E Shtunë, 31 Tetor 2026

Çmenduritë e një “çuni Blloku”



Pak ditë më parë, në Ditën Ndërkombëtare të të Drejtave të Njeriut, politikanë të ndryshëm, por sidomos të majtë, u prononcuan duke folur në emër të parimeve. Jo për replikë me ta, por “si mbrojtës i të drejtave të njeriut” do të këshilloja një pjesë të tyre që qëndrojnë në krah të Edvin Ramës, të largohen sa më parë nga njeriu që sot është bërë simbol i dhunimit të të drejtave të njeriut, të të drejtave të familjes, të të drejtave të grave, të të drejtave të fëmijëve. Të largohen nga njeriu që edhe sot, pas 19 vjetësh pluralizëm e demokraci në Shqipëri, vazhdon vetë dhe me sejmenët e tij t’u dalë në mbrojtje krimeve të babait të tij. Mund t’i dalë në mbrojtje babait të tij, nuk e ndalon kush, por t’u dalë në mbrojtje krimeve të babait, sigurisht që nuk është e lejueshme dhe është e dënueshme për një njeri që drejton sot partinë më të madhe opozitare.

Të mos qëndrojnë më në krah të njeriut që tashmë e dinë të gjithë shqiptarët se ka dhunuar nënën e tij, ka dhunuar gratë e tij, ka dhunuar fëmijën e tij.

Të largohen nga njeriu që sot kërkon të dhunojë një nga të drejtat më themelore, atë të votës së lirë.

Në 19 vjet që unë jam në politikë, kam parë dhe jetuar situata nga më të ndryshmet, më të vështirat e më të ndërlikuarat, kam njohur personazhe nga më të larmishmit që kanë hyrë e kanë dalë në politikën shqiptare, por sinqerisht, situatë më absurde e personazh më absurd se Edvin Rama, jo vetëm unë, por jam i bindur, se askush prej nesh, nuk ka parë.

Një personazh i njohur publik, i njohur i vjetër i Edvin Ramës, më bëri një krahasim para disa ditësh: Edi po bën si ai fëmija i përkëdhelur që ka parë diçka që nuk është e tij dhe përplas këmbët duke bërtitur “E dua, e dua!” Në fakt, ky është krahasim tepër romantik për Edvin Ramën. E keqja është se në disa raste, edhe disa nga ne, papërgjegjshmërinë e Ramës e kemi lidhur pikërisht me natyrën e përkëdhelur të këtij çuni Blloku, që ishte mësuar të merrte gjithçka pa e merituar dhe për të vetmen arsye se ishte “çun Blloku”.

Por nuk rezulton më ashtu. Tani, faktin që ky njeri është i çmendur nuk e vë më në dyshim askush. Por nuk është vetëm kaq...

Një kryetar bashkie, i cili u mbledh paratë qytetarëve për pastrimin e qytetit dhe pastaj u jep urdhër punonjësve të tij, të cilët paguhen nga këto para të qytetarëve, që jo t’i heqin plehrat nga qyteti, por t’i marrin plehrat nga vendi i grumbullimit të tyre dhe t’i derdhin në qytet, është më se i çmendur.

Por, kur një kryetar bashkie dërgon Policinë Bashkiake me në krye ca zagarë të pajisur me mandate për të mbrojtur pronat e mafies, prona që ky njeri ua ka grabitur qytetarëve, atëherë nuk kemi të bëjmë më thjesht me një të çmendur. Veprimet e tij janë veprimet e një të çmenduri, por qëllimet nuk kanë lidhje vetëm me çmendurinë. Një njeriu të tillë i duhet treguar vendi. Unë nuk e di se si tolerohen veprime të tilla.

Nuk e di se si një grup njerëzish, të paguar prej qytetarëve të Tiranës dhe të veshur me uniforma të Policisë Bashkiake, lejohen të konfrontohen me Policinë e Rendit për të mbrojtur një ndërtim të paligjshëm të ngritur mbi një pronë të grabitur.

Në fakt, nuk po u vë emër tjetër këtyre njerëzve, sepse disa prej tyre edhe erdhën e më takuan, veçse “të trembur”, jo nga ne, por të trembur nga Edvin Rama. Më thanë: “Ne jemi aty për një rrogë. Na ka urdhëruar dhe nuk dimë se ç’do të na urdhërojë të bëjmë nesër!” Megjithatë, ata e kanë të qartë se ky nuk është një justifikim, sepse edhe ata e dinë se kanë vepruar në shkelje të ligjit. Sidoqoftë, njeriu përgjegjës mbetet po ai, sepse nga një njeri i tillë i papërgjegjshëm mund të presësh çdo gjë. Nesër ky zotëri mund të urdhërojë vartësit e tij të shkojnë e të lirojnë Aldo Baren në burg.

E kam thënë edhe një herë, ne vërtet kemi një shprehje që thotë “budallait hapi rrugë”, por kur kemi të bëjmë me një të çmendur të rrezikshëm, që për shkak të mungesës së stabilitetit të tij mendor kërkon të kërcënojë stabilitetin dhe të ardhmen e qytetarëve të vendit të tij, sigurisht që toleranca nuk ka më kuptim.

Prandaj, do t’u kërkoja të gjithë institucioneve, duke filluar nga Ministria e Brendshme, që të mos u lejohet më këtyre monstrave (sidomos atyre që u pëlqen të thonë se kemi mandat deputeti, kur u duhet të përplasen me shtetin,) të turbullojnë qetësinë e shqiptarëve dhe të prishin të ardhmen e tyre, por t’u jepet përgjigja e merituar.

Mbi 500 mijë shqiptarë, vërtet kishin ardhur për të festuar 8 Dhjetorin, por le ta themi, kishin ardhur edhe për t’i treguar Edvin Ramës që nuk duhet të guxojë as ta mendojë se mund të përmbysë atë që ne fituam më 8 Dhjetor.

Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›