E Diel, 1 Nëntor 2026

Kryeministri garanton banorët e prekur se do të dëmshpërblehen: Deklaratat e opozitës, një imoralitet

Shefi i qeverisë, Sali Berisha, e konsideroi situatën në veri të vendit si në “buzë të katastrofës” dhe bëri thirrje për evakuim total të popullsisë në zonat ku ekziston rreziku i përmbytjeve. Në një konferencë për shtyp në mesditën e djeshme dhe në mbledhjen e qeverisë në orët e pasdites, Berisha theksoi se situata ishte realisht e kërcënueshme dhe shpëtimi i jetëve të njerëzve ishte prioriteti kryesor i qeverisë. Por, ndonëse Berisha dëgjoi raportimet e ministrave nga terreni për situatën, ai nuk i propozoi qeverisë shpalljen e gjendjes së jashtëzakonshme. Sipas tij, situata ndonëse është e vështirë, digat janë të sigurta dhe shkarkimet e ujit janë në kontroll. Kryeministri, në daljet e tij publike, i quajti të pamoralshme deklaratat e përfaqësuesve të opozitës për situatë alarmante në lidhje me digat, duke i konsideruar ato si përralla të personave me imagjinarë. Po kështu, Berisha garantoi të gjithë banorët e zonave të përmbytura se do të kompensohen qindarkë për qindarkë nga qeveria.
Situata
“Atje është i gjithë komitetit, i cili do të vlerësojë situatën dhe do t’i sugjerojnë qeverisë sot pasdite nëse do të marrin vendimin apo jo. Natyrisht, për të thënë atë që është, në buzë të saj jemi”, theksoi Berisha duke iu referuar shpalljes së gjendjes së jashtëzakonshme. Sipas tij, gjendja është realisht e rëndë dhe qeveria nuk mund të tolerojë humbjen e jetëve. “Ne e shohim që moti është i papërmbajtur, por ne duhet të bëjmë çdo gjë që të kursejmë jetën e njerëzve. Më pas, po të jetë e mundur, të kursejmë edhe çdo gjë të gjallë”, deklaroi Berisha. Sipas tij, gjendja e jashtëzakonshme do të shpallej vetëm atëherë kur të kishte nevojë për shpëtimin e jetës së njerëzve. Sipas Berishës, deri tani janë evakuuar 2600 familje dhe forcat e ushtrisë po vazhdojnë evakuimet e tjera. Kryeministri deklaroi se forcat e ushtrisë dhe policisë në zonë janë dyfishuar. Po kështu, Berisha i ftoi ministrat që të kenë kujdes të veçantë për sa i përket situatës së pas evakuimit të banorëve.
Opozita
Kryeministri Berisha i quajti të sëmurë ata persona të cilët sipas tij, për arsye politike po alarmojnë mbi gjendjen në Shkodër. Sipas tij, qyteti i Shkodrës nuk u përmbyt as në vitin 2004 kur shkarkimet e ujit nga hidrocentraleve ishin shumë më të mëdha se ato aktualet. “Situata e shkarkimeve në vitin 2004 për sa i përket shkarkimeve nga hidrocentralet ka qenë edhe më e madhe dhe qyteti ka mbetur i paprekur. Baçallëku ka qenë një zonë që u është nënshtuar përmbytjeve. Përrallat hapen apo nuk hapen portat janë të imagjinarëve të sëmurë”, deklaroi Berisha.
Dëmshpërblimi
Të gjithë banorët e zonave që janë prekur nga përmbytja do të dëmshpërblehen në çdo qindarkë për dëmet e shkaktuara. Ky ishte premtimi që bëri Kryeministri Berisha në dy daljet e tij publike ditën e djeshme. “Në mënyrë absolute, sa herë që të detyrohemi për të hapur portat banorët do të kompensohen qindarkë për qindarkë. Kjo është një qeveri që ka buxhetin, por sikur të mos kishte as edhe një qindarkë, të gjitha paratë e energjisë që po shitet do t’u kalojnë atyre”, deklaroi Berisha. Kryeministri gjeti rastin dje të deklarojë se qeveria nuk ishte si Bashkia e Tiranës, e cila nuk kompensoi financiarisht qytetarët nga hapja e portave të digës në Liqenin Artificial të Tiranës. “Nuk duhet të veprojmë si në rastin e Tiranës, që i lau dhe i shpëlau diga dhe s’u dha askush asnjë qindarkë”, ironizoi Berisha. Sipas tij, qeveria do të vepronte me përgjegjshmëri të plotë për sa i përket dëmshpërblimit financiar.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›