Çmime për Radion dhe Televizionin
Ditën e shtunë, ora 19.00, në "Hotel Sheraton", Akademia e Vlerësimit Vjetor Radioteleviziv organizon mbrëmjen e ndarjes së çmimeve.
Në këtë edicion të parë, Akademia jep 7 çmime që i takojnë prodhimeve televizive, dy të quajtura "Personale", si dhe 4 "Çmime të posaçme". Në kategorinë e prodhimeve televizive do të vlerësohen: "Spektakli i vitit", "Programi informativ", "Manifestimi muzikor", "Programin për fëmijë", "Programi origjinal", "Programi investigativ", "Imazhi më i mirë", "Biseda në studio" dhe "Programi argëtues".
Ato "personale" kanë të bëjnë me "Personazhin e vitit" dhe "Çmimin e karrierës", kurse çmimet e posaçme do të jepen për: Televizionet Lokale, Reporterin e Vitit, Dokumentarin, si dhe Çmimi Evropian i Reporterit. Kurse, nga fusha e Radios, janë menduar të vlerësohen "Programi më i mirë i vitit" dhe "Folësi i vitit". Vlerësimet janë bërë nga Bordi i Akademisë, i cili ka një vit që po shqyrton prodhimet që vetë televizionet kanë përzgjedhur për të konkurruar.
Pjesëtarë të këtij Bordi janë: Nevila Nika, Remzi Lani, Virgjil Kule, Lutfi Dervishi, Gëzim Qendro, Luljeta Lleshanaku dhe Roland Sejko. Akademia është një strukturë e krijuar nga Instituti "Akt", i cili është edhe botuesi i revistës me të njëjtin emër, "Akt", e cila do të dalë në treg çdo tre muaj. Numri i parë i saj përmban rubrika të caktuara: për televizionin, kinematografinë, artin dhe multimedian, librin, teknologjinë etj.