Bojkoti
“Historia përsërit veten; në fillim si tragjedi, dhe më pas si farsë”, - ka thënë shkrimtari i madh francez, Viktor Hygo. Me sa duket, nuk e kemi pasur kurrë parasysh këtë thënie, për sa kohë nuk nxjerrim mësim nga pësimet. N.q.s. do të jetonte sot dhe do të dëgjonte për kulturën e bojkotit, do të thoshte: "Bojkoti i Parlamentit përsërit vetveten dhe gjithmonë prodhon farsë”. Bangladeshi p.sh., është i mirënjohur për politikën e bojkotit. Për të kuptuar edhe më qartë se cilat janë edhe vende të tjera që ndjekin këtë mjet lufte politike, po përmend një listë të tyre. Në zgjedhjet parlamentare dhe presidenciale kanë bojkotuar Sierra Leone 1973, Burkina Faso 1991 dhe 1998, Gana 1992, Togo 1993, Bregu i Fildishtë 1995 dhe 2000, Kameruni 1997, Mali 1997, Mauritania 1997, Algjeria 1999, Benini 2001, Gambia 2002, Guineja 2003, Venezuela 2005, Çadi 2006, Xhibuti 2008. Me një vëzhgim të thjeshtë e kupton që janë vende me kulturë bojkoti të përsëritur. Me gjithë respektin për këto vende dhe pa dashur t'i paragjykoj, Shqipëria është pjesë e kontinentit evropian dhe ne do luftojmë çdo ditë që ajo të sillet si e tillë. Dhe në këto vende të zhvilluara evropiane, ku ne duam të aderojmë, askush nuk ndjek taktikën e bojkotit. “Në Evropë ne kemi dialogun midis udhëheqësve politikë, edhe kur disa herë nuk biem dakord për disa çështje. Ne shpresojmë se Shqipëria do t’i bashkohet kësaj tradite, sa më shpejt që të jetë e mundur”, - tha ministri i Jashtëm i Suedisë, Carl Bildt, pak ditë më parë, nga Brukseli.
Deklarata e zotit Bildt dëshmon, me sa duket, që Evropa ka filluar “nxemjen” për tendosjen e muskujve. Është një hap i parë i një muri të mundshëm virtual midis Shqipërisë dhe klubit të elitës, por që mund të bëhet real, në qoftë se vazhdohet në këtë rrugë. Toni ironik i Bildt-it, i prerë i qartë, që nuk ka Bruksel për Shqipërinë pa dialog politik, ishte fillimi i tendosjes së muskujve, për t'i forcuar më pas ato, në qoftë se do të vazhdohet vetëm me gjuhën e rrugës, duke anashkaluar Parlamentin. Nuk ka demokraci të fortë pa Parlament të fortë. Në qoftë se pranon demokracinë, detyrimisht do të pranosh Parlamentin. Në kah të kundërt të demokracisë është anarkia. Askush sot nuk dëshiron degradimin në anarki, që është kufiri i skajshëm i qeverisjes së shumë vetëve dhe as despotizmin (kufiri i skajshëm i një njeriu të vetëm). Rruga degjeneron në anarki, ndërsa pushteti i marrë nga rruga prodhon despotë. Dhe kur Bildt thotë qartazi dialog politik, ka parasysh leksionin bazë të demokracisë, dialogun parlamentar.
Në qoftë se shefi aktual i opozitës nuk ndërgjegjësohet ende nga ndërhyrjet e vazhdueshme të ndërkombëtarëve për taktikën tejet të gabuar, mbase përsëri Bashkimit Evropian dhe faktorit ndërkombëtar do t'i duhet edhe një herë të forcojë muskujt (tashmë, me sa duket, ky proces ka filluar). Një vend që Komuniteti Evropian pret ta fusë brenda familjes natyrale, nuk mund të lejojë të sillet me kulturën e bojkotit të tipit bangladeshian.
Të gjitha lëvizjet e rrugës kanë pasur prirje për degjenerim, gjë që Evropa nuk do ta lejonte dhe nuk e lejon kurrë. Dhe sinjalet e para nga Brukseli kanë filluar. I gjithë opinioni publik është tashmë i një mendjeje, që ne nuk mund të lejojmë më të barazohemi me vende, me të cilat nuk na lidh asgjë. Detyrimisht, me pranimin e demokracisë do të pranojmë edhe leksionet e saj. Pozita dhe opozita ekzistojnë dhe funksionojnë vetëm brenda Parlamentit. Shndërrohet në paradoks, sa herë që opozitës i duhet të justifikohet tek elektorati i saj apo tek faktori i brendshëm dhe i jashtëm, që mund të ekzistojë edhe jashtë Parlamentit. Nga ky paradoks lind në mënyrë të pashmangshme një tjetër. Mungesa e opozitës në Parlament prodhon manifestime qytetare që edhe kjo detyrimisht duhet të justifikohet. Akoma nuk qartësohemi që në një demokraci kushtetuese, opozita nuk është thjesht një mysafir, por një anëtar aktiv i mbarëvajtjes së punëve të shtëpisë. Ashtu si mazhoranca politike ka të gjitha instrumentet dhe fuqinë të bëjë ligje, kështu edhe opozita ka dhe mund të përdorë të gjitha instrumentet që Kushtetuta ia garanton, për të ngritur zërin, për të kritikuar qeverinë, qoftë edhe për të bllokuar (nëse ia arrin, gjithmonë brenda Parlamentit). Të mohosh Parlamentin, do të thotë të kesh mohuar jo vetëm thelbin e demokracisë, por edhe një tribunë të zërit të opozitës. Gjuha e opozitës ka një stil domosdoshmërisht kompleks: gjuha e Parlamentit, gjuha e denoncimit, peticionet, mbledhja e firmave për referendum, manifestime. Është e drejtë absolute e opozitës manifestimi si një rrugë politike legjitime, si një mjet për të arritur qëllimet e saj apo për të shprehur pakënaqësitë. Por, në të njëjtën kohë, tregohesh miop duke i hequr vetes një forcë që e ke marrë me votë (forcën e Parlamentit). Dua të kujtoj atë të quajturin nga ekspertët "dokumenti i parë i demokracisë moderne", që daton në 1649 në Angli, ku u përfshinë, si përfaqësuesit e zgjedhur, ashtu edhe ata jo të zgjedhur, si për t'u treguar qytetarëve që të kesh një qeveri legjitime konsensuale, është baras me të kesh demokraci. Demokracia është alternim dhe alternativë. Njëkohësisht diversiteti i kërkuar (nga palët), me konsensualitet të detyruar nga ligji mundësohet vetëm brenda Parlamentit.
Humbja nuk duhet parë si deluzion dhe përhumbje për atë që e pëson. Në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, fitorja e Obamës është shoqëruar me një rënie të paprecedent të Partisë Republikane, e cila me gjithë radikalizimin e gjuhës të disa prej drejtuesve, nuk po mundet të rifitojë besueshmërinë e elektoratit. Kështu ka ndodhur edhe pas fitores së Reganit, kur Partisë Demokratike i janë dashur dhjetëvjeçarë, që të rimëkëmbet. Ecja qorrazi pas një humbjeje nuk të çon gjëkundi. Rimëkëmbja kërkon politika serioze dhe efikase, për të qenë një opozitë e fortë dhe e pranishme. Për këtë arsye, funksioni i opozitës është krucial. Humbja e saj numerike nuk mund të përkthehet kurrë si një humbje e rolit të saj politik, sepse zëri i saj dhe prania e saj është garancia jonë për lirinë demokratike. Për më tepër, opozita është siguria jonë që alternimi demokratik nuk është një utopi. Duhet të kuptojmë, që në një demokraci nuk ka humbës dhe fitues, por një luftë të përbashkët për një qëllim të përbashkët.