Vritet me pistoletë shqiptari në Firence
ITALI – Një 29 vjeçar me kombësi shqiptare u qëllua për vdekje dje në Itali, ndërsa bllokimi i pistoletës së agresorit shpëtoi jetën e shokut të tij. Dh. Hoxha është qëlluar nga një distancë e afërt në orët e para të mëngjesit të ditës së djeshme në qendër të qytetit të Firences, në një zonë historike të tij. Dyshimet e para të policisë si motiv të ngjarjes janë hedhur mbi “larjen e hesapeve” në lidhje me veprimtari të jashtëligjshme. Deri dje në mbrëmje policia e vendit fqinj nuk kishte arrestuar asnjë person të dyshuar si autor të ngjarjes. Lajmi për vrasjen e shqiptarit 29-vjeçar u bë i ditur dje nga mediat e vendit fqinj. “Një shqiptar, 29 vjeç është qëlluar nga afër me armë zjarri në zonën e San Pierinos në qendër të Firences”, citohej dje në agjencia e lajmeve ANSA. Sipas një rindërtimi fillestar të ngjarjes nga hetuesit italian mendohet se agresorët kanë qenë dy persona, po me kombësi shqiptare, të cilët janë larguar me shpejtësi pas atentatit. Mësohet se njëri prej tyre ka qëlluar një herë të vetme drejt 29 vjeçarit Hoxha. Në vijim gryka e pistoletës është drejtuar edhe nga shoqëruesi i tij, por bllokimi i saj i ka kursyer atij jetën. Pas të shtënave agresorët janë larguar me shpejtësi nga vendngjarja në këmbë. Mësohet se personi që ka qëlluar nuk ka qenë i maskuar, ndërsa shoqëruesi i tij ka qenë i pa armatosur. Mësohet se 29 vjeçari ka ndërruar jetë një orë e gjysmë pas mbërritjes në spital. Sipas mediave italiane, viktima e ngjarjes dhe shoku i tij, nuk ishin persona me precedentë të mëparshme kriminale, apo “të njohur” për policinë e Firences. Mësohet se po punohet për identifikimin e autorëve dhe kapjen e tyre, si edhe zbulimin e motiveve që çuan në vrasjen e 29 vjeçarit. a.b