Deda, prokurori i shkarkuar padit vendimin e Ina Ramës
Armand Bajrami
Tom Dedaj, prokurori i shkarkuar nga detyra ditët e para të shtatorit me propozim të kryeprokurores Ina Rama dhe dekret të Presidentit të Republikës, çon në gjykatë Prokurorinë e Përgjithshme.
Ish prokurori i është drejtuar gjykatës, me një padi ndaj organit qendror të akuzës, ku kërkon shfuqizimin e urdhrave që e kanë pezulluar atë nga detyra, ndërprerjen e pagës dhe nisjen e procedimit disiplinor ndaj tij. Në gjykatën e kryeqytetit, shorti elektronik ka përzgjedhur gjyqtaren Miranda Ndoja për të shqyrtuar këtë çështje. Ish-prokuror në Rrethin e Kurbinit, Dedaj u shkarkua nga detyra më 2 shtator të këtij viti. Shkarkimi i tij u propozua nga Prokurorja e përgjithshme Ina Rama dhe dekretua më pas presidenti i Republikës Bamir Topi.
Padia me palë paditëse Tom Dedajn dhe palë të paditur Prokurorinë e Përgjithshme të Republikës së Shqipërisë ka mbërritur ditë më parë në gjykatën e kryeqytetit. Referuar padisë se depozituar në gjykatë ish-prokurori kërkon shfuqizimin e urdhrave të Prokurorisë së Përgjithshme ndaj tij. “Shfuqizimin e urdhrit të Përgjithshëm date 15 maj 2009 për pezullim nga detyra të prokurorit Tom Dedaj. Shfuqizimin e urdhrit të Drejtuesit të prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Kurbin të datës 30 qershor 2009 për ndërprerjen e pagës nga data 1 qershor 2009 e në vazhdim. Shpalljen të pavlefshëm të urdhrit të Prokurorit të Përgjithshëm datë 15 maj 2009 për fillimin e procedimit disiplinor ndaj prokurorit Tom Dedaj”, thuhej në objektin e padisë s ish-prokurorit.
Shkarkimit nga detyra i prokurorit Dedaj, “zuri fill” në maj të këtij viti, kur Prokuroria e Përgjithshme nisi një procedim disiplinor ndaj tij dhe e pezulloi atë nga detyra. Gjithçka erdhi pas një kontrolli të Inspektoratit të Prokurorisë së Përgjithshme që konstatoi shkelje në disa nga dosjet e hetuara nga ana e ish-prokurorit. Ndërsa Këshilli i organit qendror të akuzës po shqyrtonte procedimin e tij disiplinor një urdhër i kryeprokurores Ina Rama ndërpreu pagën e prokurorit, nga 1 qershori e në vazhdim. Ndërsa në fillim të shtatorit presidenti Topi pranoi propozimin e Prokurores së përgjithshme për shkarkimin nga detyra të prokurorit. ar.ba