Ishin nisur në dhjetor për të dimëruar bagëtitë. Kërkuan ndihmë me telefon
Disa barinj të zonave të thella të Kukësit kanë mbetur të bllokuar nga vërshimi i ujërave në zonat e Lezhës. Mësohet se ata kanë udhëtuar një muaj më parë me bagëtitë e tyre për në zonat e ngrohta të bregdetit, për t’i shpëtuar dimrit të egër. Burime të komisionit të emergjencave civile në Kukës, të cilat u referohen burimeve zyrtare nga Lezha, konfirmojnë se barinjtë e Kukësit me rreth 10 mijë dele kanë mbetur të izoluar në stomet e kanaleve.
Barinjtë kanë telefonuar të afërmit e tyre dhe u kanë komunikuar të alarmuar se nga momenti në moment rrezikojnë të përfshihen nga uji. Mësohet se ata kanë shtegtuar nga fshatrat Buzëmadhe, Grykë-çajë etj., që në fillim të dhjetorit të vitit të kaluar dhe do të kthehen në fshatrat e tyre vetëm në pranverë. Kanë qenë vetë barinjtë, të cilët kanë njoftuar me celular të afërmit e tyre për ngjarjen dhe për këtë janë alarmuar komunat e origjinës, si dhe vetë shtabi i emergjencës në Prefekturën e Kukësit. Vetë prefekti Elez Maçi, së bashku me një grup ekspertësh, ka udhëtuar drejt zonave të përmbytura ku do të kontaktojnë me shtabet e menaxhimit të gjendjes për të asistuar nxjerrjen nga uji të barinjve dhe gjësë së gjallë dhe kthimin e tyre pranë familjeve.
Ndërkohë, situata e rënduar hidrike ka vënë në alarm edhe zonën malore të Kukësit, ku rrezikohet shembja e digave të ujëmbledhësve nëpër fshatra. Alarmi është dhënë ditët e fundit nga vetë drejtuesit e komunave të Qarkut të Kukësit ku ndodhen edhe veprat në fjalë. Prefekti i Kukësit, Elez Maçi, ka pohuar për gazetën “Shqip” se rezervuarët e ndërtuar si vepra për ujitjen e tokave, tani, me shkrirjen e dëborës dhe me reshjet e shiut, por fryhen tej mase duke paraqitur rrezik për shembjen e digave. Ai ka shtuar se disa prej këtyre ujëmbledhësve që shkojnë deri në gjysmë milioni metër kub ujë, nëse shpërthejnë përmbytin disa qindra shtëpi që ndodhen nën nivelin e tyre.