E Shtunë, 31 Tetor 2026

“Xhuvani”, përplas ministrinë e Drejtësisë me Prokurorinë

TIRANË- Kryeprokurorja Ina Rama ka reaguar ashpër ndaj deklaratave të ministrit të Drejtësisë Eduart Halimi, i cili kërkoi sot procedim disiplinor për prokurorin e çështjes “Xhuvani” si dhe kryeprokurorin e Tiranës.

Nëpërmjet një noftimi për media organi i akuzës thekson se deklarata e ministrit Halimi është një ndërhyrje e rëndë në funksionimin dhe pavarësinë e sistemit të drejtësisë dhe në rastin konkret, presion i hapur ndaj gjykatës dhe prokurorisë, në kushtet kur një çështje është ende në gjykim.

“Deklarata e Ministrit të Drejtësisë, Eduard Halimi, është një ndërhyrje e rëndë në funksionimin dhe pavaresine e sistemit të drejtësisë dhe në rastin konkret, presion i hapur ndaj gjykatës dhe prokurorisë, në kushtet kur njëçështje është ende në gjykim. Çështja ndaj shtetasit Kostandin Xhuvani është ende në gjykim, pasi është në pritje për tu shqyrtuar nga Gjykata e Apelit, ndaj është e pashpjegueshme që një titullar politik të ndërhyjë e të deklarohet pa u ezauruar të gjitha shkallët e gjykimit”,- thuhet në njoftimin e Prokurorisë.

Duke iu referuar deklaratës së Halimit se Prokuroria nuk ka respektuar parimin e drejtësisë, barazisë dhe ligjshmërisë, organi i akuzës sqaron se kjo bëhet me fjalë të përgjithshme dhe jo duke marrë parasysh dispozitat konkrete të veprës penale.

Prokuroria në reagimin e saj, i kujton ministrit të Drejtësisë Halimi,  se i vetmi institucion kushtetues, i cili kualifikon veprën penale për të cilën duhet të deklarohet fajtor një shtetas, është  Gjykata dhe kurrsesi nje organ ekzekutiv.

"Në respekt të Kushtetutës dhe ligjit, duhet të kujtojmë si opinionit publik ashtu edhe Ministrit të Drejtësisë, se i vetmi institucion kushtetues i cili kualifikon veprën penale për të cilën duhet të deklarohet fajtor, llojin dhe masën e dënimit të përshtatshme, është vetëm Gjykata. Kompetencën për drejtësinë e këtij vendimi apo fuqinë për ta ndryshuar atë e ka vetëm një gjykatë më e lartë, por kurrsesi një organ ekzekutiv”,- përfundon njoftimi i Prokurorisë.

Mjnistri i Drejtësisë Eduart Halimi, e cilësoi paraditen e sotme të paprecedentë vendimin e Gjykatës së Tiranës për vendosjen e masës së sigurisë “2 vjet burg” për Kostandin Xhuvanin, djalin e deputetes së Partisë Socialiste Luiza Xhuvani, i akuzuar për vrasje.

Ministri Halimi pas inspektimit të dosjes i kërkoi presidentit Topi dhe kryeprokurores Ina Rama të ushtrojnë kompetencat për inicimin e procedimit disiplinor për prokurorin e çështjes, si dhe për drejtuesin e Prokurorisë së Tiranës.
(el.me/BalkanWeb) Lidhje te tjera Dënimi për Kostandin Xhuvanin, Halimi: Politikë penale e papranueshme

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›