E Diel, 1 Nëntor 2026

“Kutitë” Berisha ripërsërit qëndrimin, “JO” kërkesës së PS

TIRANE- Kryeministri Sali Berisha ripërsëriti sot qëndrimin e tij të prerë, kundër hapjes së kutive të votimit dhe rinumërimit të votave.
Gjatë një takimi me përfaqësues të Parlamentit Rinor Europian dhe të Forumit Rinor të Partisë Demokratike, Kryeministri Berisha u ndal te situata aktuale politike në vend dhe komentoi kërkesën e opozitës për hapjen e kutive të votimit.
Duke theksuar se zgjedhjet e 28 qershorit ishin procesi më transparent që është zhvilluar ndonjëherë në Shqipëri, Kryeministri u shpreh "kjo u faktua njëzëri nga monitoruesit ndërkombëtarë që shkruan në raportet e tyre se nuk kishte asnjë prove për manipulim të rezultatit, apo numërim të parregullt".
"Zgjedhjet plotësuan standardet kryesore të OSBE-së, por Kreu i PS-së nuk e pranon rezultatin. Ai po kërkon të hapë kutitë për rinumërim, në një kohë kur ka një vendim gjykate që ka vendosur se nuk mund të ketë rinumërim, pa kontestim. Këtë e thotë ligji që ka shkruar vetë", tha Kryeministri.

Nga ana tjetër, duke u ndalur te integrimi europian, kreu i Qeverisë u shpreh se 96 për qind e popullit shqiptar përkrah integrimin, duke theksuar se "kjo përbën një forcë të jashtëzakonshme për qeverinë për të proceduar në rrugën e integrimit europian".
Ndërsa informoi se treguesi i kriminalitetit në këtë vend është më i ulëti se në të gjitha vendet e BE së bashku, kreu i Qeverisë u ndal në miratimin e ligjit "antimafia" dy ditë më parë në Kuvend, i cili sipas tij "është i standardeve më të larta, një përzierje e ligjit italian dhe atij anglez".
"Të luftosh mafian nuk është një objektiv i lehtë për tu realizuar. Në muajt që vijnë ne do të shkojmë drejt një beteje të hekurt dhe do ta bëjmë Shqipërinë një prej vendeve më të sigurta në të gjithë Evropën", tha Kryeministri Berisha.
I pyetur nga përfaqësuesit e Parlamentit Rinor Europian se çfarë mund t'i ofrojë Shqipëria Bashkimit Europian, kreu i Qeverisë u shpreh se "shqiptarët janë ndër popujt më të vjetër të kontinentit, ndaj kultura dhe identiteti i tyre do ta pasurojë kulturën evropiane. Shqipëria ,tha Berisha, do ti japë Europës dhe shëmbullin e tolerancës fetare.
(e.n/news24/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›