E Diel, 1 Nëntor 2026

‘Presidenti’, Ruçi: Nano nuk arrin të zgjidhet vetëm me votat tona

TIRANE-Kryetari i grupit parlamentar të Partisë Socialiste Gramoz Ruci i ftuar të martën në mbrëmje në emisionin ‘5 pyetje nga Babaramo’, komentoi zhvillimet e brendshme në PS, cështjen e nxehtë të zgjedhjes së Presidentit si dhe cështjen e parlamentarizmit shqiptar.

Do doja ta nisnim bisedën duke iu kërkuar një konfirmim të disa deklaratave që janë bërë nga disa deputetë të PS-së, si dhe disa hamendësimeve që janë bërë në shtyp që grupi parlamentar i PS do të kërkojë një mocion mosbesimi ndaj kryetares së parlamentit, e konfirmoni?
Është një gjë që sigurisht është, siç thatë dhe juve linçuar shpesh herë në shtyp. Ashtu sikurse ne kemi paraqitur periodikisht vërejtjet tona në seancën e parlamentit, lidhur me ecurinë e parlamentarizmit shqiptar. Sigurisht që nëse do të flasim për një shkak për të bërë një mocion mosbesimi, unë do të thosha është e tejkaluar, se jo njëherë por mbi 22 raste në parlamentin shqiptar janë shkelur të gjitha procedurat parlamentare. Në të gjithë seancat e parlamentit, funksionet e parlamentarizmit të një parlamenti demokratik janë inekzistente, ku mungon liria e fjalës, liria e mendimit, mungon procesi transparent i ligjbërjes, ku mungon procesi i kontrollit të parlamentit mbi ekzekutivin dhe ku mungon vota e fshehtë për organet kushtetuese që dalin nga parlamenti. Megjithatë ne gjykojmë që në tërësi është e gjithë fryma e mazhorancës, që kontrollohet nga një dorë, kryeministri i vendit Sali Berisha. Kështu që në kushtet dhe në rrethanat që në parlamentin shqiptar nuk votohet në mënyrë të fshehtë, ç'rëndësi do të kishte një rikonfirmim i dytë në thonjza, i kryetares së parlamentit.

Pra ju tërhiqeni?
Nuk thashë këtë, por nëse keni ndjekur me vëmendje edhe dy seancat e fundit ne bëmë një testim se çfarë i ka ngelur këtij parlamenti në kuadrin e votës së fshehtë, në kuadrin e parlamentarizmit.

Mos ishte dhe testim që nuk i kishit votat? Sepse Berisha mori 71 vota, edhe pa LSI-në.
Vodhi 71 vota, nuk i mori, se nuk u bë votim. Po të ishte bërë votim , nuk dihet se si do të dilte 71, 69 apo 68. Dhe që nuk u bë votimi, nuk u bë se s'kishte vota.

U bë sipas rregullores votim i fshehtë.
E keqja jonë është pikërisht kjo, që quajmë të mirëqenë atë që thotë Sali Berisha. Nuk ishte votim i fshehtë dhe unë në seancën e kaluar e kam sqaruar. E para kur ka dy kandidatë nuk ka se si të votohet në mënyrë elektronike. E dyta edhe votimi elektronik votim i fshehtë është, por duhet të plotësojë disa elementë. Cilët janë këta elementë? Nëse flasim për votim, gjëja e parë që shtrohet: Kush është komisioni i këtij votimi? Sipas praktikës shqiptare në komision të votimit është spikerja e parlamentit dhe përgjegjësi që është tek kulla, ku mjafton të kesh çelësin dhe kontrollon çdo votë, nuk është votim i fshehtë. Pra edhe votimi elektronik është votim i fshehtë, por votimi i fshehtë duhet të plotësojë disa parametra.

Ju refuzuat kutinë...
Ne refuzuam dhe kishim të drejtë që refuzuam.

Nëse do refuzoni votimin elektronik atëherë mbetet kutia, dhe kutinë e refuzuat...
Nuk refuzuam votimin e fshehtë me kuti. Ne kërkuam që të bëhej votimi i fshehtë me kuti dhe votimi i fshehtë me kuti është një kërkesë e rregullores së rregullores së Parlamentit. Kështu që u ngrit komisioni, u prodhuan fletët. Cili ishte problemi që ndodhi atje? Ka ndodhur në sytë e parlamentarëve , por jo në sytë e medias se media u nxor jashtë. Çfarë kërkohej, kërkohej që juve kur të vinit si deputet të merrnit fletën e votimit dhe të votonit, unë të firmosja në të moment që të merrje ti fletën.

Po kështu është vepruar gjithnjë...
Absolutisht jo, është vepruar gabim. Unë mund t'iu citoj këtu kodin e praktikës të Komisionit të Venecias, i cili flet posaçërisht për këtë punë. Citoj: Nënshkrimi dhe vulosja e fletëve të votimit, e bërë në momentin kur fleta e votimit i dorëzohet zgjedhësit do të identifikonte zgjedhësin kur të bëhej numërimi i votave. Kjo do të ishte shkelje e fshehtësisë së votës.

Gjithsesi në rregulloren aktuale të parlamentit shqiptar nuk parashikohet dhe ka një precedent që gjithnjë është firmosur në kohën kur e ka marrë deputeti.
Është detyra juaj që të ngacmoni personin e radhës që keni në debat, unë jam dakord.
Lidhur me këtë precedent, pse ka ekzistuar ky precedent, pse ka ekzistuar kjo mënryë e leximit të votës në parlament dhe jo në parlament, duke bërë këtë interpretim të praktikës së mirë të Komisionit të Venecias, në kodin elektoral ekzistues është hequr pikërisht nënshkrimi i fletëve të votimit nga komisionet zgjedhore. Hapeni kodin, më parë firmosnin kryetari, nënkryetari dhe sekretari, kishte 3 firma, kurse tani nuk lejohet asnjë firmë. Në çfarë kërkuam, doni të firmosi u thamë, si jo firmosni, i merrni të 139 fletët i vulosni, i firmosni, i përmbysni dhe deputeti me vullnet të lirë të vijë të marrë fletën e votimit dhe të iki. Dhe pikërisht këtë nuk pranuan. Se mazhoranca aktuale nuk kishte votat. Ai nuk ka besim tek të tijët, nuk ka besim tek aleatët e tij. ai donte të kontrollonte të tijët jo neve. Këtë nuk lejuam ne. Ka turp më të madh për një opozitë ta lerë Sali Berishën në prezëncë të grupit parlamentar të vjedhë votat e deputetëve.

Ju thoni që u vodhën votat e deputetëve, të kujt deputet? Sepse votuan ata që mbështesin këtë shumicë.
Po ç'rënësi ka. Ne e kemi të qartë që skemi votat për të fituar nëse bëhet fjala për të fituar dhe për të votuar nga pikëpamja numerike. ne aty u futëm se çfarë i ka mbetur këtij parlamenti nga parlamentarizmi. Reforma parlamentare, që është një nga kushtet e BE-së, ka mbetur në dy elemente, në votimin e fshehtë të parlamentit dhe në fjalën e opozitës kur flet kryeministri.

Ju si e kërkoni?
Ne kërkojmë të kemi votim të fshehtë. Janë disa forma të votimit të fshehtë por asgjëkundi nuk ndodhin këto që ndodhin tek ne. Është ndryshuar rregullorja 18 vjeçare. Ne kërkojmë të bëhet votim i fshehtë me fletë dhe me kuti pa identifikuar asnjë zgjedhës si deputet. Është e thjeshtë fare.

Pra mocion do ketë pas rregullores së re?
Pa u vendosur standarde të caktuara është e kotë të vësh votim të fshehtë. Po votimi i presidentit si do bëhet duke identifikuar votën për të zgjedhur të parin e vendit. Këtu vidhen mandatet në parlament, kështu u vodh mandati i anëtarit të KLD-së.

Kthehemi tek rregullorja. Nëse nuk aprovohet në rregullore ashtu siç e kërkoni ju çfarë do bëni me rastin e zgjedhjes së presidentit.
Nuk do ketë votim të presidentit nëse nuk do votohet vërtet me votim të fshehtë. Eshtë e pafalshme për një opozitë të lejojë që Sali Berisha të votojë jo në mënyrë të fshehtë në parlament. 

Zoti Berisha ka thënë që rregullorja do jetë siç e ka Parlamenti Europian.
Absolutisht Parlamenti Europian e ka me votim të fshehtë në të gjitha rastet. Votimi i fshehtë siç e realizon PE, jo siç e mendon dhe aplikon mazhoranca aktuale.

Po si do ta bllokoni, duke bllokuar seancën, duke bojkotuar?
Nuk bëhet fjalë që të vidhet vota e deputetit në momentin e zgjedhjes së presidenti, grupi parlamentar do të jetë atje për të mos e lejuar.

Pa rregullore të re nuk ka zgjedhje të presidentit mund të themi?
Nuk ka asnjë problem që e pengon votimin e fshehtë të presidentit dhe me këtë rregullore që kemi. Ndryshimet e rregullores nuk kanë prekur procedurën e zgjedhjes së presidentit. Mjafton vullneti.

Përse zgjodhët zotin Visha? Kishit negociata paraprake me LSI?
Jo nuk bëhet fjalë për negociata, nuk kishte kohë për të bërë negociata dhe me veten. Nuk kemi pasur konsultime as për propozimin.

Përse zgjodhët avokatin që ka mbrojtur dy kauza të cilat ju i keni pasur flamur të betejave kundër korrupsionit?
Nuk ka lidhje fare për shumë arsye. Ne kishim dy alternativa, të mos propozonim fare ose të propozonim. Jemi para një procesi që ne kërkojmë me të madhe për zgjidhjen e presidentit. Ne na bën mirë edhe gjithë debati që është bërëm, edhe vërejtjet dhe sugjerimet dhe kritikat. Nuk kam parë sot asnjë artikull që çfarë ëprfaqëson ky kandidat që propozoi PD-ja., përjashto militantizmin, asgjë tjetër nga pikëpamja profesionale. Ne hodhëm një kandidat që kishte shërbyer në të gjitha instancat dhe nuk kishte funksionuar si rezultat i emërimit preferencial të PS. Lidhur me Gërdecin, unë e kam deklaruar që nuk është çështje e avokatit.

Këtë profesionistin e shkëlqyer që ju zgjodhët nuk arritët ta çonit në KLD. Mendoni që morët një kosto politike që flamuri i antikorrupsionit që kishit kaq vite që e tundni nuk po valvitet më.
Flamuri i korruospnit do valëvitet tek ai që e ka, e dyta mos ngatërrojmë flamurtarët e korrupsionit. Flamurtari i korruospnit dhe i ngjarjes tragjike të Gërdecit nuk është ministri i Mbrojtjes. Gërdeci është bërë me një plan të studiuar në drejtimin e kreut të ekzekutivit shqiptar. Të mos mbulohemi me çështjen e Fatmir Mediut apo avokatin e Mediut.

Si e gjykoni lidershipin aktual të zotit Rama. Jeni i kënaqur. Çfarë mendoni se duhet të korrigjojë?
Po qesh me këtë pyetje. Nuk diskutohet unë kam qenë pothuajse në të njëjtat detyrat kur ka qenë zoti Nano dhe tani me zotin Rama. Sigurisht jam i kënaqur me gjithë kontributin, performancën, këmbënguljen dhe vendosmërinë që lideri i opozitës ka zhvilluar si kryetar i PS-së. Jam i kënaqur që gjatë kësaj periudhe opozita shqiptare ka prodhuar aktivitet opozitar në kushte shumë të vështira, në kushtet që janë vjedhur dy palë zgjedhje.

Çfarë nuk është bërë mirë, cfarë këshille i keni dhënë dhe nuk e ka dyshuar?
Sigurisht nuk jemi të vetëkënaqur dhe jemi në kërkim të më të mirës. Duke mos u vetëkënaqur gjithmonë ka vend për përmirësime të të gjithë luftës politike opozitare.

Në mbledhjen e fundit të Kryesisë për çfarë debatuar me zotin Rama?
Ka mjaft probleme për të debatuar. Debatet janë vitalitet i një partie politike. Por nuk ka pasur ndonjë kontradiktë. Mbedhja ka vazhduar. Nuk ka pasur asnjë debat konfliktual. Janë problemet tona të brendshme. Nuk ishte mbledhje ishte shkëmbim mendimesh.

A ka një luftë brezash në PS?
Nuk ekziston asnjë konflikt brezash, përkundrazi. Është e vetmja forcë politike komplementare. Dhe atëherë kur nuk ishte e modës që të rinjtë të vinin, dera e PS ka qenë e hapur. 

Po zgjedhja e presidentit?
“Edhe kryesia e partisë dhe grupi parlamentar nqs do nisemi tek emri nuk kemi për të realizuar asnjë gjë. Pra nuk ka arritur puna që Këshilli i të Urtëve të diskutojë për emra. Do thosha që e gjithë kjo është sa tragjiko dhe komike.
Pse tragjike?
Është sepse nqs flasim për një kushtetutë të një vendi, dhe këtu është faji i gjithë klasës politikë shqiptare. Eshtë inciativë e kryetarëve, të dallojmë tragjik-komiken. 

Zotin Nano e keni si zgjedhje?
Në nuk kemi asnjë dhe nuk përjashtojmë asnjë. Mos mendoni se do nxjerr emra. Ne jemi për një proces, nuk do vemi nga emri tek procesi.

Zoti Nano është shprehur se do të takojë zotin Rama. Ju jeni pro këtij takimi?
Absolutisht po, dyert e PS janë të hapura për të ardhur dhe për të shpalosur të gjitha ambiciet që ka çdo qytetar i majtë dhe i djathtë, jo zoti Nano. Në momentin që do të kërkojë takim, dyert e PS dhe kryetari Rama janë në dispozicion të këtij takimi.
Nuk mendoj se zoti Nano do të kërkojë vota sepse ai e di që votat në PS nuk i ka që ta bëjnë president. Ai do të kërkojë më shumë se ajo që thatë juve çështje votash. Unë kur fola për zgjedhjen e një presidenti fola që ky president do të dalë si rezultat i një procesi të matur të pjekur të përgjegjshëm.

Nëse zoti Nano ju kërkon 20 firma?
Kjo është e fundit për të vajtur në një përplasje PD-PS.
Këtu nuk është puna për të siguruar disa firma. PS do të ketë një qëndrim politik, strategji dhe taktikë për çështjen e presidentit. Këto janë veprime personale të aktorëve dhe faktorëve individualë.

(BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›