E Shtunë, 31 Tetor 2026

“Këmisha e forcës”,demokraci e humbur!

TIRANE - “E dua Platonin, por më shumë se Platonin dua të vërtetën” - janë këto fjalët emblematike të Aristotelit! Kjo marrëdhënie është jo thjesht një kontratë me penalitete sepse njeriu nisur nga interesat, mund edhe t’i pranojë ato, ose t’u shmanget shtrëngimeve duke e gjetur shtegun! Raporti me të vërtetën para se të jetë i konvertuar në një marrëdhënie rregulli, ligji apo detyrimi çfarëdo administrativ, ka qenë, është dhe do të mbetet një detyrim moral! Norma morale është një “dogmë racionale” që ngjanë me “konstantet universale” dhe “aksiomat matematikore”, mbi të cilat ngrihen teorema. Është për këtë arsye që qysh nga 10 porositë e egjiptianëve të vjetër dhe “10 porositë e Moisiut”, e deri tek besimet fetare më të reja në kohë, thelbi moral i çdo besimi, është bazamenti që nuk ndryshon që, nuk mund të dinamizohet përmes evoluimit që do të lypte një ri-përputhje me realitetin e ri dhe rrethanat e reja. Kur thuhet, “mos vidh”, “mos gënje”, “mos vërë dorë tek prona e tjetrit”, “mos e prishë atë trashëgimi vlerash që kanë lenë të parët e tu”, etj. Principe të tilla aksiomatike, as nuk zhbëhen, as nuk ri-thuhen, e më tej akoma as nuk fshihen e as nuk zhduken. Dëgjuam këto ditë si argument se “KQZ-ja po funksionon në këtë mënyrë hapur si repart partiak sepse u gabua me ndryshimet kushtetuese të vitit 2008. Për pasojë Komisioni Qendror i Zgjedhjeve u rikompozua si një strukturë bipartizane dhe kjo qenkërka arsyeja përse nuk besohet se mund të jepet një gjykim i bazuar ligjërisht. Më duket jo i motivuar ky argument. Nuk mund të akuzohet Kushtetuta dhe derivatet ligjore që rrjedhin prej saj. Vetë parashtresa e ka zgjidhjen në një kah tjetër nga ajo që përpiqet të parathotë si thembër të Akilit. Le t’i shkojmë në fund arsyetimit të propozuar si “harta e gabimit” - “bipartizanizmit”. Me fjalë të tjera më të thjeshta, kjo do të thotë që përfaqësuesit e partive politike në KQZ, nuk veprojnë sipas detyrimit ligjor dhe betimit që kanë bërë, por se veprojnë nën urdhrin partiak dhe shtrembërojnë ligjin, procedurat dhe standardet e detyrueshme. Pra e keqja qenkërka se njeriu partiak është i komprentueshëm dhe njeriu jo partiak është jo i kompromentueshëm. Po cili është kriteri që ndan kufirin? Cilat janë sistemet imunitare brenda vetëdijes civile që, të frenojnë për të mos shkuar në ekstreme të tilla, e të dalësh mbi ligjin, rregullin dhe drejtësinë? Është frika nga ndëshkimi ligjor? Po është. Po kur ky sistem nuk funksionon megjithëse atje nuk ka as partizanizëm, e as bipartizanizëm, atëherë në këto rrethana, cili është mekanizmi në themel që i thotë gjithkujt:”Ndal, përtej këtij caku ti nuk je ai që je dhe që duhet të jesh”! Bipartizanizmi nuk është kurrë mosfunksional. Në vetvete vet shoqëria e pluralizmit kulturor dhe pluripartitizmit politik që, gjerësisht është i strukturuar në dy parti të mëdha, është në thelb bipartizanizëm. Abraham Linkolni e quante këtë bashkëpunim një aset të rëndësishëm kombëtar. Praktikat e sotme ndërkombëtare në raste shtetesh të veçanta, por edhe në institucione ndërkombëtare e globale e njeh një bashkëjetesë e tillë, si një praktikë më goxha akses dhe produktivitet. Antropologjia njerëzore ka krijuar në historinë e saj një instrument vetëkontrolli që shprehet kështu “Mos deri atje se është Turp”! “Pra, mos vijo më tej sepse nuk është morale”. Problemi ynë nuk është alibia e bipartizanizmit, por është mungesa e integritetit moral. Njerëzit që kanë në dorë fate njerëzish dhe shoqërish, ata të cilëve iu është besuar menaxhimi administrativ i sovraniteteve, ku numërohet dhe vlerësohet vota, ata të cilët në Kolegjin Zgjedhor priten të jap verdiktin përfundimtar; pikërisht këta persona, nëse nuk kanë moral dhe nuk drejtohen nga parime të shenjta të etikës; do të jenë atëherë të atillë si ata që flasin në KQZ me gjuhë dhe zhargon rrugësh, si ai që nuk ndalen t’i drejtohej një gruaje dhe kolege, edhe kur ajo është në detyrë dhe më postin e nënkryetares së KQZ-ës, me një fjalor të turpshëm. Ndaj zoti President kur emëroni gjyqtarë, konsideroni meritokracinë, por shihni në dritë të diellit dhe tërësinë e vlerave morale dhe edukatën e kandidatëve të mundshëm. Nëse kjo nuk është mbajtur në konsideratë, është “zë në shkretëtirë” apeli juaj sot ndaj Kolegjit Zgjedhor për profesionalizëm dhe paanësi. Fryti është pjellë e rrënjës.
Kundër rregullit e ligjit, del në pah ajo që quhet në politologji “këmisha e forcës”. Loja me të, duket se ka përfshirë një gamë të gjerë njerëzish me poste dhe ofiqe, e bashkë me ta institucione që drejtohen po nga këta lloj njerëzish. Kjo sjellje ka zënë vend në media dhe forume, OJF dhe aksesorë të tjerë gjithë po aq. “Karocata” që krijon trishtim dhe frikë është gardhi me polic dhe forca të ndërhyrjes së shpejtë, me veshje speciale që rrethojnë godinat e institucioneve ku predisponohet, që do të gjendet zgjidhja dhe do të triumfojë e vërteta. Po pse duhet kordoni i armatosur? Deputetët e PS-së do të hynin të asistonin në punimet e KQZ-së. Po ata rrezikonin thuhet, “që të ndërhynin forcërisht” ndaj kryetarit të madh votë-vlerësues. Ky “great savior”, u indinjua se ata në rastin kur hynë në atë sallë ku gatuhej fati i zgjedhjeve të 8 majit, deputetët e PS-së kishin përplasur këmbët. Nëse ka ndodhur vërtetë kështu, deputetët e PS-së të kërkojnë falje publike sepse me gjeste të tilla, me buri e me bilbila, asgjë nuk zgjidhet. Kjo është provuar me kosto negative në shpinë të tyre dhe forcës politike që përfaqësojnë. Por, ama kur dëgjoj se si “great savior”- “shpëtimtari i mADH”, zoti Arben Ristani, i drejtohej përfaqësuesve të opozitës në KQZ, me fjalë, “budalla” “karagjoz” dhe në të njëjtën kohë përfaqësuesit të PD-së me fjalën Zoti Njazi (harron ky i edukuar i pjesshëm që thuhet zoti Kosovrasti, zoti Berisha, zoti Arvizu, zoti Basha) këtu nuk ka as etikë, as standarde morale. Në lojën e “këmishës së forcës” janë përfshirë jo sot, por prej kohësh të gjitha palët me të gjitha arsenalet të hapura dhe të fshehura, aq sa në fushatë dëgjuam si asnjë herë tjetër në këta 20 vite edhe termin “arma jonë sekrete”. A thua që kjo armë të paskërkish qenë (para) menduar si fleta e votimit e hedhur gabimisht në kutinë jo të duhur? Kush e di. Atje ku u lëshua kjo batutë duke dalë nga kuptimi sekret (sekrete është ajo çka nuk thuhet dhe jo më të thuhet hapur në një miting elektoral) u vijua, me fjalët “është besimi që ne kemi tek njëri tjetri dhe besimi që kemi tek Zoti”. Po çfarë ka për sekrete në këto dy besime sa njerëzore aq edhe hyjnore. Që “këmisha e forcës” të duket si një lëkurë qengji e shpiem ta bekojmë në tempullin e fatit popullor sepse duhet lexuar çdo votë, se duhet dëgjuar çdo zë. Vota numërohet, libri lexohet. Në kuptimin metaforik lexohet rezultati zgjedhor, pra vota pro ose kundër. Enigmatik më duket ky formulim çdo zë. Ndoshta është fjala për “zërat e natës”, “nokturnet” magjiprurëse, ose është fjala që, zë në fatin e votës është edhe KQZ-ja edhe Kolegji Zgjedhor. Stop! Përball tyre është populli. Vota e të gjithëve që e kanë atë të drejtë nuk mbrohet vetëm për ato pako vota që sollën përmbysjen. Shqiptarët në emigracion përsëri nuk votuan në masë. Paratë i duam si remitancat sepse e kemi bosh arkën, ndërsa votën nuk ua duam. Ne lamë pa votuar duke iu mohuar një të drejtë kushtetuese 10.000 të verbërve. Apo kjo shtresë vulnerabël nuk e ka këtë të drejtë kushtetonjëse. Po kërkojë shumë më duket, kur mendojë që para disa kohësh këta njerëz që dritën e diellit nuk e shohin, por “dritën e shpirtit” e kanë më të bardhë se shumë nga ne që, kemi sy por nuk shohim;kur sjell në mëndje se si dy gra të verbra u hodhën në tokë nga një “burrë i këmishës së forcës”, atë ditë kur ato protestonin para derës së godinës së Kryeministrisë dhe askush nuk foli! Askush nuk u shkoi në shtëpitë ku ato jetojnë, si edhe u bë në një rast tjetër kur një vajzë e goditur pa të drejtë nga një djalosh protestues, pati fatin që në 18 vjetorin e lindjes të kishte në shtëpi si miq, autoritete të larta. Senior të lodhur në politikë dhe “pinjollë që u frynë si komisionerët e festës tek novela e shkrimtarit Ismail Kadare, kur iu besua një komision hetimor Parlamentar, që do të zbulonte se kush kishte qëlluar në 21 janar, por që shkriu si kripa në ujë, duke lënë pas një precipitat zhgënjimi dhe mungese dinjiteti. Kjo tregoi se si njerëz të komanduar si ata, dhe shumë të tjerë, janë viktimat e para të “këmishës së forcës”. Eh ju njerëzit që shërbeni. Sa shumë jeni, sa dëme që bëni, sa prapa po e lini këtë vend? Pa elitarizëm nuk ka institucionalizim dhe pa këto dy shtylla ka vetëm kakofoni retorike dhe “përbetime hipokrite për popullin dhe hallet e tij. Ku ta gjesh popullin-shkruan Eduard Balladur, dhe vijon me këtë përgjigje “Demokracia mediatike nuk është demokraci direkte. Përkundrazi, ajo përpiqet të rreshtojë popullin nëpërmjet organizatash që mbrojnë pushtetin. Gjithçka ajo filtron, fijet e ndërthurura përbëjnë rrjetin e shoqërisë: administrata, shoqata, parti, sindikata, shtypi, të zgjedhur, ndërmarrje, pushtete lokale, universitete të gjithë, rivalë apo aleatë, varet përpiqen të kushtëzojnë popullin, t’i imponojnë opinionin më të leverdishëm për interesat e tyre, e gjithmonë të pretendojnë se flasin në emër të tij. (E.Balladur, “Makiavelizmi në Demokraci, botimi shqip faqe 98.) Shohim se si mediat tek ne janë reshtuar në skalione partiake dhe përdorin pa një pa dy gjuhën e partive dhe humbin të qenit pushtet i pavarur, duke u rreshtuar në armatën e “këmishës së forcës”. Madje disa syresh në këta 20 vite, janë hedhur shpesh nga njëra barrikadë tek tjetra, duke ndëruar këmishën edhe në mes të ndeshjes. Ylberi politik i josh dhe dalin nga vetja, duke u viktimizuar në raport me të vërtetën. Nuk mbajnë në vëmendje se ndodh që pasioni të jetë këshilltar i keq, po ashtu edhe kulti i interesave të çastit. Ky është një rrezik. Përball kësaj analize dhe faqe kësaj tabloje postzgjedhore në Shqipëri, shtrohet pyetja “Po demokracinë ku ta gjesh”? Apo ç’na duhet demokracia, na duhet pushteti, ai qenkërka i pari. Posti qënkërka i pari. Sa keq!

Në vitin 2005 kur PD-ja erdhi në pushtet dhe zoti Lulëzim Basha ishte ministër i Punëve të Jashtme, u iniciua argumentimi se OSBE-ja e kishte mbaruar misionin në Shqipëri dhe ajo duhej të largohej nga vendi ynë. Kur u pa se muri ishte i trashë dhe koka mund të vritej, u kalua në anën tjetër. Të lobojmë që në një të ardhme të afërt kreu i këtij organizmi që prevenon konfliktet dhe kontrollon funksionimin e demokracisë të jetë një personalitet nga diplomacia shqiptare. Në zgjedhjet e 8 majit 2011, OSBE-ja dhe ODIHR-i, ambasada e SHBA-ve dhe forume të tjera vendore ndihmuan në vëzhgimin e procesit të votimit dhe numërimit të votave. U dukë se për herë të parë po dilnim jo vetëm nga “këmisha e forcës” por edhe nga zhgualli orientalist. Secili shikonte “live” se si votat kudo kontrolloheshin dhe numëroheshin, administroheshin dhe certifikoheshin. Por, se pikërisht atje ku nuk duhej të ndodhte, në KQZ pamë një farsë që përpiqet të shndërrojë zgjedhjet dhe votimin në një formalitet të panevojshëm. Do të preferoja të citoja tre përfundime të zotit Stonestreet, kreut të ODIHR-it në Shqipëri që do të japi vlerësimin përfundimtar për këto zgjedhje. Ne kërkuam, u shpreh ai në një intervistë, vendimin për të nisur këtë procedurë të rinumërimit të votave të hedhura në kutinë e gabuar. Ky vendim dhe përmbajtja e tij u refuzua më shumë se një here. Kjo sjellje nuk është partneritet, është arrogance, është tek e fundit “këmisha e forcës” ndaj institucioneve ndërkombëtare. Zoti Stonestreet, nënvizoi se baza ligjore për këtë veprim të KQZ-së që sillet si KZAZ nuk është e qartë. Përsëri “këmisha e forcës”. Tirada të tëra se prevalon përmbajtja dhe jo forma, se thelbësore është vota dhe kjo e drejtë nuk mund të mohohet! Po mirë, a nuk e di ODIHR-i këtë gjë. Një raport më parë ky organizëm dhe OSBE, janë shprehur në mënyrë eksplicite për këtë votë të devijuar në kutinë e gabuar. Edhe ca juristë që kanë marrë këtë krahë e dinë se ka Kod Civil, por ka edhe Kod të Procedurës Civile. Madje këta ithtar të thelbit, e dinë që zoti Lulëzim Basha nuk shkoi në Gjykatën e Lartë, për t’u gjykuar për akuzën që i kishte bërë Prokuroria e Përgjithshme, bazuar në kallëzimin penal të KLSH-ës, duke u shmangur fal mosrespektimit procedural nga ana e saj. Përse nuk u “parimësua” nga thelbi në atë rast zoti Basha? Apo njëherë na duhet forma, herën tjetër përmbajta, sepse në çdo rast duhet të dalim pa lagur. Edhe në këtë shtëllungë tymi të paqartësisë ligjore, qëndrimi i KQZ-ës ndaj ODIRH-it ishte një parakalim me “këmishën e forcës”. Së fundi, jo nga rëndësia, zoti Stonestreet, deklaroi se “transparencë nuk do të thotë të tregosh me imazh televiziv se ç’farë je duke bërë, por se të tregosh se sa transparente ligjërisht është ajo procedurë që po kryhet”. Në këtë rast “këmisha e forcës” është përpjekur të tregonte se është e qartë, e hapur në sy të të gjithëve, ndaj nuk ka se ç’farë të thuhet. Ajo që duhej thënë, u tha nga përfaqësuesit ligjor, se një kuti mbyllet me një kod dhe hapet me një tjetër, që fletët dalin më shumë se lista, se në protokoll shkruhet se ka dy vota të hedhura në kutinë e gabuar dhe në zarf gjendet një, e kësaj parodie, zoti Ristani i jepte shpjegim “Do ta gjejmë edhe atë tjetrën, ju po keni ndonjë Alert për këto vota bëheni; kërkoni se do të mund edhe ju të PS-ës të gjeni vota të tilla. A thua se ato ishin në syndykun e besës dhe ai duhej rrëmuar deri në fund për të takuar fatin e dhënë nga mbifuqia. Në fund të kësaj zallamahie demokracia humbet. Vendi humbet kohë dhe shanse. Integrimi bën “get back”-kthim pas dhe do të ndodhi ajo ç’ka shkrimtari që e ka bërë të njohur Shqipërinë në botë si askush tjetër, Ismail Kadare paralajmëroi, vendi rrezikon një izolim të ri. Deri kur do të sillemi ndaj fatit tonë me këtë errësirë si prej Kaini që vrau Abelin, vëllanë e tij. Ai udhëhiqej nga principi t’i më gërvisht unë të vrasë. Herë-herë jemi edhe gjysmëdritor si Moisiu, që drejtohej nga parimi, t’i më godet në faqe unë të godas në faqe. Të shkojmë më së fundi tek qëllimi fisnik që të sillemi si Jezusian, i cili thoshte “Ti më godet në njërën faqe unë të kthej tjetrën. Ky moral është larg të qenit pjesë e qenies sonë, e kulturës sonë e sjelljes sonë! Çfarëdo që të vendosi Kolegji Zgjedhor, cilido që të rezultojë në fund fitues, ne e humbëm mundësinë dhe shansin për të treguar kulturë europiane, shtet ligjor, standarde dhe civilitet. Sa e vështirë që është (dhe mbetet ende peshë historike), dalja nga “zhgualli orientalistë dhe nga fryma otomaniste për të vlerësuar dhe bashkëjetuar me moton,të barabartë si të ndryshëm. “Këmisha e forcës” është si trikoja e helmuar e Herakliut të Antikitetit, që bëri të vdiste atë vet. Nëse këtë “këmishë të forcës” ia veshim demokracisë jemi të gjithë të humbur.

(GSH/BalkanWeb)

Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›