E Diel, 1 Nëntor 2026

“The Telegraph”: Marrëveshja Rama- Blair mund të kushtojë miliona paund

TIRANE – Në një artikull të publikuar sot, gazeta britanike “The Telegraph” i ka kushtuar vëmendje bashkëpunimit të shpallur pak kohë më parë nga lideri socialist, Edi Rama me ish-kryeministrin britanik, Tony Blair, në mënyrë që ky i fundit dhe stafi i tij t’i japin konsulencë PS-së në qeverinë e ardhshme shqiptare.

Gazeta shkruan se Tony Blair pritet të veprojë si konsulent i Ramës, duke filluar nga muaji korrik pas zgjedhjeve, në rast se Partia Socialiste arrin t’i fitojë ato. Por sipas gazetës britanike, kjo marrëveshje do tw kushtojë miliona paund.

“The Telegraph” ka zbuluar se marrëveshja me kryesocialistin Edi Rama është negociuar që në shkurt, kur në Shqipëri ishte ish-drejtori i komunikimit në qeverisjen e Blair, Alastair Campbell, për të promovuar librin e tij. Ai i ka ofruar këshilla strategjike Partisë Socialiste në prag të zgjedhjeve të 23 qershorit.

Nënshkrimi i kësaj marrëveshje me Shqipërinë, vjen pas atyre që ish-kryeministri Blair ka nënshkruar me Kazakistanin, Kuvajtin, Brazilin dhe Kolumbinë.

Shqipëria, vijon më tej gazeta britanike, shpreson t’i bashkohet Bashkimit Evropian, dhe Blair pritet t’i këshillojë sesi mund të arrihet kjo si dhe të implementohen reformat.

Ish-kryeministri britanik Tony Blair ka ngritur organizatën “Këshillimin Praktik i Qeverive” në vitin 2007, të cilën e menaxhon bashkë me Jonathan Poëell, ish-shef i stafit të tij gjatë kohës kur ishte kryeministër, dhe Alastair Campbell, ish-drejtori i tij i komunikimit.

“The Telegraph” shkruan se paratë e fituara nga organizata “Këshillimi Praktik i Qeverive”, janë administruar nëpërmjet një kompanie të quajtur, Windrush Ventures. Të ardhurat e fundit të Windrush tregojnë shifra më shumë se 16.000.000 stërlina për vitin që përfundoi, me 31 mars 2012, me një fitim 3.6 milionë sterlina.

“Ndërsa personaliteti i zotit Blair ka rënë në Britaninë e Madhe në prag të luftës së dytë në Irak, ai është konsideruar një hero në Shqipëri dhe në Kosovë pas ndihmës që dha gjatë konfliktit të Kosovës me ish-Jugosllavinë. Thuhet se qindra fëmijë në Kosovë janë quajtur Tony Blair, në nder të tij.”- shkruan gazeta.

(er.nu/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›