“Garë” në PD
Nëse Partia Demokratike do të humbasë zgjedhjet e 23 qershorit, atëherë me siguri që Sali Berisha do të japë dorëheqjen nga kreu i saj”. Kjo shprehje ishte në gojën e gjithsecilit prej nesh përpara zgjedhjeve, pra ishte e gjithëpranuar. Sigurisht që për ta bërë të gjithëpranuar ka ndihmuar edhe vetë Sali Berisha, kur thoshte se do të respektojë deri në fund verdiktin e sovranit edhe pse sipas tij, sovrani do të vendoste për vazhdimësinë bashkë me të. Pas rezultatit të 23 qershorit ndodhi edhe ajo që pritej nga kryeministri dhe kryetari i PD në detyrë. Ai dha dorëheqjen nga të gjitha funksionet e tij drejtuese në parti. Me përjashtim të lotëve të disa mbështetësve ditën kur u pranua humbja zyrtarisht, shumica që e panë dhe e dëgjuan live deklaratën e Berishës pyesnin veten se kush do të jetë tani kryetari i ri i Partisë Demokratike. Në fakt edhe kësaj pyetje vetë Berisha i ka dhënë përgjigje me kohë, sigurisht jo drejtpërdrejt. Lulëzim Basha, nëse votimi do të bëhej sipas statutit, pra nga forumet, do të shpallej kryetar i Partisë Demokratike, por ndoshta kambanat e atyre që thonë se kryetarin e ri e zgjodhi Berisha do të binin më fort. Me të drejtë. Megjithatë, votimi një anëtar një votë është më demokratik, kjo nuk ka diskutim. E gjithë anëtarësia me votën e saj do zgjedhë mes Lulzim Bashës dhe Sokol Olldashit. Unë mendoj, si shumë e shumë të tjerë se në fund do të fitojë Basha. Përse? Argumentet janë të shumta, por dua të ndalem vetëm në dy, që i gjykoj shumë të rëndësishme. Sigurisht që si Basha dhe Olldashi morën “bekimin” e Berishës përpara se të nisnin garën. Të dy, siç thanë vetë, kaluan nga zyra e Doktorit përpara se të bënin publik kandidimin e tyre. Asnjëri gjatë këtyre ditëve të para të fushatës nuk “guxon” të godasë kryetarin e partisë në detyrë, i cili mori përgjegjësinë personale për humbjen. Për Olldashin “armiku” është Ilir Meta, që mori paratë e pushtetit për të goditur pushtetin në zgjedhje; për Bashën ai është Edi Rama, kryetari Partisë Socialiste dhe qeverisë së re që krijohet në shtator. Por mirë Berishën që nuk e sulmojnë, por as njëri-tjetrin nuk po e kundërshtojnë! Basha nuk po thotë deri tani se ka një projekt më të mirë se Olldashi dhe as ky i fundit nuk po i thotë bazës se Basha ka një projekt jo fitues. Çfarë gare është kjo? Që gara të quhet e tillë, nuk mjafton që pjesë e saj të jenë dy ose më shumë pjesëmarrës. Duhet që këta pjesëmarrës të “përplasen” me njëri-tjetrin, të thonë se ku ndryshojnë programet e drejtimit të partisë që ka secili prej tyre dhe jo të merren me Ramën dhe Metën. Garën me këta të fundit sapo e kanë humbur thellë. A do të ketë debat dhe ballafaqim të drejtpërdrejtë mes njëri-tjetrit, në televizion apo ç’është më e rëndësishmja, edhe në bazë? Ndoshta, por tashmë pak rëndësi ka kjo. Ajo që vlen për t’u nënvizuar është se asnjëri prej tyre nuk e “prek” Sali Berishën dhe se siç po e theksojnë të dy bashkë, kontributi i tij jo në të shkuarën, por edhe në të ardhmen si opozitë do të jetë i pazëvendësueshëm. Kjo ka shumë rëndësi në këtë analizë. Po t’i shtojmë këtij fakti edhe atë që vetë Berisha ka deklaruar se do të vazhdojë të jetë në parlament si deputet dhe do të punojë fort, ndoshta më fort se këto 8 vite në qeverisje, për ta ringritur të djathtën, atëherë tabloja që kam përpara syve fillon dhe merr formë. Berisha në opozitë nuk do të qëndrojë në karriget që ndodhen në fundin e sallës. Ai nuk do të bëjë një opozitë si ajo e Fatos Nanos në vitet 2005-2009. Opozita e tij do të jetë si ajo që bëri po ai vetë në vitet 2001-2005, me përjashtim të muajve të parë të kësaj periudhe, kur opozita e braktisi Kuvendin si rrjedhojë e mosnjohjes së zgjedhjeve. Po të analizojmë në këto vite vetëm numrin e fjalimeve të mbajtura nga foltorja e Kuvendit nga kryeministri i atëhershëm Fatos Nano dhe kryetari i Partisë Demokratike dhe opozitës, Sali Berisha, arritja në përfundimin e modelit opozitar është e thjeshtë (shih fig. Fjalimet në Kuvend). Kjo do të thotë se Sali Berisha do të jetë sërish një faktor i rëndësishëm i Grupit Parlamentar të opozitës së re, pavarësisht nga pozicioni i tij, që me siguri do të jetë vetëm si deputetit. Por kjo do të thotë gjithashtu se kryetari i ri i Partisë Demokratike nuk do të jetë në Kuvend. A ka kuptim që kryetari i partisë, po të jetë në Kuvend, pra po të zgjidhet Olldashi, ta marrë fjalën pasi të flasë deputeti Sali Berisha, apo që deputeti Sali Berisha të flasë më gjatë dhe të akuzojë më fort mazhorancën e re se kryetari i PD, po të jetë ai në Kuvend? Nëse do të ndodhë kështu, sigurisht që do të kemi të bëjmë me një “ngërç” moral, por edhe institucional në hierarkinë e brendshme të Partisë Demokratike. E shkuara e Sali Berishës si opozitar dhe deklaratat e sotme për një opozitë të fortë vërtetojnë faktin se do të jetë ai që do e mbajë “gjallë” opozitën e re në Kuvend. Ndërkohë, nëse kryetari i ri nuk do të jetë pjesë e Grupit Parlamentar, pra do të vazhdojë punën në Bashkinë e Tiranës dhe do të koordinojë punën me “liderin” e Grupit Parlamentar, atëherë funksionimi i institucionit PD do të jetë më i lehtë. Olldashi me siguri do të ketë një rol të rëndësishëm në strukturat e reja të Partisë Demokratike. Ndoshta do të jetë njëri nga nënkryetarët dhe kryetari “de juro” i Grupit të ri Parlamentar, ndoshta Sekretari i Përgjithshëm i PD-së, por karrigia e kryetarit është zënë pa filluar “gara”.