E Shtunë, 31 Tetor 2026

“Kathimerini”: Ja çfarë pret Athina nga qeveria "Rama"

"Ngjarja që pritet të tërheqë interesin e bashkësisë ndërkombëtare dhe Athinës në veçanti, është ndryshimi i qeverisë në Shqipëri", kështu shkruan ndër të tjera në analizën e tij, në të përditshmen “Kathimerini”, gazetari grek Stavros Tzimas.

“Udhëheqësi socialist Edi Rama dhe bashkëpunëtorët e tij të qendrës së majtë marrin stafetën nga Sali Berisha, i cili kishte mbështetjen e plotë të bashkësisë ndërkombëtare, madje edhe kur ndërtoi një shtet autoritar, kur burgosi kundërshtarët politikë dhe kur favorizoi ekonominë e "piramidës", që shkaktoi kryengritjen e armatosur të vitit 1997”. Arsyeja sipas gazetarit, është se nuk kishte një tjetër njeri që të krijonte një model të ndryshëm, pas rënies së dikaturës së Enver Hoxhës.

Më tej analiza vijon: “Berisha, me gjithë gabimet dhe tekat, ka kontribuuar në masë të madhe që Shqipëria, një vend pa një traditë të fortë demokracie dhe ekonomie tregu, të gjendet një hap larg nga oborri i Bashkimit Evropian. Edhe në marrëdhëniet Greqi-Shqipëri u bënë hapa të rëndësishëm, pavarësisht se ato kanë kaluar një mijë dallgë, por jo gjithmonë për përgjegjësi të palës shqiptare”.

Duke iu referuar kryeministrit të ri, analisti shkruan: “Tani një udhëheqës i ri erdhi në timon përmes zgjedhjeve të vërteta demokratike, një proces i panjohur ky për politikën shqiptare deri kohët e fundit. Edi Rama, që u shfaq si kryebashkiaku i Tiranës dhe që e transformoi atë, tani ftohet për të udhëhequr Shqipërinë në epokën e re, të lërë pas ekspansionizmin e paraardhësit të tij, të ndryshojë qëndrimet politike-mbetje të periudhës së Hoxhës, e cila në shumë raste e ka ushqyer atë si lider i opozitës, të forcojë funksionimin e institucioneve demokratike dhe t’i japë shtytje kursit evropian të vendit”.

Sipas gazetës greke, Athina shpreson të ndërrohet faqe në marrëdhëniet me Tiranën, të cilat kanë ngelur në vendnumëro, dhe që ngjarjet e fundit në Përmet, apo veprimet provokative të Agimit të Artë, janë në gjendje t’i destabilizojnë.

“Burimet qeveritare dhe diplomatike greke janë të angazhuara për të mbështetur me entuziazëm kursin evropian të Shqipërisë. Mjafton që t’iu jepet një përgjigje nga Tirana për shkrirjen e Marrëveshjes për Ujërat, të cilën vetë Rama e ka bllokuar, mbi bashkëpunimin për TAP, etj.

Kryeministri i ri ka reputacionin e një politikani evropian por edhe të paparashikueshëm, ndaj është e sigurt që për një kohë ai do të jetë nën mikroskopin e bashkësisë ndërkombëtare. Por edhe të Athinës, që dëshiron të investojë në një fillim të ri”, përfundon analizën e tij gazetari i “Kathimerini”. 
 
(Balkanweb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›