E Shtunë, 31 Tetor 2026

“Gërdeci”, Delijorgji dhe Pinari kërkojnë lirimin

TIRANE-Mihal Delijorgji dhe Ylli Pinari, dy prej tre të pandehurve të cështjes “Gërdeci” kërkuan sot nëpërmjet avokatëve të tyre lirimin nga burgu.

Ka vazhduar dhe sot në Gjykatën e Shkallës së Parë të Tiranës seanca e radhës për zbardhjen e tragjedisë së Gërdecit, të ndodhur më 15 Masr të vitit 2008 ku humbën jetën 26 persona dhe u plagosën mbi 300 të tjerë.

Maks Haxhia, avokati i Mihal Delijorgjit, administrator i fabrikës së cmintimit të armëve, “Alba-Demil” që shpërtheu më 15 Mars kërkoi sot lirimin e klientit të tij nën pretendimin se kanë skaduar afatet e paraburgimit. “Ka kaluar 1 vit e 4 muaj dhe nuk ka një vendim gjykate. Paraburgimi ka humbur fuqinë ligjore”, tha Haxhia në seancën gjyqësore mbi këtë cështje.
Por, pas kësaj kërkese të Haxhisë, ka vijuar ajo e Bashkim Asllanit, avokat i Ylli Pinarit, që së bashku me Delijorgjin ndodhen në pranga për tragjedinë e Gërdecit. “Ka skaduar afati dhe për Pinarin”, tha ai

Por, pretendimet e dy avokatëve sollën reagimin e menjëhershëm të prokurorit të cështjes. Prokuroria kërkoi nga trupi gjykues mosmarrjen parasysh të kërkesës së avokatëve. “Afatet e paraburgimit nisin kur mbërrin dosja në gjykatë”, tha prokurori.

Debatet prokurorë-avokatë përfshinë disa minuta sallën, ku pati dhe thirrje nga të pranishmit në seancë, familjarë të viktimave. Pas kësaj situate, trupi gjykues tërhiqet të marrë vendimin.

çështja “Gërdeci” me rreth 29 të pandehur, (3 në pranga) dhe mbi 300 dëshmitarë, të cilët aktualisht janë duke dhënë dëshmitë e tyre para Gjykatës, konsiderohet më e madhja në historinë e gjyqësorit.

Prokuroria e ka vlerësuar “Gërdecin” si një gabim njerëzor, ndërsa pala e pandehur pretendon për një sabotazh të mundshëm.

Si pasojë e një shpërthimi të fuqishëm të ndodhur më 15 mars të vitit 2008 në ish- fabrikën e demontimit të municioneve luftarake në fshatin Gërdec të Tiranës, humbën jetën 26 persona, ndërsa shumë të tjerë mbetën të plagosur. Ndërkohë pati dëme të mëdha në banesa e biznese.

(d.b/BalkanWeb)

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›