Çmenduria të bën të quash „fitore historike“ dështimin absolut!
Në një të përditshme të djeshme, E.Rama synon sërish të mbajë veten me gajret për fiaskon që pësoi në këto zgjedhje administrative të 8 majit. Arbitrariteti i mendimeve të tij të zvargura dhe opake, del në pah edhe këtu, si kudo gjetiu, në retorikën e tij hallakatur. Ai e quan aftësi t’i rrëshqasësh temës, apo të thuash gjëra që bien ndesh me një gjykim të kthjellët.
I janë bërë vetëm gjashtë pyetje. Kështu lexuesi do të presë, këtë herë, një shkrim më të shkurtër se të tjerat.
Në pyetjen e parë pyetja shtrohet për habinë e njerëzve “sesi u kthye beteja për Tiranën, në një betejë që u vendos në kutinë e fundit”. Përgjigjja jepet për të treguar se çka është e rëndësishme sot për qytetarët e Tiranës! Sipas E. Ramës “e rëndësishme është se një pjesë e pazakontë e votuesve ia dhanë votën atij!”. Kjo e bën krenar atë? Por shton se, meqë kjo pjesë votoi për atë, “u zmbraps një stërfuqi aleancash të pandodhura ndonjëherë”. Ajo parafjala “stër”, që thuhet tërë mllef, hyn në ato hartimet e Edit, që ai i përdor kur s’di ç’të përgjigjet. Më mirë mos të përgjigjet fare, si në rastin kur i tha gazetares, të cilën e la pa përgjigje: “Të fala Sandrit!”. Pak Aleanca ka bërë E.R.-ja, duke filluar me besëthyerësit e pavotuar, si S. Ngjela & C°?
Pyetja e dytë ka të bëjë me numërimin e njësisë 5, kur ai përdori fjalën “Reflektim” para mbështetësve të tij. Edi shpreh mirënjohjen e atyre që “shpëtuan Tiranën nga një rezultat i deformuar rëndë, që nuk prezanton vullnetin e kryeqytetasve”. Ku e sheh këtë shformim? Votat u numëruan një për një édhe nga çdo qytetar, në shtëpinë e tij. Ndërkombëtarët u falënderuan nga ai (paçka se me hipokrizinë e tij proverbiale), për këtë transparencë. KQZ-ja nuk ka dhënë asnjë përfundim zyrtar zgjedhor. Atëherë si nuk u prezantoka vullneti i kryeqytetasve? A mos në vitin 2000, kur Edi kishte marrë bashkinë e Tiranës me 1/6-n e votuesve, siç shkruhet në librin “Kujtimet e një katundari?”. Por le të paraqesim edhe frazën e fundit: “Fitorja me vetëm 10 vota janë për mua një thesar mësimesh për t’i bërë shumë më mirë se deri më sot detyrat e mia”. Megalomania e tij me fjalën “fitore” hyn në koleksionin e veseve të panumërta të Edi Ramës. Të më falë lexuesi, por nuk quhet fitore ajo që arrihet me brekët nëpër këmbë! Pastaj, ku e di ti se fitove, paçka se me dhjetë vota? Kryetar i KQZ-së je ti? Le që edhe këtë kryetar të qetë e të përkorë, ti kujton se është në tagrin tënd ta pranosh si kryetar! “Do t’i bësh “shumë më mirë se sot detyrat” , do të thotë se deri sot ato nuk i ke bërë as mirë, që të mos themi keq! Në të vërtetë , si kryetar bashkie, në këto katër vitet e fundit i ke bërë jo keq, por shumë keq. Sepse nuk mund të jetë ballëhapur ndaj tiranasve (në kuptimin e banorëve) ai që e sheh me dylbi së prapthi punën në bashki! Pastaj ç’janë ato Refleksionet që na kujtojnë antikomunizmin e tij ekstrem, njëkohësisht të shtirë, gjer në nxjerrjen jashtë ligjit të P.Socialiste, apo të PPSH-së, merre si të duash?
(Tani, në këtë çast (ora 16 35’) , më thonë se deputetë të E. Ramës janë futur në KQZ dhe kërkojnë të jenë të pranishëm në punimet e saj, gjë që është krejtësisht e ndaluar ligjërisht. Siç kërkohet të diktohet edhe me anë të militantëve të Ramës, që janë grumbulluar për të bërë trysni, duke kërcënuar se ata nuk largohen, pa u shpallur fitorja e E. Ramës! Tani po i bie fare shkurt, për të bërë edhe një koment, në fund të këtij shkrimi).
-Z. Rama ç’keni ndjerë personalisht gjatë numërimit në TV?
-“Nuk e humba besimin...në atë që s’e bënim dot ne për të zmbrapsur stërfuqinë që bëri ç’deshi me pushtetin e frikës, medias pro-qeveritare... “. Ka rënë në kllapi? Qosja, në një shkrim të datës së sotme, u turret vetëm dy gazetave në favor të Aleancës për Qytetarin, njëra prej të cilave është “55-a”, sipas tij! Vetë Rama u shpreh përçart, kur tha se po të shohim televizorët, fiton A. për Qytetarin. Po të shohim prapa TV-së, fitojmë ne!”. Një sulm i hapur kundër stacioneve televizive!
Më poshtë, në përgjigjen e pyetjes tjetër, thotë se është i lumtur për fitoren historike! Harron të thotë se ai do të jetë fitues vetëm pasi të vlerësohen edhe fletëvotimet të cilat janë hedhur jo në kutinë e duhur. Shumëkush nuk është orientuar si duhet në ngjyrat sipas kutive, gjë që e bën votën të kontestueshme, por jo të pavlefshme. Precedenti i 2007-s në Temal të Shkodrës është një vendim marrje edhe për sot: doli fitues kandidati i PD-së dhe pastaj, në saje të plotësimit me fletëvotime të tilla që u shpallën të vlefshme gjer në kolegjin zgjedhor, u shpall fitues kandidati socialist. Në atë kohë përse E. Rama kishte opinionin e kundërt me të tanishmin? Apo kështu e ka ai, është inkoherent! Ka të drejtë Luan Myftiu kur shkruan: “Ramë “misionari”, édhe kur e shpalli veten fitues, ulëriti sikur kishte shpëtuar nga kthetrat e një Dinozauri”.
Po jap edhe një pyetje-përgjigje, më të shkurtrën, pasi thotë se “ai nuk pret ta njohë Saliu këtë fitore”, ndërsa doktori nuk është shprehur para se të prononcohet KQZ-ja. Pyetja: -Edhe për Tiranën? Përgjigjja: Sa për Tiranën, fitoja është jona, s’e luan topi. E panë miliona sy drejtpërdrejt përmes ekraneve. Vota u numërua botërisht”. Në fund na jep edhe një leksion politik: “Duhet të na ndriçojë arsyen ajo çfarë na bashkon, jo çfarë na ndan, mirëkuptimi, jo sherri...”! Dhe këto na i thotë ai që për dy vite rresht, ishte personifikimi i sherrit në vendin tonë, për të hapur kutitë, që s’i kishte në dorë t’i hapte as ai, as z. Berisha. Tani ra squk për hapjen e kutive! Se, ndonëse vuan nga Daltonizmi, mund të shohë ende, sesi është përhapur harta blu në Shqipëri dhe sesi për LSI-në tani rrahin 120.000 zemra, - siç është shprehur z. Meta. Kjo është fitorja historike e E. Ramës! Sa për kutitë e kontestuara, ato janë të kontestueshme, por të vlefshme dhe do ta shohim sesi do të përfundojnë ato 10 votat e Ramës. Ai e meriton edhe këtë portretizim të Edit, nga L. Myftiu: “Edi Rama e ka futur veten në “kompaninë” e atyre mashtruesve të paskrupullt, që pështyjnë nesër atë që kanë lëpirë me pasion sot”.