E Shtunë, 31 Tetor 2026

“LYNX”, fytyra e re e rrokut shqiptar

TIRANE-E dija që kohën e kanë të limituar, sezoni i verës është i ngjeshur dhe këtë javë kanë festuar dy ditëlindje…Mirëpo e mora me qetësi. Hapa të ngadaltë më drejtonin në vendin e tyre të provave, atje ku shpenzojnë një pjesë të konsiderueshme të ditës. Madje kisha në mendje edhe dhuratën time: Një mini prozë, të realizuar me titujt e këngëve të “Lynx”. Për të mos u zgjatur, e vesha buzëqeshjen shpejt e shpejt dhe nisa: “Lum ‘Shqiptaria’ që të ka! Si ty askush nuk do ishte ‘Gjysma ime më e mirë’… ‘Është për ty ky refren’, ndaj mos e harro: ‘Peng i kohës ti s’do jesh’! Sepse ‘Nuk ma ndjen’, ‘Bëj çfarë ti do’, prandaj ‘Është për ty kjo melodi’…Dëgjoje, titullohet: ‘Rock N’ Roll!’”. Ende pa e përfunduar, në sfond ndjej tingujt e këngës dhe unë në rolin e fansave, e përmbusha misionin tim. Tani në rolin e vërtetë, atë të gazetares i “obligoj” t’ju rrëfejnë…
Albumi
“Sa pak mjafton” për të arritur shumë…Në rastet kur talentit i bashkëngjitet një punë e madhe, katër djem simpatikë dhe të këndshëm, që kanë një raport perfekt mes tyre…publiku del i fituar! Tregut muzikor shqiptar i është shtuar një tjetër album, po nga ata të vërtetët ama! Plot dhjetë këngë, të lançuara në evente të rëndësishme muzikore dhe jo vetëm, janë punuar me kujdes nga fytyra e re e rrokut shqiptar, grupi “Lynx”. Albumi ka qenë një synim i grupit, që në fillimet e punës së tyre, si një lloj pasaporte që dëshmon mbi vlera artistike të mirëfillta. Këngët përgjithësisht lindin, krijohen dhe përfundojnë aty…brenda “Lynx”. Mbërriti në një moment të përshtatshëm dhe po promovohet në koncerte anembanë Shqipërisë. Mbrëmja e madhe mblodhi së bashku shumë artistë, të cilët nuk u ndalën as për shkak rivaliteti. Emra të tillë si: Vedat Ademi, Ermal Mamaqi, Dr.Flori, Bon Bon Band, Endrit Shani, Elis Nova, Burn…uruan përzemërsisht këta artistë, sa të rinj, aq edhe premtues.

Media vizive gjithashtu ka dhënë një mbështetje të vazhdueshme për Lynx, sidomos kohët e fundit. Mjafton të veçojmë dy figura të mëdha: Adi Krastën dhe Enkel Demin, të cilët me zemërgjerësi janë vetëquajtuar “fansa të djemve dhe muzikës, që ata prodhojnë”. Vlerësime të tilla ndodh të të shkëpusin nga realiteti, këmbët fluturojnë dhe nuk mbështeten fort mbi tokë, ama kanë menduar edhe për këtë: Menaxheri i tyre, një djalë i zoti dhe profesionist vendos pikat mbi “i”, për të siguruar vazhdimësinë e suksesshme. Një tjetër risi është fakti që albumin nuk mund ta gjeni në pika shitjesh, ama është vendosur një numër telefoni në dispozicion, ku mund ta porosisni dhe ju vjen në shtëpi. Interesante kjo gjetje, ndaj duhet vlerësuar kjo frymë kreative, që karakterizon pjesëtarët e “Lynx”.

Krijimtaria dhe ecuria
Kitaristi, Aurel Gjini ka qenë iniciatori për të krijuar grupin, i cili daton përpara pesë vitesh. Muzikë ‘live’ në mbrëmje për të kënaqur shijet e publikut, një repertor që shtohej e ndryshonte ndjeshëm, me kalimin e kohës. Derisa vjen kënga e parë, nën titullin “Shqiptaria”, pjesëmarrëse në ‘Top Fest’. Emri i grupit, edhe pse sot e kësaj dite e ngatërrojnë në të shkruar, apo lexuar u bë i njohur në rrethin e kolegëve dhe më gjerë. Kërkesat po rriteshin, pritshmëritë e tyre gjithashtu. Duke ndjekur të njëjtën linjë, me pikësynime të qarta, në rrugën e gjatë artistike, “Lynx” nuk ndalen së marri pjesë në kompeticione kombëtare. Në festivalin e fundvitit në “RTSH”, festivali “Kënga Magjike”, “Netët e Klipit Shqiptar” kanë dhuruar emocione të pakufijshme, skena gjigande dhe publik i mrekullueshëm. Vlerësimi më i madh për djemtë ishin duartrokitjet, edhe pse nuk kanë munguar çmimet. Sa herë t’i pyesësh nëse ka një lider mes tyre, me modesti përgjigjen: “Ne jemi Lynx”. Endrik Beba, vokalisti i grupit, pavarësisht se në pamje të parë, disi mendjemadh është një djalë i shkëlqyer, që nuk e diferencon aspak veten nga miqtë. Renato Rexha është tastieristi karizmatik dhe përherë i buzëqeshur, ai që të përcjell pozitivitet çdo çast, sa herë e sheh. Ndërsa Rei Sulejmani, bateristi serioz ka një natyrë të qetë, që reflekton ambicie dhe këmbëngulje. Me pak fjalë, një kombinim i rrallë, që nisi artistikisht, por ka baza të një miqësie të fortë. Janë një shembull i mirë, për të gjithë të rinjtë, që e synojnë botën e artit. Edhe pse motivimi nuk është i mjaftueshëm, nuk janë stepur për t’i çuar projektet e tyre deri në fund… Forca çuna!
Jeta private dhe femrat…
Të bësh muzikë, do të thotë ta ndjesh në deje dashurinë! Këngët e tyre trajtojnë përgjithësisht këtë tematikë, pa kaluar në dhimbje të forta apo drama. Tekstet paraqesin një dashuri, që triumfon apo në rastet më të këqija rebelohet, duke qenë e drejtpërdrejtë. Po sa për qind të eksperiencave personale kanë përfshirë djemtë brenda materialeve artistike? Janë kaq të rezervuar, sa duket sikur pyetja të shkon dëm. “Prioriteti ynë është muzika, një femër meriton gjithnjë të jetë e para, t’i përkushtosh vëmendje maksimale. Nëse nuk ke kohë, ose do të ikë ose duhet ta bësh të ikë”,- shprehen nën zë. Tërthorazi pohojnë se momentalisht nuk po përjetojnë asnjë lidhje serioze. Flirte? Sa të doni, kudo dhe kurdo. Në çdo koncert ka vajza që thërrasin fort një emër apo një tjetër, brohorasin, këndojnë në sinkron me vokalistin, kërkojnë fotografi…për të mos kaluar te puthjet (në faqe). Secili ka një tipologji të veçantë, qoftë në portret, apo edhe veshje…po nuk vlen të planifikoni asgjë serioze për momentin. Nuk do t’jua varin vajza! Përtej shakasë, më vjen mirë që janë kaq të vendosur dhe palëkundur. Përveç muzikës, vazhdojnë studimet e larta. Për pushime është herët për të folur, deri në shtator nuk munden t’ia bëjnë qejfin plotësisht vetes. Megjithatë nuk ankohen, sepse vizitat në qytete të ndryshme, i lënë hapësirë për t’u relaksuar dhe për t’u ndjerë pak turistë. Ndërthurin punën me kënaqësinë…kështu menaxhojnë edhe kohën. Në fillim të shkrimit preka tangent dy ditëlindje, të cilat i kanë kaluar shumë bukur. Aureli dhe Endriku kanë festuar në shoqëri të familjes së madhe “Lynx”, të njerëzve më të afërt, miqve dhe adhuruesve…Duke u uruar shumë fat, sukses dhe jetë të gjatë po e mbyll me frazën: “LYNX, fytyra më e re e rrokut shqiptar. Komplimente për dëshirën, punën, vullnetin dhe bujarinë tuaj!”.

(d.b/Bluetooth/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›