E Diel, 1 Nëntor 2026

“Le të shohim para!”

Në mbledhjen e fundit të Bashkisë së Tiranës, kryebashkiaku rishtar Lul Basha, pas çdo vërejtjeje të opozitës, përsëriste të njëjtin motiv: “Le të mos merremi me të kaluarën, ju bëj thirrje të shohim para!...Më mirë të shohim interesin e qytetarëve të Tiranës, të fëmijëve, të pensionistëve dhe jo interesat e ngushta partiake!...Unë nuk dua të futem në këto histori të së kaluarës, prandaj votoni për sheshin, për xhaminë dhe për planin urbanistik”. Të njëjtën ide transmetoi edhe ambasadori amerikan Arvizu, edhe zoti Sekui i BE-së, edhe ai i OSBE-së që na porositën: Shikoni përpara, mos u bëni robër të së shkuarës!…Në këtë hulli hyri, siç ndodh përherë pas deklarimeve të trojkës, edhe zoti Topi, i cili na kumtoi, duke ecur mbi të njëjtën paralele, sikur me gjasë po lihet mënjanë e kaluara dhe po shkohet drejt një marrëveshjeje e mirëkuptimi mes dy palëve të hasmosura...
Duket sikur, më në fund, aktorët kryesorë të politikës u bindën të hedhin vështrimin përpara, të lënë mënjanë cicmicet e vjetra të mëthetëthashës sonë ballkanodolle, për t’u shkëputur, -shyqyr, më në fund!- nga krahasimet e pabukta me vitin 1939, qoftë edhe me vitet 1991, 1997 e 2005, kur kanë qeverisur kundërshtarët… Po krijohet përshtypja sikur prijësit tanë sinqerisht nuk dëshirojnë të merren më me “krahasimet me të pakrahasueshmen”, aq më pak me biografitë, -kush ishte komunist e kush antikomunist, kush ishte i pari e kush i fundit në Dhjetor, kush ishte disident e kush bir i etërve të ‘Bllokut’, kush është kurban e kush derman…- për të lënë mënjanë, si të padobishme, luftënxitjen e ndërsjellë me origjinën, me emrat, mbiemrat e nofkat, si dhe me bëmat politike a familjare të njëri-tjetrit që kësisoj vendi, shoqëria dhe integrimi të mos mbeten peng i të kaluarës, siç ka ndodhur rëndom në këto njëzet vjet. E nëse vërtet është kështu, kjo frymë e re dhe e munguar gjatë ia vlen të përshëndetet.
Por a po ndodh përnjëmend kështu? Dhe sa është e mundur të ndryshojnë fytyrën, fjalorin, frymën dhe sjelljen krerët tanë të cilët, edhe sikur këtu të bëhet qameti, të përfshihemi në krizë ekonomike, apo, qoftëlarg!, edhe në luftë civile, nuk kanë për të pranuar të vetëlargohen, d.m.th të bëhen kurban, si u bë Berluskoni apo Papandreu?
***
Kam frikë se kjo është vetëm një demagogji e stisur, e dalë boje, një foto e parë dhe e stërpërdorur, d.m.th një përpjekje vulgare për të larë edhe njëherë tjetër sahanët e vjetër të politikës dhe gojën e prishur të krerëve para qytetarëve dhe ndërkombëtarëve. Mjaftoi një vizitë e Berishës në Maqedoni, një panair i librit në Tiranë, mbledhja e lartpërmendur e Bashkisë së Tiranës, më pas edhe një paraqitje rutinë e qeverisë së Berishës para ekraneve të vendit, ku së fundi u hodh ideja kryeministrore për ngritjen e një monumenti madhështor për 100-vjetorin e Pavarësisë, që të rindizeshin urat e zjarrit, të hidhepritjes e të sherrit me, dhe për të kaluarën, herë të largët e herë të afërt, sipas rastit dhe nevojës për të bërë sa më helaq “armikun”. Kurbani i Bashës te dera e Bashkisë është një simbol fetar e bestyt, ndërsa kurbani i përditshëm i Fjalës në ekran-ankandet e Tiranës është një katrahurë jo vetëm politike, por më së shumti morale.
Që Berisha e ka të pamundur të shkëpusë politikëbërjen e vet nga biografitë, nga sulmet personale me mjetet dhe armët tipike të luftës së klasave, ku e kaluara, biografia dhe origjina e çdo njeriu që del kundër ishte dhe ende është patenta e lartësimit apo e rrënimit, kjo, besoj, nuk ka nevojë të vërtetohet. Nëse gungaçin vetëm varri mund ta drejtojë, kryeministrin aktual nga kjo lloj politikëbërje me ish e me ç’ke pas qenë e kush je, nuk e largon as vota, as zgjedhjet dhe as thirrja e përsëritur e ndërkombëtarëve “për të lënë mënjanë të kaluarën në dobi të së ardhmes”…Sepse ai e di fort mirë që për të sunduar, për të bërë zap vartësit dhe kundërshtarët nuk ka tjetër rrugë veçse përdorimi i armëve propagandistike në luftën e re të klasave, duke ia kundërvënë të shkuarën së sotmes dhe të ardhmes, pasi vetëm kështu ai beson se mund të jetë efektiv, i suksesshëm, i paprekshëm, duke ndyrë, përbaltur, poshtëruar, shkelur, nënshtruar, thyer dhe më pas edhe asgjësuar rivalët…Më këtë taktikë Berisha ka provuar se jo vetëm e merr, por dhe e mban gjatë pushtetin. Sigurisht jo duke mirëqeverisur, as duke ndërtuar vizione e alternativa të reja, as duke bërë kompromise dhe marrëveshje me frymë demokratike, por duke trembur, kërcënuar e luftuar natë e ditë me “shakujt e erës” dhe fantazmat e kundërshtarëve të tij…
Prandaj është e kotë që prej Berishës të shpresohet një tjetër fytyrë, apo një “frymë” e re, demokratike e paqesjellëse...Kjo “tjetër frymë” do të thotë të na shfaqet një Berishë i klonuar që nuk ka asnjë gjasë të ekzistojë e aq më pak të gjallojë politikisht. Ashtu si diktaturat komuniste, të cilat e dinin që po të hapeshin do të shembeshin, edhe Berisha, po u zbut, po u zbyth, po i zgjati dorën kundërshtarit, do të ikë nga pushteti. Sepse me staturën që ka krijuar në këto 20 vjet, me ulje-ngritjet e thikta e pindarike, me agresivitetin që e transmeton përherë jo si mençuri, por si forcë, si besim, si qëndrueshmëri e pathyeshmëri, ai kujton dhe sinqerisht beson që po u zbyth do të ngjajë i falimentuar, i dobët, i flashkët, gjë që ka për të zhgënjyer mercenarët, të cilët do ta braktisin të parët, sigurisht nëse do të kuptohet që Berisha po sillet si një i dorëzuar, i mposhtur, d.m.th i dështuar. Jo rastësisht ai me cilësorët e mësipërm përcakton rrjedhën e marrëveshjes e të kompromisit me kundërshtarët, prandaj është e kotë të shpresohet tjetër vizion prej një politikani që fitoren dhe humbjen, nderin dhe poshtërimin i ka hedhur si bast në betejën mes dy bajlozësh që luftojnë për jetë a vdekje…
Në këtë kuptim nuk ia vlen të hamendësohet nëse do të ndryshojë ose jo Berisha, por sa janë të infektuar me këtë lloj politike konfliktuale, sherrmbjellëse, zjarrndezëse e të ngjizur me armët e ndryshkura të së kaluarës dy bashkëpunëtorët e tij më të ngushtë, pasardhësit e hëpërhëshëm të tij, Topalli dhe Basha, si dhe gjithë piramida e partisë së tij, madje edhe partitë e tjera, n’daç edhe ato opozitare të rreshtuara kundër tij. Nuk duhet mohuar që koha për ne, falë politikës së zbatuar nga Berisha në këto njëzet vite tranzicion, vazhdon t’i mbajë sytë më shumë prapa, te e kaluara, se përpara, te e ardhmja. Kthimi i kohës prapa tanimë është bërë një normë gjithëpërfshirëse për mbijetesë jo vetëm në politikë, po edhe në moral, edhe në kulturë, edhe në art, ku vetshpallen përditë disidentë dhe antikomunistë, për të fituar ndere e favore për të ardhmen…
Besoj se Topalli, edhe pse ka më pak vite në politikë se Berisha, edhe pse nuk ka qenë asnjëherë gjenerator numër një i politikës, ashtu si e ka ndërtuar deri më sot profilin e vet, do ta ketë të pamundur që, nëse rastësia do ta ulë nesër në karrigen e Berishës, të verë sadopak pudër në maskën e vet për t’u shfaqur më paqësore e më bashkëpunuese me shoqërinë dhe opozitën, d.m.th të sjellë një frymë të re, “me vështrim përpara”…Topalli nuk ka aq kulturë dhe vetëdije sa ta kuptojë se, edhe në politikë, si në natyrë, nuk mund të transformohesh një ditë të bukur nga skifter në pëllumb, nga tigër në mace. Krejt ndryshe nga Topalli duket sikur Basha, jo vetëm prej buzëqeshjes “organike”, por edhe prej fushatës që kreu në Tiranë, prej daljeve të shpeshta në publik e sidomos prej qëndrimit që ka mbajtur në dy mbledhjet e Këshillit bashkiak të Tiranës, ka vendosur (ose është udhëzuar, por kjo ka pak rëndësi!) të mbjellë një tjetër profil, një tjetër fytyrë, shumë më paqësore, të butë e më bashkëpunuese se sa Berisha dhe Topalli, duke mos ngurruar të na ushqejë me thirrjen-refren: “Le të shohim përpara!”

***
Padyshim, ky është investim i qëllimtë për të ardhmen e Bashës. Sigurisht, kryebashkiaku, qoftë edhe “i emëruar”, nuk mund të distancohet prerë dhe shpejt nga “vështrimi prapa” i Berishës dhe i Topallit, aq më pak i militantëve të PD-së që në 100 ditët e para të kryeqeverisjes së kryeqytetit, të cilët bënë të pamundurën për ta vënë në atë post. Por ajo që vlen të diskutohet është: a i ka vënë ky rishtar vetes një qëllim e synim të tillë politik, apo mos është një truk, më tepër se një taktikë, që do të thotë se ai nuk e ka seriozisht kërkesën për “vështrim para”?
Deri tani flet qartë vetëm fakti që thirrjen “le të shohim para”, Basha e përdor kur i kërkohet llogari për gjyqin e mbetur pezull të rrugës Durrës-Kukës, të vrasjeve para kryeministrisë, të planit urbanistik të hedhur poshtë, edhe pse për të janë shpenzuar mbi dy milion dollarë, për projektin e xhamisë ku gjithashtu janë djegur mbi treqind mijë dollarë, për sheshin Skënderbej ku së fundi janë hedhur në erë disa miliona euro…Kjo të bën të dyshosh se Basha po përdor thirrjen “të shohim para” jo për të sjellë një fytyrë e frymë të re në politikë, një “kohë për ndryshim”, por për të fshehur duart dhe fytyrën e vet me demagogji e aromë paqtimi.
Kjo të detyron të kesh pak shpresë dhe, pse jo, edhe pak besim për kërkesën e tij të ‘sinqertë’, aq të përsëritur, që edhe ne, taksapaguesit e bindur duhet të vështrojmë vetëm përpara!

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›