Elbasan, ndalohet 29-vjeçari, dhunoi çiftin në banesë për ta grabitur
Policia e Elbasanit vuri në pranga një 29-vjeçar, i cili akuzohet se në bashkëpunim me një person tjetër ka dhunuar një çift brenda banesës së tyre, me qëllim grabitjen e tyre. Ngjarja ndodhi para pesë ditëve në qytetin e Përrenjasit. Nga puna e kryer nga policia, nëpërmjet metodave speciale të hetimit, si dhe mbi bazën e informacioneve të marra në rruge operative nga Seksioni Kundër Pronës te Drejtoria për Krimet e Rënda, në bashkëpunim të ngushtë me Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Elbasan, u finalizua me sukses operacioni i koduar “Borxhi i vjetër”, ku u ndalua Damo Lengo, lindur e banues në Elbasan në lagjen “5 Maji”. Ndërkohë që u shpall në kërkim 20-vjeçari Hektor Dyrmyshi, lindur në Gramsh dhe banues në lagjen “Syrja Dylgjeri” në Elbasan, si bashkëpunëtor në këtë grabitje. Materialet në ngarkim të 29-vjeçarit i kaluan prokurorisë së rrethit. Lengo akuzohet për kryerjen e veprës penale të “vjedhjes me armë, e kryer në bashkëpunim” dhe për “armëmbajtje pa leje”.