E Diel, 1 Nëntor 2026

Shkodër, sot 5700 ha nën ujë, mbyllen shkarkimet në Fierzë

SHKODER- Mbyllen shkarkimet e ujit në Hidrocentralin e Fierzës. Koorporata Elektroenergjetike Shqiptare njofton për mbylljen e portave në Fierzë duke ndaluar kështu shkarkimet e ujit. Ndërkaq mësohet se shkarkimet vazhdojnë ende në Koman dhe në Vaun e Dejës.

Sipas KESH-it, hidrocentrali i Komanit po shkarkon aktualisht me 200m kub/ sekondë, ndërsa hidrocentrali i Vaut të Dejës shkarkon 300 metër kub/sek.
Ndër të tjera KESH njofton se edhe këto dy hidrocentrale pritet të mbyllin së shpejti portat e tyre të shkarkimit.

Përmirësimi i kushteve të motit ka bërë që situata e përmbytjeve në qarkun e Shkodrës të jetë e qëndrueshme. Sipas të dhënave nga Prefektura e qarkut , sipërfaqja e përmbytur llogaritet në 5700 hektarë tokë.

Shirat e rrëmbyeshëm gjatë dhjetëditëshit të fundit të muajit shkurt, detyruan hapjen e portave të hidrocentralit të Komanit dhe Vaut të Dejës, mbi lumin Drin duke përmbytur disa fshatra. E njëjta situatë ndodhi edhe në ditët e para të janarit, kur qarku i Shkodrës u përfshi nga përmbytje masive si pasojë e hapjes së portave të hidrocentraleve të kaskadës mbi lumin Drin.
(e.n/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›