Thirrja, qytetarë, shkoni tërhiqni 300 mijë kartat e prodhuara!
Ministria e Brendshme
Sipas Ministrisë së Brendshme, aplikimi i plotë për mbi 6 mijë qytetarë pa pasaportë përfundon brenda dhjetë ditëve, duke bërë kështu që çdo qytetar të ketë mundësinë të votojë pa asnjë problem në zgjedhjet e 28 qershorit
Ministria e Brendshme u bën apel qytetarëve që kanë aplikuar për karta identiteti të vijnë sa më parë t’i tërheqin ato. Për ta shihet si mjaft shqetësues fakti që janë gati 300 mijë karta të prodhuara, të cilat nuk janë tërhequr ende nga qytetarë të ndryshëm. Për këtë arsye, zëdhënësi i Ministrisë së Brendshme, Fatmir Konja, ka përsëritur edhe njëherë kërkesën ndaj qytetarëve që kanë aplikuar: “Shkoni pranë zyrave për të tërhequr kartat e prodhuara”. Sipas Konjës, nëse një gjë e tillë lihet për në ditët e fundit nga qytetarët, do të shkaktonte probleme, pasi do të krijonte dyndje të panevojshme në zyra dhe vështirësi në shërbimin ndaj tyre. Gjithashtu, sipas Ministrisë së Brendshme, problemit të pajisjes me dokumentet e nevojshme për të votuar në zgjedhjet e 28 qershorit po i vjen fundi, pasi numri i qytetarëve pa pasaportë, të cilët duhet të aplikojnë për letërnjoftimet elektronike, është vetëm 6.232 persona. Sipas Konjës, aplikimi i plotë i tyre përfundon brenda dhjetë ditëve, duke bërë kështu që çdo qytetar të ketë mundësinë të votojë pa asnjë problem në zgjedhjet parlamentare të radhës. Për t’i ardhur në ndihmë këtij procesi, koncesionari do të hapë edhe 15 zyrat e fundit ku mund të bëhet aplikimi. Në një konferencë për shtyp, zëdhënësi i Ministrisë së Brendshme, Fatmir Konja, u shpreh: “Informojmë opinionin publik se procesi i pajisjes së qytetarëve me letërnjoftimin elektronik gjatë javës së fundit ka shënuar një rritje të madhe të fluksit të qytetarëve që po aplikojnë për to”. Madje, numri i aplikuesve deri para dy ditësh kishte kapur shifrën e rreth 925.000 qytetarëve. “Deri më datë 14 maj, kanë aplikuar për letërnjoftimin elektronik 925.000 qytetarë, 370.000 prej të cilëve i përkasin grupit të atyre pa pasaportë”, - u shpreh zëdhënësi Konja duke shtuar se “aplikimet ditore variojnë nga 19.000 në 20.000 qytetarë”. Sipas tij, 15 zyrat e fundit ku mund të aplikohet do të jeni gati deri në datën 22 maj. Gjithashtu, pas aplikimit të kryer nga qytetarët janë gati për t’u tërhequr rreth 300 mijë karta të identitetit. Nisur nga kjo, Ministria e Brendshme u bën thirrje qytetarëve që kanë aplikuar për letërnjoftimet elektronike deri më datën 1 maj, të paraqiten për të tërhequr letërnjoftimet. Sipas zëdhënësit Konja, 420.000 qytetarë i kanë tërhequr deri tani letërnjoftimet e tyre. Gjithashtu, zëdhënësi për shtyp Konja shtoi se Partia Socialiste vazhdon që të dezinformojë në lidhje me procesin e pajisjes me letërnjoftime elektronike. “Edhe njëherë Ministria e Brendshme shpreh keqardhjen për dezinformimet dhe spekulimet e vazhdueshme që përhapen publikisht nga selia e Partisë Socialiste për këtë proces të suksesshëm”, - deklaroi Konja. Që pas janarit të këtij viti kur edhe nisi procesi i pajisjes me karta identiteti, numri i personave të cilët kanë aplikuar në zyrat e ngritura është 925.000 qytetarë. Në përfundim të konferencës, Konja theksoi se “numri i personave pa pasaportë që duhet të aplikojnë është vetëm 6.232 persona”.