E Diel, 1 Nëntor 2026

“Opozita duhet të pranojë rezultatet e zgjedhjeve dhe të hyjë në Parlament”

Ambasadorja e Francës në Tiranë, Maryse Daviet, deklaron se Shqipëria e ka derën të hapur për liberalizimin e vizave dhe marrjen e statusit të vendit kandidat në Bashkimin Europian. Në një intervistë për gazetën “Shqip” kryediplomatja franceze në Tiranë tha se Franca mbështet plotësisht përpjekjet e Shqipërisë me synim integrimin e saj në Bashkimin Europian.
Teksa i referohet situatës paszgjedhore në Shqipëri dhe konkretisht bojkotit të opozitës, Daviet ju rikthehet deklaratave të zyrtarit francez, Lellouche, të bëra në Tiranë më 11 dhjetor duke konstatuar se zgjedhjet janë pranuar ligjërisht nga opozita dhe janë certifikuar nga raporti i OSBE/ODIHR-it. “Opozita duhet të pranojë rezultatet e zgjedhjeve dhe të hyjë në Parlament si në të gjitha vendet demokratike”, kërkon ambasadorja. Diplomatja këmbëngul se klasa politike shqiptare duhet të përqendrojë përpjekjet e veta në Parlament për të përballuar së bashku dhe me sukses sfidën e mrekullueshme të integrimit europian. Në vlerësimin e ambasadores, demokracia parlamentare shqiptare ka nevojë për një opozitë të fortë në Parlament, e cila të luajë plotësisht rolin e saj, duke propozuar dhe kontribuar në procesin e integrimit europian të vendit.
Zonja ambasadore, Shqipëria sapo la pas një vit i cili solli shumë zhvillime. Së pari, ishte anëtarësimi në Aleancën e Atlantikut të Veriut (NATO), më pas aplikimi për statusin e vendit kandidat në Bashkimin Europian dhe zgjedhjet parlamentare të 28 qershorit. Si i keni ndjekur këto ngjarje dhe cila është përshtypja juaj për to?
Franca e ka mbështetur fuqishëm hyrjen e Shqipërisë në NATO. Ju kujtoj se ceremonia e pranimit të Shqipërisë dhe Kroacisë ka koinciduar me festimin e 60-vjetorit të NATO-s, në Samitin e Strasburg/Kel të organizuar nga Gjermania dhe Franca së bashku.
Siç kanë deklaruar Presidenti i Republikës në fund të prillit, dhe sekretari i Shtetit për çështjet europiane në mesin e dhjetorit këtu në Tiranë, Franca mbështet plotësisht përpjekjet e Shqipërisë me synim integrimin e saj në Bashkimin Europian.
Pas hyrjes në fuqi të Traktatit të Lisbonës, sfida e stabilitetit të qëndrueshëm dhe e integrimit europian të këtij rajoni janë bërë një prioritet. Në vijim të zgjedhjeve të qershorit, CAGRE-ja (Këshilli i çështjeve të Përgjithshme dhe i Marrëdhënieve me Jashtë) më 16 nëntor i ka përcjellë Komisionit Europian kërkesën e Shqipërisë për statusin e vendit kandidat, me mbështetjen e të gjitha shteteve anëtare, një nga të cilat është edhe Franca. Kjo është një etapë e rëndësishme e procesit të integrimit të Shqipërisë në BE.
Së fundi, vendi im e vlerëson në mënyrë të veçantë rolin moderator dhe politikën konstruktive të Shqipërisë në një rajon të sapodalë nga konfliktet dhe tensionet. Dy vendet tona ndajnë të njëjtin synim në lidhje me stabilizimin e rajonit dhe orientimin e tij drejt të ardhmes europiane.
Cili është mendimi juaj në lidhje me bojkotin e Kuvendit nga opozita dhe me kërkesat e saj?
Po ju kujtoj deklaratat e Z. Lellouche të bëra në Tiranë më 11 dhjetor gjatë vizitës së tij, dhe të BE-së, Komisionit Europian dhe të OSBE-së. Zgjedhjet janë pranuar ligjërisht nga opozita dhe janë certifikuar nga raporti i OSBE/ODIHR-it. Opozita duhet të pranojë rezultatet e zgjedhjeve dhe të hyjë në Parlament si në të gjitha vendet demokratike.
Pas raportit të OSBE/ODIHR-it, 27 shtetet anëtare të BE-së i kanë dërguar në nëntor Komisionit Europian për avis (opinion) kërkesën e Shqipërisë në lidhje me statusin e kandidatit.
Klasa politike shqiptare duhet të përqendrojë përpjekjet e veta në Parlament për të përballuar së bashku dhe me sukses sfidën e mrekullueshme të integrimit europian. Demokracia parlamentare shqiptare ka nevojë për një opozitë të fortë në Parlament, e cila të luajë plotësisht rolin e saj duke propozuar dhe kontribuar në procesin e integrimit europian të vendit.
Zonja ambasadore, Shqipëria nuk u përfshi në vendimin për tri vendet e Ballkanit (Serbi, Maqedoni dhe Mali i Zi) për heqjen e regjimit të vizave shengen. A do të arrijnë të lëvizin edhe shqiptarët pa viza brenda gjashtëmujorit të parë të këtij viti të ri?
Procedura e liberalizimit të vizave është rezultat vetëm i respektimit të kritereve teknike nga secili nga vendet e interesuar: siguria në pikat kufitare, siguria e dokumenteve të udhëtimit dhe e lëshimit të tyre.
Vendimi për liberalizimin e vizave për tri vendet e Ballkanit është një progres i rëndësishëm, të cilin Franca e ka mbështetur me forcë. Më 12 nëntor 2009, Parlamenti Europian është shprehur në favor të liberalizimit të vizave për të gjitha vendet e Ballkanit Perëndimor.
Njëra nga shtyllat kryesore të Europës sot është liria e lëvizjes. Për vendet europiane, të cilat nuk janë aktualisht anëtare të Bashkimit Europian, sidomos në rajonin e Ballkanit, ky është një element thelbësor për lidhjen e shoqërive të tyre, në veçanti të brezave të rinj, me hapësirën europiane dhe vlerat e saj.
Dera është e hapur që Shqipëria (dhe Bosnjë-Hercegovina) të mund të përfitojnë sapo të kenë plotësuar kriteret. Franca është e gatshme t’i japë Shqipërisë të gjithë asistencën e nevojshme për të përmbushur kriteret e fletë-udhëzuesit.
Tani Shqipërisë i duhet që arritjet e saj, sidomos në fushën e sigurisë së dokumenteve, t’i zbatojë në mënyrë konkrete dhe efektive në terren, pikërisht në fushën e sigurisë së kufijve dhe në forcimin e luftës kundër kriminalitetit të organizuar. Shqipëria i ka të gjitha mundësitë. Qeveria juaj punon për të realizuar këto objektiva sa më shpejt të jetë e mundur. Ekspertët e Komisionit Europian do të vlerësojnë në ditët e ardhshme shkallën e zbatimit të kritereve dhe do të hartojnë një raport, në bazë të të cilit Komisioni Europian do t’i propozojë këshillit një rekomandim për liberalizimin e vizave për Shqipërinë (dhe Bosnjë-Hercegovinën).
Komisioni Europian ka filluar përgatitjen e opinionit mbi aplikimin e Shqipërisë për statusin e vendit kandidat në Bashkimin Europian. Sa shanse kemi për të marrë këtë status dhe kur mendoni se do mund të ndodhë kjo?
Nuk ka asnjë dyshim, as për ne dhe as për partnerët tanë, që Shqipëria do t’i bashkohet BE-së. Presidenca spanjolle e BE-së dhe Kryeministri grek sapo e kanë konfirmuar këtë. Për sa i përket kohës që do të duhet, përgjigjja varet kryesisht nga vullneti dhe kapaciteti i reformave në Shqipëri, që do të thotë jo vetëm i qeverisë, por gjithashtu i opozitës dhe i të gjithë shqiptarëve. Nga kjo rrjedh rëndësia për opozitën që ajo të luajë plotësisht rolin e saj në Parlament dhe të japë kontributin e saj.
Komisioni Europian do të mbështesë opinionin e tij së pari mbi kriteret politike (Parlament, reforma për një drejtësi të pavarur dhe të përgjegjshme, respektimi i shtetit të së drejtës, lufta kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar). Zbatimi i marrëveshjes dypalëshe ka gjithashtu një rëndësi të veçantë. Qeveria shqiptare është e ndërgjegjshme për sfidën që duhet të përballojë dhe ka marrë masa në këtë drejtim. Ajo punon për të forcuar kapacitetet administrative të domosdoshme për të ecur përpara në procesin e integrimit.
Tani që etapa e transmetimit të kandidaturës është kaluar me sukses, Shqipëria duhet t’i përgjigjet me shumë kujdes pyetësorit që i është dorëzuar më 16 dhjetor nga kryetari i Delegacionit të BE-së në Tiranë. Dhe të vazhdojë punën me reformat.
A po i ndiqni zhvillimet ekonomike në Shqipëri dhe në çfarë niveli janë marrëdhëniet mes Francës dhe Shqipërisë në këtë aspekt?
Unë i ndjek me shumë vëmendje projektet e sipërmarrjeve franceze në Shqipëri. Për herë të parë që prej vitit 1990, eksporti francez drejt Shqipërisë është dyfishuar dhe importi është rritur me 25% në vitin 2009, me gjithë krizën botërore. ALEAT, pra SAGEM, dhe Fondi Shqiptaro-Amerikan i Ndërmarrjeve arriti të përballojë me sukses sfidën gati të pamundshme të pajisjes së shqiptarëve pa pasaporta me karta identiteti biometrike, në mënyrë që ata të mund të votonin në zgjedhjet e 28 qershorit 2009. Fakti që sipërmarrjet franceze, si dhe të huaja në përgjithësi, interesohen gjithnjë e më shumë për Shqipërinë është një sinjal pozitiv për vendin tuaj. Kjo i përgjigjet dëshirës së dy vendeve tona për të zhvilluar bashkëpunimin në të gjitha fushat.
Në një intervistë që kemi realizuar së bashku kohë më parë ju ngritët shqetësimin për çështjen e pronës në Shqipëri dhe ndikimin e saj mbi investimet e huaja. A shikoni të ketë ndryshuar ndonjë gjë në këtë drejtim zonja ambasadore?
Masat e fundit të marra nga qeveria dhe dy ligjet e miratuara nga Parlamenti në dhjetorin e vitit të kaluar shkojnë në drejtimin e duhur, por duhet të zbatohen dhe të plotësohen për t’iu përgjigjur më mirë nevojave të sipërmarrësve dhe të investitorëve shqiptarë dhe të huaj, në këtë rast europianë.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›