E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kontrabanda e naftës, Prokuroria: "Burg me afat" për doganierët

DURRES - Prokuroria e Durrësit vendosi masat e sigurisë për 10 personat e dyshuar për kontrabandë me mallra që paguhet akcizë.

Përmes një njoftimi, Prokuroria bën të ditur se ka vendosur masën e sigurisë “arrest me burg” për shtetasit: Laurent Bega, magazinier, Klodian Cullai punonjës i agjencisë doganore “Ferries”, Afrim Mece, shofer dhe Pëllumb Malollari, shofer.

Ndërkohë ndaj doganiereve të Porto-Romanos Kadri Rrapaj, Artur Mustafaj, Selman Doci, Ylli Troplini dhe Dashamir Kabaj u vendos masa e sigurise“burg me afat”. Prokuroria kërkon pezullimin nga kryerja e funksionit apo sherbimit publik të doganierit Lavdi Rraklli.

Hetimi i Prokurorisë Gjyqësore të Rrethit Durrës për çështjen në fjalë zhvillohet prej rreth 7 muajsh dhe mbështetet në raportet e vezhgimit dhe bisedat telefonike nën përgjim.

Sipas Prokurorisë, shtetasit e sipërpërmendur, në bashkëpunim, kanë bërë të mundur kalimin e autoboteve të ngarkuar me sasi karburanti të cilat e kishin tejkaluar sasinë e deklaruar nga subjekti,pa kryer asnjë procedurë zhdoganimi apo njoftim në autoritetet doganore, të cilat janë lejuar të drejtohen në treg.

Në bazë të ligjit për akzicat, lëndët djegëse u nënshtrohen ndër të tjera detyrimeve doganore të: akcizës dhe të TVSH, ndërkohë që sipas procesverbalit të dt. 03.11.2011, pas evadimit të një sasie të caktuar lënde djegëse të zhdoganuar, për llogari të subjektit Europetrol, është lejuar të evadohet sasia prej rreth 52.000 litra naftë e pazhdoganuar nëpërmjet dy autoboteve. Sipas fletës së përllogaritjeve në rastin konkret janë shmangur detyrimet doganore të importit në shumën 2.625.588 Lekë.

Prokuroria e Durrësit vijon hetimin edhe për mundësinë e përfshirjes së personave të tjerë në kryerjen e kësaj vepre penale.

(er.nu/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›