E Shtunë, 31 Tetor 2026

Çmenduria e “sekreteve” të Pecanit



Kinema/Filmi “Sekretet” i regjisorit nga Shqipëria vlerësohet në Prishtinë

Një i çmendur pret vdekjen poshtë një batanijeje, i bindur se parajsa është më e mirë se bota njerëzore. Një tjetër gris gjithë ditën gazetat. Një tjetër përfaqëson çmendurinë e ushtrisë. Një vajzë ka humbur identitetin e saj. Ajo nuk e di se cila është dhe kërkon vazhdimisht veten e saj, por nuk mund ta gjejë - e tërë situata i ngjan një kaosi të pakuptimtë, një bote individuale ekstreme e shoqëruara me absurd. Të gjithë personazhet nuk ngjasojnë njëri me tjetrin, kanë biografi të veçantë dhe e tërë kjo meritë është e regjisorit nga Shqipëria, Spartak Pecanit, i cili solli filmin “Sekretet”, në kino-studio, në Prishtinë

Një i çmendur pret vdekjen poshtë një batanijeje, i bindur se parajsa është më e mirë se bota njerëzore. Një tjetër gris gjithë ditën gazetat. Një tjetër përfaqëson çmendurinë e ushtrisë. Një vajzë ka humbur identitetin e saj. Ajo nuk e di se cila është dhe kërkon vazhdimisht veten e saj, por nuk mund ta gjejë - e tërë situata i ngjan një kaosi të pakuptimtë, një bote individuale ekstreme e shoqëruara me absurd. Të gjithë personazhet nuk ngjasojnë njëri me tjetrin, kanë biografi të veçantë dhe e tërë kjo meritë është e regjisorit nga Shqipëria, Spartak Pecanit, i cili solli filmin “Sekretet”, në kino-studio, në Prishtinë.

Pothuajse e tërë ngjarja e filmit ndodh në një spital psikiatrik të Tiranës, me një protagonist me emrin Landi, banor i vetmuar në një lagje. Mirëpo, i tërë subjekti i filmit vërtitet rreth dosjeve të pahapura, po them të pahapura qëllimisht, sepse në to përfshihen shumë intelektualë shqiptarë dhe kosovarë. Subjekti i filmit merr shkas në një lagje ku të lehura të egra dhe të frikshme zgjojnë gjithë lagjen, e këto të lehura nuk na vijnë të ndonjë qeni, por të Landit. Ai raportohet nga komshinjtë dhe dërgohet në spitalin psikiatrik. Nëpërmjet tij, ne si shikues fluturojmë tek zhvillimet dhe rrëfimet, të cilat na zbulojnë fatin e individit në Shqipëri. Krejt rastësisht ai miqësohet me një qenush të humbur dhe më vonë ne mësojmë se ky qen është i një ambasade të huaj. Në vazhdimësi, na shfaqet personazhi i mjekut (Ndriçim Xhepa), i cili ndjek hap pas hapi jo vetëm historinë e tij, por edhe mijëra bashkëkohës të gjeneratës së tranzicionit. Xhepa në rolin e doktorit arrin të transformohet, të ikë nga vetja e tij reale, të kalojë në një person krejt tjetër, në një viktimë si pasojë e një realiteti shqiptar në kohën e diktatorit Enver Hoxha.

Regjisor nëpërmjet temës dhe lojës së aktorëve arrin të na kthejë në diçka të kaluar, e cila i ngjan ulërimave të ujqve. Si duket, regjisori nuk mund të dalë në breg pa e kujtuar të kaluarën, ikja në përjetësi nuk mund të bëhet pa e shpalosur të kaluarën, e këtë e vërejmë në temën e filmit. E shkuara dhe e tanishmja veprojnë gjatë gjithë kohës. Ndërkaq, aktori Enver Petrovci, i cili në film luan një gjeneral me plotë dekorata, adhurues i diktatorit dhe i shtrirë në spital, në mënyrë profesionale ndërton rolin. Ai mjeshtërisht i njeh replikat dhe e di se çfarë fshihet prapa tyre, thjesht di se çfarë kërkon. Në mendjen e Petrovcit tërheq vëmendjen sajimi fotografik i së shkuarës, udhëtimi i suksesshëm në kohën e diktatorit, dashuria dhe mburrja e flaktë me të, por në fund e kupton realitetin dhe i fal medaljet e tij. Ndërsa, një personazh tjetër me emrin Era (Ermela Teli), e cila ka humbur identitetin e saj, bie në dashuri me Rolandin, në shikim të parë, ajo bije pre e ndjenjave. Ana e brendshme e Telit manifestohet rrjedhshëm nëpërmjet mimikës jo të tepruar. E zhytur tërësisht në personazh, ajo i shkon deri në fund strukturës së veprës, madje edhe në disa raste kur shfaq dashurinë, ajo nganjëherë përzien agresivitetin e të çmendurit me butësinë. Kam disa vërejtje të vogla teknike, të cilat kanë të bëjnë me zërin, në shumë situata zërimi ishte i dobët, por magjia e aktorëve asnjëherë nuk na çonte në pakuptimësi.

Box gri

Pecani në Prishtinë: Intelektualët kanë frikë të tregojnë sekrete nga diktatura

“Kur është bërë ky film ka qenë hapur debati i dosjeve. Ato janë të pranishme edhe sot, por filmi paraqet një të kaluar të dhimbshme të një personazhi, i cili jo vetëm që vuan diktaturën, por vuan edhe të tanishmen”, - ka thënë Pecani për mediat kosovare, pas premierës së filmit. Regjisori nga Shqipëria ka prekur dhe guximin e intelektualëve, të cilët frikësohen të tregojnë sekretet e tyre gjatë kohës së diktaturës.

“Këtu është pikërisht guximi intelektual, pasi kemi një mjek, i cili për ideale të partisë ka larguar nga puna edhe gruan e vet, edhe pse të dy punonin në një çmendinë”, - ka thënë Pecani. Por ky debat në mes shtypit nuk ka kaluar pa prekur dhe historinë e Kosovës, duke bërë dallimin e dy diktaturave, asaj jugosllave dhe asaj shqiptare, për të cilën aktori Enver Petrovci thotë: “Diktatura jugosllave ka burgosur njerëz që kanë qenë kundër sistemit, ndërkaq ajo shqiptare ka vrarë njerëz. Të dy këto i kanë bërë në emër të sistemit të tyre”. Gjithashtu, më shumë sensibël për xhiron e këtij filmi nëpër festivalet evropiane kanë qenë protagonistët e filmit, të cilët e kanë parë këtë si një faj të moslobingut sa duhet për filmin shqiptar jashtë dhe mungesa e përkrahjes institucionale. “Ne kemi pasur disa herë tenda në festivalin e Cannes, madje edhe në Berlin. Por, tendat për promovimin e filmit shqiptar kryesisht kanë qenë iniciativa private; shumë pak ka pasur përkrahje institucionale për lobim të filmit shqiptar”, - ka thënë producenti për Kosovë, Nehat Fejza. Të njëjtën gjë ka shprehur edhe producenti Agim Halili, i cili ka thënë se nga Qendra Kinematografike Kombëtare e Shqipërisë ndahet një fond për lobim, por ky fond ende është i vogël.

Co-produksioni

Filmi i regjisorit shqiptar, Spartak Pecanit, “Sekretet”, është dhënë premierë sonte në Kino-Studio Prishtina, ndërsa më 14 maj është shfaqur edhe në Mitrovicë dhe Gjakovë. Filmi është bashkë-produksion në mes Kosovës dhe Shqipërisë dhe Gjermanisë, ku i rikthehet temës së komunizmit. I xhiruar në vitin 2007 në Kosovë, ajo që është veçuar si krejt e veçantë është se Kosova hyn për herë të parë si producent i dorës së parë. Filmi sjell atmosferën e viteve ‘91-‘92, një transformim drastik i jetës nga një regjim diktatorial në një liri shpeshherë të shfrenuar, ku pasojat e këtij regjimi është vështirë të eliminohen me një të rënë të lapsit. Personazhi kryesor i këtij filmi akuzohet për abuzim të bustit të Enver Hoxha, ku nga rrahjet e shumta dërgohet në një çmendi dhe për të kujdeset vetëm një mjeke. Filmi është një tragjedi që trajton në mënyrë të qartë kohën kur Shqipëria ka jetuar në kohën e diktaturës së egër të Enver Hoxhës. Në rolet kryesore të këtij filmi, Eftiola Laçka, Enver Petrovci, Ndriçim Xhepa, Neritan Liçaj dhe Ermela Teli. “Sekretet”, me regji të Spartak Pecanit dhe me personazh kryesor Ndriçim Xhepa, në rolin e doktorit. Filmi është xhiruar në 2007, por me premierë në qershor 2008. Flet për çmendurinë shqiptare, çmendurinë e një kombi, që nuk ishte i aftë për 50 vjet të shprehë vetveten. Janë një sërë pyetjesh që shtrohen, përgjigjet e të cilave do të shpërfaqen një nga një në dublat e filmit. Ngjarja zhvillohet në një spital psikiatrik, si metaforë e një kombi të goditur psikologjikisht.

Skeda

Titulli: “Sekretet”

Regjia: Spartak Pecani

Skenari: Vangjel Kozma

Aktorë: Ndriçim Xhepa, Ermela Teli, Neritan Liçaj, Eftiola Laçka, Redian Mulla, Enver Petrovci, Arta Muçaj etj.

Gjinia: Dramë

Kohëzgjatja: 83 min

Drejtor fotografie: Marc Hupfeld

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›