E Diel, 1 Nëntor 2026

“Qytetarët duan dhe meritojnë qartësi rreth rezultatit të zgjedhjeve”

18-05-2011 / Gazeta 55

Trojka ndërkombëtare bën thirrje për vetëpërmbajtje dhe kujdes në nxjerrjen e rezultatit paraprak të zgjedhjeve për Tiranën


Deklaratë e përbashkët e ambasadorëve Eugen Wollfarth, Alexander Arvizu dhe Ettore Sequi - “Qytetarët duan dhe meritojnë qartësi rreth rezultatit të zgjedhjeve”. Ky ka qenë qëndrimi i përbashkët i bërë dje publik nëpërmjet një deklarate për shtyp, nga Kryetari i Prezencës së OSBE-së në Shqipëri, Ambasadori Eugen Wollfarth, Ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Alexander Arvizu dhe Kreu i Delegacionit të Bashkimit Evropian, Ettore Sequi. “Më shumë se një javë ka kaluar që kur një numër i madh votuesish në Tiranë votuan për postin e kryetarit të bashkisë, më 8 maj. Qytetarët duan dhe meritojnë qartësi rreth rezultatit të zgjedhjeve”, thuhej në deklaratën e tre ambasadorëve. Duke e cilësuar të rëndësishme, procesin e hedhjes së rezultateve në tabela, ambasadorët, po kaq të rëndësishme e cilësonin edhe faktin mundësisë së zgjidhjes së ankesave nga subjektet politike. “Është thelbësore që rezultatet zyrtare paraprake të hidhen në tabelë me kujdes nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve dhe të shpallen me shpejtësi. Po ashtu, është tejet e rëndësishme që procedurat për zgjidhjen e ankesave të jenë të qarta dhe të jenë në përputhje të plotë me dispozitat ligjore të Shqipërisë, përfshirë Kodin Zgjedhor. Ne presim që të dyja palët të ushtrojnë vetëpërmbajtje dhe të respektojnë plotësisht procesin demokratik”, përfundonte deklarata e përbashkët e ambasadorëve Wollfarth, Arvizu dhe Sequi.

...

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›