Çlirimi i likujdeteve, Banka Qendrore injektoi 2. 35 miliardë lekë gjatë dhjetorit
Banka e Shqipërisë ka qenë e detyruar, për efekt të krizës ekonomike, që gjatë tremujorit të katërt të vitit 2009 të ndërhyjë në tregun e parasë për të injektuar likuiditet brenda tij.Me qëllim rritjen në mënyrë të përhershme të likuiditetit në treg, Banka e Shqipërisë organizoi gjatë muajit dhjetor një ankand për blerjen me të drejta të plota, nëpërmjet të cilit
u injektuan 2.35 miliardë lekë, thuhet në njoftimin e Bankës së Shqipërisë. Kështu, burimet zyrtare të saj bëjnë me dijeni se ajo përdori instrumentin e saj kryesor, marrëveshjen e riblerjes me maturim njëjavor mesatarisht të 19.51 miliardë lekëve në javë si dhe instrumentet rregullues me maturim më të gjatë se një javë. Gjatë tremujorit të katërt të vitit 2009, depozita njëditore u përdor mesatarisht 0.54 miliardë lekë në ditë, në krahasim me 0.35 miliardë lekë në ditë gjatë tremujorit të kaluar. Në analizën tremujore të tregut të parasë mësohet se në tremujorin e katërt të vitit 2009 Banka e Shqipërisë nuk ka ndërhyrë në tregun e brendshëm valutor dhe nuk ka kryer veprime me bankat e nivelit të dytë.
Operacionet e tregut
Ndërhyrjet në tregun e parasë gjatë tremujorit të katërt të vitit 2009 përfshijnë operacione të tregut të hapur për injektimin e likuiditetit. Për të injektuar likuiditetin, Banka e Shqipërisë përdori instrumentin e saj kryesor marrëveshjen e anasjelltë të riblerjes me maturim njëjavor mesatarisht 19.51 miliardë lekë në javë si dhe instrumentet rregullues me maturim më të gjatë se një javë - marrëveshjen e riblerjes me maturim një dhe tre-mujor. Marrëveshja e anasjelltë e riblerjes me maturim një-mujor u përdor në 3 raste, mesatarisht 3.0 miliardë lekë për ankand). Edhe marrëveshja e anasjelltë tremujore u përdor në tre raste, mesatarisht 4.1 miliardë lekë për ankand.
Instrumentet mbështetës
Gjatë tremujorit të katërt të vitit 2009, depozita njëditore u përdor mesatarisht 0.54 miliardë lekë në ditë, në krahasim me 0.35 miliardë lekë në ditë gjatë tremujorit të kaluar. Përdorimi i depozitës njëditore ishte më intensiv gjatë ditëve të fundit të periudhës së mbajtjes së rezervës së detyruar. Burime zyrtare nga Banka e Shqipërisë bënë të ditur dje se instrumenti i kredisë njëditore gjeti një përdorim minimal gjatë këtij tremujori (një rast përdorimi në nivelin 10 milionë lekë).
Veprime me institucione
Gjatë kësaj periudhe kanë vijuar të realizohen veprime të shitjes dhe të blerjes së valutës me Ministrinë e Financave. Kështu, shitjet me Ministrinë e Financave gjatë tremujorit të dytë llogariten në 3.09 miliardë lekë. Vëllimi i blerjeve me Ministrinë e Financave për këtë periudhë ishte 0.48 miliardë lekë. Blerjet e valutës nga institucionet e huaja llogariten në 90.9 milionë lekë (Agjencia Ndërkombëtare për Zhvillim IDA dhe Banka Ndërkombëtare për Rindërtim dhe Zhvillim - IBRD).
Kursi i këmbimit
Në prani të ngadalësimit të kërkesës së brendshme dhe duke reflektuar situatën e vështirë të ekonomisë globale, deficiti i llogarisë korrente u ngushtua me rreth 3 për qind gjatë vitit 2009, duke qëndruar në nivelin 15.3 për qind të PBB-së. Megjithë korrektimin e lehtë gjatë vitit, deficiti korrent mbetet në nivele krahasimisht të larta dhe përbën një nga dobësitë e ekonomisë shqiptare. Ngushtimi i bilancit tregtar u ndikua nga rënia e njëkohshme vjetore e eksporteve dhe importeve tona, respektivisht me 18 për qind dhe 9 për qind. Situata e vështirë në vendet fqinjë është reflektuar edhe në rënien e remitancave, të cilat u tkurrën me 6.5 për qind në terma vjetorë, ndërkohë që raporti i tyre ndaj PBB-së shënoi nivelin 9 për qind. Suficiti i llogarisë kapitale dhe financiare u zvogëlua ndjeshëm gjatë vitit 2009, duke rënë me 35.6 për qind në krahasim me vitin e kaluar. Kjo ecuri u diktua në një masë të madhe nga rritja krahasimisht e ulët e investimeve të huaja direkte dhe nga reduktimi i huamarrjes së huaj private.
Institucioni financiar Blerje të valutës
(në milionë lekë) Shitje të valutës
(në milionë lekë)
MINISTRIA E FINANCAVE 475.01 3,093.53
TE TJERA (IDA, IBRD) 90.93
Zhvillimet monetare dhe tregjet financiare
Aktiviteti i ndërmjetësimit financiar në ekonomi është kushtëzuar nga tkurrja e burimeve financiare, luhatja e besimit në institucionet financiare dhe rënia e kërkesës për kredi bankare gjatë vitit 2009. Në fund të muajit mars, depozitat ranë në 55 për qind të PBB-së, krahasuar me nivelin 63 për qind të shënuar në muajin shtator 2008. Tërheqja e depozitave gjatë tremujorit të parë të vitit solli ngadalësimin e zgjerimit të masës monetare në ekonomi. Aktiviteti bankar njohu një rikuperim të ngadaltë gjatë tre tremujorëve në vijim. Oferta monetare u rrit mesatarisht me 6 për qind gjatë këtij viti, ose rreth 2 herë më pak se një vit më parë. Rritja e masës monetare i detyrohet kryesisht rritjes së komponentit në lekë të saj, ndërkohë që kredia dhe depozitat në valutë kanë shënuar tkurrje gjatë vitit 2009. Krijimi i parasë në lekë është bazuar në huamarrjen e brendshme të sektorit fiskal dhe ruajtjen e ritmeve të kreditimit në lekë të sektorit privat.
Norma e interesit
Norma e interesit do të mbetet në të njëjtët shifra, 5, 25 për qind. Në përfundim të diskutimeve, Këshilli Mbikëqyrës vendosi të mbajë të pandryshuar normën bazë të interesit, në nivelin 5.25 për qind. Sipas Guvernatorit të Bankës së Shqipërisë ky vendim garanton kushte të përshtatshme monetare për respektimin e objektivit të inflacionit në një periudhë afatmesme. Në të ardhmen, Banka e Shqipërisë mbetet e gatshme të veprojë në linjë me ecurinë e faktuar dhe të pritshme të treguesve ekonomikë. Në veçanti, vendimet e saj do të faktorizojnë mbajtjen e pritjeve inflacioniste të ankoruara rreth objektivit të Bankës së Shqipërisë për inflacionin, stabilitetin e sistemit financiar në vend, në funksion të ruajtjes dhe konsolidimit të mëtejshëm të ekuilibrave makroekonomikë. Në këtë kontekst, Banka e Shqipërisë vlerëson se tendencat e fundit korrektuese të treguesve të bilancit të pagesave janë zhvillime inkurajuese për qëndrueshmërinë afatgjatë të treguesve financiarë të vendit. Nga ana tjetër, Banka e Shqipërisë gjykon se kjo qëndrueshmëri do të ndihmohej nga ndjekja e një politike fiskale të kujdesshme, e cila duhet të faktorizojë tashmë shëndetin afatgjatë të parametrave fiskalë në vendimmarrjen e saj.
Politika e bankës për stabilitetin e çmimeve
Në përputhje me mandatin e saj ligjor, politika monetare e Bankës së Shqipërisë është hartuar dhe zbatuar në funksion të arritjes dhe të ruajtjes së stabilitetit të çmimeve. Gjatë vitit 2009, rreziqet kryesore ndaj stabilitetit të çmimeve kanë ardhur nga ngadalësimi i aktivitetit ekonomik, luhatja e besimit të agjentëve ekonomikë, zhbalancimi i pozicionit të jashtëm të ekonomisë shqiptare dhe nënçmimi i kursit të këmbimit. Pavarësisht këtyre sfidave, Banka e Shqipërisë arriti të ruajë inflacionin e çmimeve të konsumit brenda objektivit. Le të shohim më në detaje elementet e prekura më sipër. Politikat stimuluese rezultuan të suksesshme për pjesën më të madhe të vendeve. Aktiviteti ekonomik, rritja e të cilit ishte kryesisht negative në gjysmën e parë të vitit, shënoi një përmirësim të lehtë në gjashtëmujorin e dytë. Rimëkëmbja e kërkesës në nivel botëror ndikoi në rigjallërimin e ekonomisë dhe në rritjen e tregtisë, në përmirësimin e treguesve të besimit, dhe në krijimin e pritjeve më optimiste për të ardhmen. Gjithashtu, ndërhyrja e vendosur e autoriteteve në mbështetje të sistemit financiar ndihmoi në sheshimin e tensioneve të krijuara nga kriza. Ky normalizim u reflektua në reduktimin e primeve të rrezikut, në ecurinë rënëse të normave të interesit dhe në luhatshmërinë më të moderuar të tyre. Megjithatë, rikuperimi i aktivitetit ekonomik në botë mbetet i brishtë. Të dhënat për kërkesën agregate tregojnë se ngada