E Diel, 1 Nëntor 2026

“Shoku” i Nikoliqit, ka 214 banesa, nuk kthen kreditë

Pronari i firmës “Jugoagent”, Millan Marjanoviq, anëtar i partisë në pushtet, SNS, të presidentit Tomislav Nikoliq, ka në pronësi 214 banesa nëpër Serbi, por nuk i kthen pesë kreditë që i ka marrë nga Agrobanka dhe banka “Çaçanka”.

Sipas Blicit, ai ka 165 banesa në Beograd, Novi Sad dhe Pançevë dhe merr qira nga to, kurse edhe 49 banesa të tjera po i ndërton në vendin Bjella në bregdetin malazias.

Ai në vitin 2011 dhe sivjet ka marrë kredi në Agrobankë në shumë të përgjithshme prej 2 milionë eurove, por deri sot nuk e ka kthyer asnjë cent, andaj banka e përmendur ka nisur procedurë gjyqësore kundër tij.

Por, pasi edhe gjyqësori tashmë është në duart e partisë në pushtet, seancat gjyqësore kundër tij janë caktuar për disa muaj më vonë.

Kredimarrësi i Nikoliqit ka udhëtuar dje për në Bosnjë, ku ka lindur dhe nuk dihet kur do të kthehet në Beograd./Indeksonline/
 

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›