E Diel, 1 Nëntor 2026

“Krimi i organizuar dhe korrupsioni, pengesë për liberalizimin e vizave”

Qeveria e Kosovës, në gjashtë muajt e fundit, nuk ka shprehur dhe nuk ka pasur përkushtimin e mjaftueshëm që t’i zbatojë detyrimet që dalin nga udhërrëfyesi për liberalizimin e vizave. Kështu ka nënvizuar raporti “Një Matricë Vlerësimi mbi të Arriturat dhe Sfidat e Kosovës në përmbushjen e Udhërrëfyesit për Liberalizimin e Vizave”, të publikuar sot nga Grupi për Studime Juridike dhe Politike.

Skandalet e fundit që kanë ndodhur në Ministrinë e Brendshme të Republikës së Kosovës, e kanë ulur besimin e Komisionit Evropian përballë përkushtimit të Qeverisë së Kosovës për të luftuar krimin e organizuar dhe korrupsionin.

Kjo, ka sjellë si pasoj një situatë në të cilën zbatimi i udhërrëfyesit nuk ka shënuar progres pozitiv, ka deklaruar Fisnik Korenica, nga ky grup.

“Në gjashtë muajt e fundit raporti ynë tregon se Qeveria ka arritur të zbatojë ato detyrime që kryesisht lidhen me vendosjen e strukturave apo edhe me nxjerrjen e akteve ligjore, por ka sërish mungesë në zbatimin e tyre dhe natyrisht që udhërrëfyesi për liberalizimin e vizave për Kosovën ka theks qendror jo thjeshtë ndërtimin e strukturave, por zbatimin e tyre”, ka thënë Korenica.

Korenica, tha se Qeveria duhet të ketë një kujdes të shtuar, por edhe një aktivitet shumë dinamik në luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar, ndryshe do të vazhdojnë problemet për Kosovën në aspektin e liberalizimit të vizave:

“Raporti tregon se ka shumë sfida që duhet adresuar dhe ka shumë probleme në zbatimin e kritereve specifike që rrjedhin nga udhërrëfyesi për liberalizimin e vizave dhe kjo natyrisht tregon se Qeveria e Kosovës në gjashtë muajt e fundit që raporti bën vlerësimin nuk ka shprehur dhe nuk ka pasur përkushtimin e mjaftueshëm që t’i zbatojë detyrimet që dalin nga udhërrëfyesi”.

Ky raport i paraprinë raportit që do ta sjellë Komisioni Evropian javën që vjen, lidhur me vlerësimet e tyre sa i përket zbatimit të udhërrëfyesit për liberalizimin e vizave për Kosovën./Indeksonline/
 

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›