E Diel, 1 Nëntor 2026

“Luarasi”, institucionalizmi flet me gjuhën e fakteve!

Në hyrje të viteve ‘90, “Komisioni i Venecias”, në një takim special, trajtonte problematikën e vendeve që po linin pas sistemin komunist dhe po hynin në udhën e transformimeve demokratike. “Imperativi” ishte “Demokracia përmes Ligjit”! Në atë konferencë ndodhej, për fatin e tij dhe të vendit tonë, edhe një përfaqësues i Shqipërisë, Prof. Dr. Aleks Luarasi; njeriu i heshtur i fjalës së zgjedhur dhe që e qëndis atë; personaliteti që mendimin e ka të mbushur me ide, thjesht treguar, por se duhet të jesh i kujdesshëm për të kuptuar nëntekstin që të shpie të shikosh larg, të kuptosh horizontin dhe jo të matesh tek “gardhi” i shtëpisë tënde. E digjte cigaren ato ditë profesori pushimeve të konferencës dhe mendohej thellë, duke mbërritur në përfundimin se Shqipëria postdiktatoriale, që të ndërtonte “Demokracinë përmes Ligjit”, lypsej të edukonte një antropologji me edukatën ligjore si themel. Kërkohej të ndërtoheshin hap pas hapi me akademizëm të çideologjizuar dhe bazuar në një të drejtë ndryshe, Europiane e Ndërkombëtare, sepse sfida jonë ishte e dyfishtë. Po hynim në rrugën e vështirë të lënies pas të sistemit të djeshëm totalitar, dhe duhej në të njëjtën kohë që, përballë hapjes me botën të përballonim sfidat si një shoqëri demokratike “fragile”, në kushtet e globalizmit që nuk është shumë bujar me vendet e vogla, të prapambetura dhe pa “këllqe” në ndeshjet me sfidat e tregut të lirë. Profesor Luarasi, gjykoi asokohe se ndërgjegjja juridike e munguar tek popullata ishte një minus i madh, ndaj pa ndërtimin e saj, falë akademizmit universitar, do të ishte e pamundur të ndërtohej një administratë moderne me impakt të gjerë, që do t’i jepte shtysë zhvillimit real, duke pasur si autoritet ligjin, rregullin, dokumentacionin dhe autoritetin kushtetues. Ajo konferencë e “Komisionit të Venecias”, ky forum institucional ku demokracia jep provimin për të bindur se sa funksionale është, kishte ngjizur në mendjen dhe egon e Profesor Aleks Luarasit që të ndërtonte një universitet krejt ndryshe, të bazuar tek tradita më e mirë, të ushqyer nga vlerat erudite, të administruar me korrektesën antiryshfet, një institucion-model të parametrave europiane të Arsimit të Lartë. Ditët ikën, muajt fluturuan, vitet u mbivendën mbi njëri-tjetrin në radhë për një. Ngjarja e shëmtuar e shitjes së tezës së provimit të Pranimit në Fakultetin Juridik të Universitet Publik, e tronditën profesorin, dhe ai shpërtheu së brendshmi me atë natyrën e tij karakteriale por të përmbajtur, duke thënë me vete “Mjaft më!” Dhe iku nga ajo godinë dhe ato auditore, me një ndjenjë pezmi dhe trishtimi, me një dhimbje që lidhej me përdhosjen e autoritetit të atij fakulteti, kur mendonte se atje kishin dhënë mësim, Dhimo Dhimo, Stavri Çeco, Luan Omari, Faik Ballanca, Arben Puto, Skënder Begeja etj., - njerëz me vlera, kompetentë të zotë, pedagogë seriozë me investime në gjithë jetën e tyre, modele të figurës së pastër, autorë tekstesh që nuk i rrëzoi dot koha, edhe kur ajo u çmend pas letrave dhe fletushkave shumëfaqëshe, që mbushën banakët e librarive si të ishin mallra konsumi të jetës së përditshme, e jo manuale të Kushtetutshmërisë dhe Ligjit. Kjo traditë duhet ruajtur! - Ky ishte betimi serioz që bëri Prof. Aleks Luarasi, dhe ashtu veproi: e themeloi universitetin “Luarasi”, fillimisht me një fakultet, atë të Drejtësisë, që u emërtua zyrtarisht me vendimin Nr. 611 të datës 11 shtator 2003, si: Shkolla e Lartë Universitare Private “Luarasi”.
Ky emër fshati kishte brenda shumë histori, që nga Petro Nini Luarasi, i cili kishte bërë betimin e jetës që edhe sikur 99 vjet të biem, 99 herë duhet të ngrihemi, për të mos humbur gjuha jonë shqipe. Ishte lidhur me atë emër fshati, Skënder Luarasi, luftëtari i Luftës Civile në Spanjë, studiuesi dhe përkthyesi i kryeveprave të letërsisë botërore, ai që guxoi t’i thoshte diktatorit Enver Hoxha se, lëvizja e Haxhi Qamilit ishte një lëvizje rebele që donte të rikthente sundimin e Sulltanit në Shqipëri, dhe nuk ishte një lëvizje popullore si edhe rrekej zoti Hoxha aso kohe ta “argumentonte”, bashkë me shpurën servile të pseudohistorianëve që shitën shpirtin tek propaganda. Nga ai fshat kishte qenë Kristo Frashëri, patrioti rilindës dhe intelektuali që ishte i besuar për ndershmërinë e tij edhe nga Princ Vidi, ai që ndërtoi një shtypshkronjë, dhe nga ai linotype doli me germa shqipe edhe një studim monumental i dijetarit Mehdi Frashëri, me rastin e 60-vjetorit të Lidhjes së Prizrenit. Shumë personalitete të artit, arkitekturës, shkencave ekzakte, kulturës, teatrit, dolën nga ai fshat “i vogël - i madh” që kontribuuan dhe kontribuojnë për zhvillimin e përparimin e vendit. Ndaj emri “Luarasi” nuk ishte një “njollë e bardhë” e emrit familjar, porse një gjurmë e identitetit historik të vendit. Një praktikë e tillë është e takuar edhe gjetiu. Vinçi, fjala vjen, mbiemri i Leonardos së madh, ishte emri i fshatit të tij të origjinës. La Scala, është mbiemri i një gruaje plakë që fali tokën për të ndërtuar godinën madhështore të Operas së Milanos.
Orientimi i dytë bazë në kombinim me traditën, ishte qysh në themelim mendimi i përparuar shkencor, produkt i studimeve serioze brenda dhe jashtë vendit. Është për këto arsye që universiteti “Luarasi”, qysh në hapat e tij nistorë u ndërtua si një institucion elitar. Studentët u përzgjodhën mbi bazën e notës mesatare të shkollës së mesme mbi 8,5, dhe në një numër të caktuar, duke respektuar kapacitetet e akomodimit, klasat me jo më shumë se 40 studentë në salla leksioni, dhe 20 studentë në auditoret e seminareve. Pedagogët e përfshirë në stafin akademik, ishin personalitete të Jurisprudencës me karrierë të gjatë në sistemin e drejtësisë dhe të mësimdhënies universitare, autor tekstesh, përfaqësues dinjitozë të brezave më të rinj të akademizmit universitar, individë me ambicie pozitive që i kishin vënë vetes detyrë për të ndërtuar një karrierë serioze, mbështetur në investime afatgjata dhe bazuar tek puna studimore e kërkimore. Ja përse sot nga lartësia e 10 viteve, tingëllon kuptimplote ajo që u shkruajt në ditën e inaugurimit të Universitetit “Luarasi”: “Ne vlerësojmë traditën, kuptojmë të tashmen, përgatisim të ardhmen!”
* * *
Universiteti “Luarasi”, familja jonë e përbashkët, e studentëve në vite dhe jo pak, por 900 Alumni, prej të cilëve, 35 kanë ekuivalentuar diplomat dhe vijojnë studimet Master në SHBA, e rreth 100 studentëve që kanë vazhduar studimet MA në vende të ndryshme të BE; e pedagogëve të brendshëm dhe të jashtëm, e lektorëve profesionalë në auditoret e hapura, të huaj dhe vendës, mbush 10 vjet. Një dekadë nuk është shumë në jetën e një institucioni të Arsimit të Lartë, por është e rëndësishme se si janë vendosur gurët e themelit, cilat janë tiparet dhe ambiciet, energjia dhe motivimi. Kuptimi mbi jetën akademike dhe kohën e saj ka një relativitet pozitiv, sepse nëse pedagogët që lektrojnë në auditoret e tij, kanë një eksperiencë pune disadekadëshe, atëherë mosha e universitetit zgjerohet duke kaluar cakun e dekadës së parë. Nëse tekstet mësimore, literatura e rekomanduar, cyllabuset, kurrikulat, zbresin poshtë në histori me vite, dekada, e problematika historike institucionale shekullore, atëherë, mosha reale e universitetit është diçka tjetër dhe jo dhjetë vite si edhe është datimi zyrtar. Nëse ne me punën mësimore dhe atë të kërkimit shkencor, përshpejtojmë ritmin duke lënë pas dijet e vjetruara, qofshin ato dhe shkencore, e përfshihemi në atë që sot quhet në rangun botëror “Revolucioni Kurrikular” - si sfidë globale me qëllim sjelljen në auditore të mendimit më të ri të përparuar, të dijeve që përthithin në diskutim problematika të mprehta, si dhe dijen europiane të standardizuar, pikësynimi ynë real që preket çdo ditë falë investimit, është krijimi i trinomit të gjithëtakuar në vendet e zhvilluara: Dije të thella të qëndrueshme me një kombinim në prerje shumëfushësie shkencore -Kompetencë profesionale në metodologji dhe kreativitet shkencor e aplikativ - Aftësi praktike për t’u orientuar në tregun e punës dhe në ndërtimin deri të aktiviteteve të pavarura, falë vetëpunësimit. Pedagogët e universitet “Luarasi”, Dr. Përparim Kabo dhe MA shkencor Elda Zotaj, janë iniciatorët e së parës konferencë me dimensione ndërkombëtare me temë: “Revolucioni Kurrikular” - një sfidë globale, realitete e përqasje në Arsimin tonë të Lartë. Kësaj konference iu bashkuan Prof.Dr Nikoleta Mita, Prof.Dr Adrian Civici, Prof.Dr Aleksandër Xhuvani, Prof.Dr Artan Boriçi, Prof Associuar. Dr Juliana Latifi. Dr.Suela Mëneri, Prof Dr. Jean Faucher, Prof. Vito Antonio STIGLIANI. Ky është një projekt i IISI - Instituti i Informimit të Studimeve të Integruara & Fondacionit Soros, që do të vijojë me dy faza të tjera, studimin në terren për metodologjinë në Arsimin e Lartë (deri tani janë intervistuar me formularë rreth 2000 studentë në universitete publike dhe private) dhe përmbyllja do të jetë një Konferencë Ndërkombëtare, që do të parashtrojë fizibilitetin e ecurisë së Arsimit të Lartë në Shqipëri në dy-tri dekadat e ardhshme.
Ne “anëtarët e familjes institucionale” të universitetit “Luarasi” jemi seriozë, sepse punojmë me profesionistë dhe jo me amatorë. Ne jemi kompetitivë sepse në treg konkurrojmë me vlera dhe jo thjesht me diploma të lëshuara si “indulgjenca” të kohëve moderne, që vetëm për dije të fituara falë investimit nuk dëshmojnë. Ne jemi të sigurt në atë që bëjmë, sepse kemi motive të qëndrueshme të bazuara tek puna e motivuar me fokusin “studenti në qendër”, si ai që ndjek studimet, edhe ai që i ka përfunduar dhe është tashmë i organizuar në rrjetin Alumni. Prej disa vitesh tek ky institucion është organizuar e funksionon “Grupi i studentëve të mendimi të përparuar”, një njësi kjo që nën drejtimin e Qendrës së Kërkimit Shkencor pranë universitetit “Luarasi”, ndërmerr aktivitete serioze për zgjerimin e dijeve dhe realizimin e punimeve në terren, duke rekomanduar mendimin alternativ. Për këtë vit është në draft-projekt studimi me argument bazë: “Drejtësia në Shqipëri në 10 vitet e ardhshme”! Ambasadori i BE-së në Tiranë, zoti Etore Sekui e vlerësoi tej mase iniciativën tonë për ndërtimin e mendimit alternativ me aspirantët e rinj, kur ai vizitoi dhe lektroi tek universiteti “Luarasi” gjatë këtij viti.
Ne kemi forcë krijuese dhe besojmë në idetë e përparuara. Ne kemi të ardhme, sepse shikojmë larg me strategji të bazuara dhe përpiqemi çdo ditë në realizmin e objektivave. Ne jemi të besueshëm, sepse studentët e “Luarasit” janë të suksesshëm në tregun e punës, duke siguruar kështu një bonus për brezat që do të vijnë. Ne jemi pjesë reale e ZEAL - Zonës Europiane të Arsimit të Lartë, sepse studentët tanë po përfundojnë jo vetëm studimet MA, por edhe Doktoratura jashtë Shqipërisë, pa asnjë provim shtesë. Ne jemi proaktivë shoqërorë, sepse shumë nga punimet shkencore më në zë, librat dhe tekstet mësimore universitare në qarkullim, janë të autorëve që lektrojnë në auditoret e “Luarasit”. Pas një studimi dyvjeçar, “Qendra e Kërkimit Shkencor” e universitetit “Luarasi”, si partnere e Universitetit të Pavias dhe pjesë e një rrjeti global universitetesh, përfundoi studimin në lidhje me problematikën e mprehtë të mbrojtjes së konsumatorit nga ushqimet e falsifikuara, përmes një legjislacioni të fortë, dhe e paraqiti në një Konferencë Ndërkombëtare, mbajtur në ambientet e Universitetit të Pavias në prill 2012. Ne jemi ata që besojmë se Sistemi i Drejtësisë në Shqipëri do të përmirësohet dhe do të kryejë edhe më mirë rolin që i takon si pushtet në shoqërinë liberal-demokratike dhe për këtë japim si garant, aftësitë tona, integritetin dhe dijet tona, por edhe vendosmërinë që hap pas hapi, çdo gjë ta bëjmë më mirë, me më shumë korrektesë e seriozitet, në respekt të ligjit, me autoritetin e ligjit, me barazinë e qytetarëve përpara ligjit. Për herë të parë në vendin tonë, universiteti “Luarasi”, në bashkëpunim me Lidhjen e Gjyqtarëve të Shqipërisë dhe në bashkëpunim me Gjykatën e Strasburgut, organizuan Konferencën Ndërkombëtare mbi Sistemin e Drejtësisë në Shqipëri, duke përvijuar drejtimet e kurimit të gjendjes si legjislacion, si procedurë, si administrim dhe si luftë kundër informalitetit e korrupsionit. Ne jemi jo thjesht një pjesë e historisë, por vetë historia, sepse e duam shkencën, e duam zhvillimin, e duam evropianizimin, dhe përpiqemi me modesti dhe me përkushtim çdo ditë, pasi atdheu është për ne dashuria që nuk ndërrohet. Ne jemi studentët dhe pedagogët e “Luarasit”, gjeneratat e juristëve të rinj dhe shkencëtarët e studiuesit skrupulozë e dinjitozë, që themi me gojën plot: Ne jemi këtu për të mësuar, ne dimë ta bëjmë këtë shumë mirë dhe historia jonë 10-vjeçare e ka provuar këtë. Nuk është e rastit që vetëm studentë të “Luarasit” kanë mbërritur të futen falë konkurrimit në “Shkollën e Magjistraturës” dhe ata janë: Elca Ulliri nga një fshat i Fushë-Krujës, dhe Sokol Shehaj nga Gjirokastra. Të dy këta ish-studentë të “Luarasit” janë aktualisht gjyqtarë. Ne flasim me gjuhën e fakteve dhe realiteti ynë është dëshmitar për secilin që ka një ëndërr për një të ardhme më të mirë. Mbi afro 80% të studentëve tanë të diplomuar janë punësuar në sektorin publik, privat, profesione të lira dhe si të vetëpunësuar. Ne jemi një familje e madhe institucionale, që ka marrë një përshpejtim ritmi në këto dy vitet e fundit qëkur institucioni drejtohet nga “Focus Grup”, që ka në krye zotërinjtë Artan Santo dhe Irfan Hysenbelliu. Prof.Dr Aleks Luarasi është tashmë Rektor Nderi i universitetit “Luarasi”.
Po zgjerohet struktura institucionale, duke qenë se nga viti akademik 2012-2013 është hapur dhe Fakulteti Ekonomik me disa degë, me nivel “Bachelor” ( me tarifa shkollimi shtetërore) dhe niveli MA shkencor e MA profesional. Dekan nderi në këtë fakultet është Prof Roberto Ruozi, ish-rektor i Universitetit Boconi në Milano. Universiteti “Luarasi” po hedh hapa të sigurt. Ai nuk rreket për të bërë “kozmetikë”. Çdo gjë është e studiuar me principe të qarta, me objektiva të matshëm, me alternativa plurale, me modele të krahasuara, me standarde që bazohen rigorozisht në “Ligjin për Arsimin e Lartë” në Republikën e Shqipërisë, dhe në “Standardet shtetërore të Cilësisë”, në strategji të përputhura me parimet e procesit të Bolonjizimit të Arsimit të Lartë në vendin tonë. Kur universiteti “Luarasi” hapi dyert 10 vite të shkuara, pikërisht në atë kohë, vendi ynë në Konferencën e Berlinit u anëtarësua në procesin e Bolonjës. Në këtë kuptim ky dhjetëvjetor është kohë e mjaftueshme edhe në kuptimin e prognozave shkencore, që të bëhet bilanci i nevojshëm dhe i besueshëm. I pari universitet i akredituar në Shqipëri, që në këto dy vitet e fundit përmbylli dhe akreditimin e nivelit MA shkencor e profesional, pa asnjë vërejtje, duke manifestuar seriozitet, përqendrim në punë për të mbrojtur nga gërryerja e tregut të pakontrolluar, ku kanë gjalluar pa kriter rreth 55 universitete private, mësimdhënien serioze, punën e pavarur shkencore, intershipin real dhe në profesion, raportet me partnerë vendës dhe të huaj nga fusha e akademizmit dhe biznesit, marrëdhënie funksionale më faktorë relevantë të kulturës juridike, ekonomike e të fushave të tjera. Profesorë të huaj, nga Europa dhe nga SHBA, janë prezentë në auditoret tona, në kohë të pjesshme, por dhe në kohë të gjatë, si edhe ishte profesori amerikan Robert Bramer, që qëndroi një vit akademik. (autori i këtyre rreshtave pati fatin të ndante zyrën një vit akademik me atë njeri serioz dhe mendjehapur. Sa për dijeni, z.Bramer ishte gjatë asaj kohe dhe kryetar i delegacionit amerikan të Komitetit të Helsinkit në SHBA, në mbikëqyrjen e zgjedhjeve të radhës në Mal të Zi.) Rritja dhe qëndrueshmëria ecin paralel në punën tonë, e cila do tri elemente: dashuri-dashuri-dashuri. Por për çfarë? Për studentin, për shkencën, për rregullin dhe ligjin, për arsimin si çimento e shoqërisë. Në këtë dekadë të parë të jetës dhe aktivitetit, ne e themi pa mëdyshje se jemi një familje e madhe institucionale, me një shtrirje të gjerë gjeografike e institucionale. “Ekuatori” është auditori i mësimit. Atje fillon dhe përfundon misioni ynë si mësimdhënës. Jashtë tij mund të takosh gjithçka, por se jo dije, kulturë, erudicion dhe dituri akademike. “Paralelet e meridianët”, sa realë, aq edhe virtualë, zgjerohen çdo ditë. Nëse në Gjykatën e Strasburgut gjen edhe një gjyqtarë shqiptarë, si zoti Kristaq Traja, ish-rektor tek universiteti “Luarasi”, atëherë familja jonë institucionale është dhe atje, në atë Gjykatë. Nëse që nga fillimi tek “Luarasi” lektron, drejton seminare e udhëheq tema diplomash, ish-gjyqtari në Gjykatën Kushtetuese, aktualisht kreu i Gjykatës së Lartë në RSH, Prof. Dr. Xhezair Zaganjori, atëherë familja jonë institucionale është dhe në këto institucione. Nëse studentët që kanë përfunduar studimet tek “Luarasi”, punojnë në Ministrinë e Drejtësisë, Ministrinë e Mbrojtjes, Kulturës, të Financave, të Inovacionit e Teknologjisë, në Ministrinë e Integrimit, në Kuvendin e Shqipërisë, në Gjykatën e Shkallës së Parë, në Zyrën e Tatim- Taksave, në Bashkitë e Tiranës, Elbasanit, Korçës etj., në CEZ, në studiot juridike “Kalo”, “Haxhia”, “Ngjela”, “Braka”, “Zaka”, “Pustina”, “Hakani” etj., etj., atëherë ne kemi të drejtë të themi larg çdo modestie të panevojshme, se atje është edhe familja jonë institucionale. Nëse merr në dorë revistën shkencore, me një bord të përzgjedhur drejtues, autoritetesh brenda dhe jashtë vendit, titulluar: “MENDIMI” - studime në jurisprudencë & ekonomi, ku botohen punime serioze nga autorë vendës e të huaj dhe publikohen edhe punime të studentëve tanë që vijojnë studimet apo i kanë përfunduar ato; atëherë ne kemi të drejtë të themi se në faqet e këtij mediumi, është dhe familja jonë e madhe institucionale që quhet universiteti “Luarasi”! Nëse disa nga ish-studentët tanë janë sot pedagogë në universitetin “Luarasi” dhe në Universitetin e Durrësit “Aleksandër Moisiu”, apo në Elbasan, Shkodër, Vlorë, qoftë edhe si pedagogë me kohë të pjesshme, kjo tregon me gjuhën e pakundërshtueshme të fakteve se, familja jonë e madhe me emrin e nderuar universiteti “Luarasi” është dhe atje, në ato auditore ku jepet dije dhe mësohen shkencat! Nëse pedagogë të “Luarasit” janë studiues skrupulozë shumëvjeçarë, në fusha të së drejtës, si në të drejtën kushtetuese, atë civile, administrative, penale; apo të procedurave respektive, si edhe janë personalitetet Sokol Sadushi (aktualisht rektor i universitetit), Kristaq Traja, Valentina Kondili, Ylvi Myrtja, Spiro Spiro, Perikli Polloshi, Arta Mandro, Marjana Semini, Elca Dobiani, Irakli Koçollari, Sokol Berberi etj., atëherë është e drejta jonë që të themi me zë të plotë se familja jonë institucionale është prezente me dinjitet edhe atje tek ato studime themelore. Nëse pedagogë të “Luarasit”, falë punës së tyre me pasion dhe durim, arrijnë të fusin në kurrikulat universitare me dinjitet dhe profesionalizëm, lëndë mësimore që nuk janë zhvilluar më parë, por se ato janë në kurrikulat e universiteteve më të mira në botë, (futja e lëndës së Antropologjisë social-juridike në dyfushësi me Globalizmin, nga autori i këtyre radhëve - PK), atëherë ne kemi argumentin që nuk tërhiqet pas, për të thënë se atje është dhe familja jonë institucionale. Nëse pedagogë të “Luarasit” janë specialistë të lartë, të specializuar brenda dhe jashtë vendit, për akreditimin në Arsimin e Lartë, dhe që me fakte kanë treguar se nuk kanë firmosur akreditimin atje ku kanë gjetur shkelje ligjore dhe veprime anti-arsim, duke marrë mbi shpinë kosto jo të vogla; atëherë bazuar në këtë kompetencë, kurajë civile e profesionale; kemi të drejtë të themi sërish me gjuhën e fakteve, se familja jonë e madhe dhe serioze, institucionale, akademike dhe mësimdhënëse me emrin e njohur tashmë brenda dhe jashtë vendit, universiteti “Luarasi”, është dhe atje! Në prag të hyrjes së dhjetëvjeçarit tonë të dytë dhe vitit të ri akademik 2013-2014, fjalët tona, të thjeshta, por serioze e të sinqerta, janë: Dyert tona janë të hapura. Mirë se vini në një Shkollë të Arsimit të Lartë si universiteti “Luarasi”, që të ndihmon të ndërtosh të ardhmen duke ta ushqyer mendjen me dije.
* (Shënim: Dr. Përparim Kabo është lektor dhe drejtues i Qendrës së Kërkimit Shkencor në universitetin “Luarasi” që nga viti 2006)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›