E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ministri jo deputet, Haxhinasto: Variant jo vetëm i PS, e adoptoi dhe LSI

Anëtari i kryesisë së LSI, Edmond Haxhinasto i ftuar në emisionin ‘Natë me Xhaxhiun’ ka folur mbi çështjet më të rëndësishme që presin të ndeshet qeveria e re. 

Për sa i përket çështjes së integrimit Haxhinasto është shprehur se ajo nuk është çështje partiake, edhe opozita duhet të bëhet pjesë e saj.

‘Opozita është e mirëpritur të jetë pjesë e procesit të integrimit të vendit, kjo nuk është çështje partiake. Duke pasur perspektivën që ne vendosim sa u takon prioriteteve që tejkalon një legjislature apo qeverisëse, opozita ftohet të marrë pjesë të kontribuojë.

Objektiv kryesor është rritja ekonomike e vendit, atëherë gjithë politikat e tjera përfshirë dhe politikat fiskale që kanë paraqitur interes të jenë në funksion’.

Pyetjes se çfarë administrate mendon Haxhinasto, ai u shpreh se e rëndësishme është të jetë një administratë profesionale.

‘Mënyra sesi duhet formuar administrata e kanë të qartë të gjithë, çështja është të kemi një administratë profesionale, efikase, nuk po shpikim raketa por duhet që administrata të bazohet mbi profesionalizmin, dhe kjo të trajtohet, kualifikohet. Ka sinjale pozitive që Shqipëria do marrë statusin e vendit kandidat, të fillojë negociatat me BE, që do të thotë përgjegjësia jo vetëm e shërbimit civil të jetë e lartë, aftësia të jetë në nivele të tilla që të përballojë nivele të vështira si kapitulli i negociatave që kemi me BE’. 

Mbi çështjen e shëndetësisë Haxhinasto deklaroi se përmirësimi i shërbimit qytetarë është kryesorja për qeverinë e re.

'Nuk ka ndonjë ndryshim të jashtëzakonshëm, sa u takon këtyre propozimeve, çështja është se ne kemi kërkuar që fondi për shëndetësinë të jetë i caktuar ndërsa PS ka propozuar që kontributi për sigurimet shoqërore të jetë pjesë e taksës që do kontribuohet nga qytetarët, çështja është si do bëhet kjo skemë, si do financohet, domethënë do vijë nga kontributet apo do vijë nga buxheti i shtetit. E rëndësishme përmirësimi i shërbimit’.

Mbi akuzat e 4 viteve më parë të PS mbi LSI Haxhinasto u shpreh se nuk mund të ketë kapak për çështje që nuk janë mbyllur ende hetimet, çështja e hakmarrjes shkon tej logjikës së ligjit dhe kufirit që vë ligj dhe në këtë rast duhet thjesht të vemi drejtësi.

Haxhinasto deklaroi se LSI dhe PS kanë përputhshmëri për vendimet që do merren në sektorë të ndryshëm dhe çështja e ministrit jo deputet, është një nismë e PS, e cila është adoptuar edhe nga LSI.

'Unë kam tendencën të mendoj pozitivisht dhe ajo që mund të them me bindje është se në pika themelore të programit kemi përputhshmëri për vendimet që do merren, si për sektorë për rritjen ekonomike dhe për punësimin. Ne do kemi grupin tonë parlamentar që do jetë zëdhënës i politikave tona por është folur për një koalicion që do angazhojë dhe realizojë potencialet e së majtës moderne në Shqipëri, do jetë afatgjatë dhe strategjik. Çështjen e ministrit e kam menduar por nuk e kam marrë vendimin. Posti i ministrit është përgjegjësi shumë madhe. U realizua votimi im si deputet sigurisht marrja e një detyre në ekzekutiv, duhet të lihet një mandat. Ky nuk është vetëm variant i Ramës, është adoptuar dhe nga LSI dhe jam në procesin e vendimit’.

(d.b/a.k/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›