E Shtunë, 31 Tetor 2026

“Përkthimi” i 3 ligjeve

3 ligjet u miratuan, ama nuk u pa ndonjë debat që të hidhte dritë mbi brendinë e tyre. Muajt e kaluar, kudo ato identifikoheshin si “3 ligjet e famshme të integrimit”, por rrallë shkohej më tej në detaje. Gjithçka që dihej ishte se kishim të bënim me 2 projektligje dhe një projektrregullore.

Por në momentin që këto ligje e morën rrugën e tyre, është mirë të dihet përmbajtja e tyre, e thënë thjesht dhe kuptueshëm për çdo shqiptar, dhe mbi të gjitha ndikimi që do të kenë ato në jetën e tyre të përditshme.

Ligji i parë është ligji që do të ndryshojë “Ligjin për Gjykatën e Lartë”, i cili i takon vitit 2000. Ai do të pësojë një seri ndryshimesh. Por ndryshimi bazë do të jetë në kriteret dhe mënyrën e përzgjedhjes së anëtarëve (gjyqtarëve) të kësaj gjykate. Kjo përzgjedhje do të jetë shumë më strikte. Në qoftë se me ligjin ekzistues është Presidenti që i zgjedh anëtarët e Gjykatës së Lartë, tani do të jetë një procedurë e detajuar sa më transparente, e përqendruar në kritere profesionale. Krahas kritereve të përgjithshme që i japin çdo personi të drejtën për të konkurruar në këtë detyrë, janë shtuar edhe një sërë kriteresh mjaft specifike, të cilat kanë për qëllim promovimin e gjyqtarëve të karrierës dhe rritjen profesionale të kësaj gjykate, më e rëndësishmja në vend. Të gjitha këto nuk parashikoheshin në ligjin aktual.
Aktualisht Gjykata e Lartë gjykon me dy: Kolegjin Civil dhe Penal. Ndryshim tjetër që ndodh me miratimin e këtij ligji është edhe përfshirja e Kolegjit Administrativ brenda Gjykatës së Lartë.

Ligji i dytë i miratuar është “Ligji për statusin e nëpunësit civil”. Ligji i mëparshëm i takon vitit 1999. Ligji i miratuar në parlament është vërtet një nga ligjet e integrimit, sepse një nga kritikat që kemi dëgjuar që nga nënshkrimi i marrëveshjes së asocim-stabilizimit me BE-në, por edhe më herët, deri më sot i është drejtuar profesionalizmit, pavarësisë e administratës publike. Sepse është ajo që do të implementojë reformat. Ndryshimet që vijnë nga ky ligj janë të mëdha nga të gjitha aspektet, që nga metodat e përzgjedhjes ose rekrutimit, depolitizimit, kriteret shumë të qarta dhe të rrepta të përzgjedhjes, masat disiplinore, kualifikimet e të tjera. Ky ligj parashikon edhe krijimin e një shkolle më vete vetëm për trajnimin e këtyre nëpunësve të rinj, por edhe të nëpunësve të karrierës, duke e bërë formimin e vazhdueshëm të detyrueshëm.

E re tjetër e këtij ligji është edhe mënyra e rekrutimit të nëpunësve publikë në administratën shtetërore. Edhe nëse aplikon dhe nuk fiton, aplikanti mbetet në listat pritëse për dy vjet, nëse në konkurrim fiton mbi 70% të pikëve.

Projektakti i fundit i miratuar, lidhet me vendimin e Kuvendit për të miratuar ndryshimet e Rregullores së Kuvendit. Arsyeja e këtij akti si një prej ligjeve të integrimit është e paqartë dhe e pambështetur në kritere juridike, apo qoftë edhe politike. Do të kishte qenë më me vend që të ishte miratuar projektligji për Gjykatën Administrative, aq shumë i diskutuar në Kuvend, por edhe në media. Nëpërmjet vendimit të Kuvendit, Rregullorja pëson disa ndryshime, të cilat janë tërësisht proceduriale, të lidhura me përbërjen e komisioneve, votimin, afatet etj.. Një element i rëndësishëm, i cili mund të konsiderohet si një hap përpara i demokracisë edhe në Kuvend, është mundësia që me kërkesë të një pjese të deputetëve votimi i fshehtë të mos bëhet elektronik, por me kuti votimi. Ndryshimet e tjera iu interesojnë më së shumti deputetëve të Kuvendit, por nuk kanë asnjë ndikim në jetën e përditshme të popullit shqiptar.
Shembulli i para tri ditëve, ku të gjithë deputetët e Parlamentit shqiptar bashkuan votat për të mirën e kombit, më kujtoi një ambasador të akredituar në vendin tonë, i cili më shpjegoi se në vendin e tij, vendimet që kanë të bëjnë me integrimin kanë flamurin e BE-së në cep si shenjë dalluese. Dhe sa herë deputetët e shikojnë këtë shenjë treguese, ata e lënë pas politikën dhe votojnë për kombin. E mira do të ishte që deputetët shqiptarë të vazhdonin të ndiqnin këtë shembull edhe për ligjet e tjera të nevojshme për integrimin.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›