E Diel, 1 Nëntor 2026

“Qemal Stafa” mbyll dyert, shkak terreni i keq i fushës

TIRANE- Gjendja e keqe e fushës së stadiumit kombëtar “Qemal Stafa”, por edhe kritikat e bëra në media pas ndeshjes Shqipëri-Irlandë e Veriut, kanë bërë që drejtori Gazmend Sallaku të deklarojë mbylljen e këtij impianti. Ai ka bërë të ditur se në kushte të tilla, në stadiumin më të madh të vendit nuk mund të vazhdohet të luhet më futboll dhe se ai do të qëndrojë i mbyllur derisa të përfundojnë reshjet. Por, kjo mbyllje e dyerve të “Qemal Stafës” fut në kaos gjithë kampionatin, duke qenë se skuadra si Dinamo apo Tirana, i zhvillojnë ndeshjet aty. Këtë javë përshembull, të treja skuadrat e kryeqytetit luajnë në shtëpi dhe në dispozicion është vetëm një stadium, “Selman Stërmasi”, por edhe ai në gjendje të mjeruar. I kontaktuar nga “Neës 24” për këtë problem, zëvendës presidenti i Dinamos Avni Braçe deklaroi se vendimi është vërtetë i çuditshëm, pasi ky klub ka kontratë që në fillim të sezonit me stadiumin kombëtar. Ai bëri të ditur se të premten do të shkojë ta diskutojë këtë çështje në Federatë, por edhe drejtuesit e kësaj të fundit kanë bërë të ditur se situata mbetet vërtetë e çuditshme.
(e.n/A.Latifi/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›