E Shtunë, 31 Tetor 2026

“Kriza” Komisioneri Europian Olli Rehn në Athinë

ATHINë- Komsioneri Evropian për çështjet Ekonomike dhe Monetare, Olli Rehn, fillon sot një sërë bisedimesh me drejtuesit grekë për vlerësimin e situatës financiare të vendit.
Rehn pritet të fillojë bisedime me ministrin e Financave, Jorgo Papakonstantinu, me ministren e Ekonomisë dhe të konkurrencës, Luka Katséli, dhe më tej me zëvendëskryeministrin, Teodor Pangalos, e me Guvernatorin e Bankës së Greqisë, Jorgo Provopulos.

Më vonë, në mesditë, ai do të takohet me kryeministrin Jorgo Papandreu dhe me ministrin e Punës, Andrea Loverdos, përpara se ta përfundojë vizitën me një konferencë shtypi në orën 18:15.

Rehn ka bërë të ditur javën e kaluar se do të shkojë në kryeqytetin grek për të diskutuar me qeverinë dhe autoritetet greke lidhur me situatën ekonomike dhe buxhetore të Greqisë dhe për stabilitetin financiar të zonës euro.
Greqia konsiderohet si hallka e dobët e zonës euro që kur bëri publike në fund të vitit gamën e deficitit publik, që deri atëherë ishte nënvlerësuar.

Franca dhe Gjermania po finalizojnë një plan shpëtimi që prezantohet në fund të kësaj jave, sipas të cilës bankat shtetërore të dy vendeve do të blejnë më shumë se 30 miliardë euro bono greke për të qetësuar tregjet financiare.

Megjithatë kancelarja gjermane Angela Merkel ka bërë të qartë se asnjë taksapagues gjerman nuk do të paguajë për borxhet e Greqisë.
Ndërkohë një artikull i Financial Times shpjegonte se shoqeritë e vogla aksionere mund të kenë përfituar shumë nga deficiti buxhetor në Greqi. Ndërkohë kryeministri grek Jorgos Papandreu ka deklaruar në një mbledhje kabineti se vec masave të ashpa të njoftuara, një luftë e madhe duhet bërë ndaj korrupsionit, për të mundësuar mbushjen e arkës së shtetit.
(e.n/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›