E Shtunë, 31 Tetor 2026

Dinamo siguron një tjetër fitore, mund 1-0 Flamurtarin

TIRANE- Dinamo ka marrë fitoren e 11 në këtë kampionat, duke mundur 1-0 Flamurtarin në një takim që përfundoi me polemika. Blutë iu falën një goli të shënuar nga argjentinasi Souza 5 minuta para përfundimit, ndërsa vlonjatët protestuan gjatë për një pozicion jashtë loje. Pjesa e parë ka qenë e barabartë dhe me pak raste nga të dy krahët. Dy-tre aksione të Dinamos dhe një gjuajtje e Zeqirit ishin gjithçka në 45 minuta. Pjesa e dytë nis me një aksion të rrezikshëm të Dinamos, por mbrojtja vlonjate largon. Në aksionin pasaardhës Diop rrezikon me kokë, por grushton Moçka. Muça nis të bëjë zëvendësimet, që sjellin më shumë gjallëri në sulm. Në krahun tjetër, Flamurtari është munduar vetëm të mbrohet. Momenti deiciziv ishte minuta e 85-të, kur pas një goditje këndi blutë realizojnë me një rrëmujë në zonë. Topi u duk se kaloi vijën, por vlonjatët protestuan për pozicion jashtë loje të Diop. Kapiteni Halim Begaj kontestoi ashpër anësorin Biçaku, duke e sharë dhe goditur me shpullë, ç’ka i kushtoi kartonin e kuq. Gjithçka përfundoi kështu, me Dinamon që shkon në 35 pikë pas 13 javësh dhe duke mos njohur ende shijen e humbjes.

“Kemi ndërtuar shumë sot, kemi sulmuar shumë , por për meritë të ekipit kundërshtar i cili u mbrojt shumë mirë, nuk arritëm të shënojmë më shpesh. Cdo gjë ishte fair play , edhe në drejtim të lojës dhe në drejtim të gjykimit.” u shpreh Shkëlqim Muça, trajner i Dinamos.
“Futbolli luhet deri në minutën e fundit. Ekipi sot ka treguar si asnjëherë tjetër karakter sportiv” theksoi Gugash Magani, trajner i Flamurtarit.

Në takimet e tjera të ditës së shtunë, Apolonia barazoi 1-1 me Vllazninë në Fier, ndërsa Laçi mundi 2-1 Gramozin në Ersekë. Java e 13-të do të mbyllet me ndeshjet Skënderbeu-Tirana dhe Besa-Shkumbini.
(e.n/A.Latifi/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›