të Valianit, që me portën e boshatisur pas krosit të Sestu, e dërgoi topin në rrjetë. “Shock” në “San Siro”, ku tifozët zikaltër presin ende fitoren e parë sezonale në shtëpi, por që nuk ka ardhur, madje as në ndeshjet e Kupave të Evropës.
Milani
Përpara ndeshjes së sotme në Friuli, trajneri Alegri kishte deklaruar se Milani i tij po rikthehej dhe se shumë shpejt do të ishte në majat e renditjes. Por, transferta ndaj Udinezes u shndërrua në një makth për ekipin kuqezi. 90-minutëshi ka dhuruar emocione të shumta, por në fund ishte Udineze që triumfoi 2-1, duke merituar gjithçka. Edhe këtë herë Milani ka treguar se ka probleme të mëdha, sidomos në sulm, ku mungon një pasues i Ibrahimoviç. 5 minuta para fundit të pjesës së parë, një gabim i rëndë në dalje i Abiatit, bën që Ranegie të shënojë me kokë për Udinezen. Në startin e të dytës, El Sharaui barazon shifrat me një goditje të fortë nga distanca. Milani kërkon golin e avantazhit, por është Udineze që rrezikon dhe në mesin e pjesës së dytë, Zapata ndërhyn në mënyrë të gabuar ndaj Benatia, duke shkaktuar penallti dhe duke dalë me të kuqe. Nga pika e bardhë, Di Natale nuk fali, duke i dhënë 3 pikët Udinezes. Në minutat e mbetura Milani tentoi të barazonte, ndonëse në inferioritet numerik, por dalja me të kuqe e Boateng 7 minuta para fundit, shoi çdo shpresë, duke qenë se kuqezinjtë mbetën me 9 vetë.

SERIA A
Parma-Fiore 1-1
Juventus-Kievo 2-0 
Sot
Sampdoria-Torino 1-1
Atalanta-Palermo 1-0
Bolonja-Peskara 1-1
Kaljari-Roma (shtyrë)
Katania-Napoli 0-0
Inter-Siena 0-2
Udineze-Milan 2-1
Lacio-Xhenoa
RENDITJA
Juventus 12
Napoli 10
Lacio 9
Sampdoria 9
Fiorentina 7
Inter 6
Katania 5
Atalanta 5
Roma 4
Udineze 4
Parma 4
Bolonja 4
Torino 4
Xhenoa 3
Kievo 3
Milan 3
Kaljari 2
Palermo 1
Peskara 1
Siena -1 

(e.m/A.Latifi/BalkanWeb)

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›