E Shtunë, 31 Tetor 2026

Zgjedhjet, Ndoka letër informuese ambasadorëve

Ndoka u kërkon ambasadorëve të përdorin autoritetin e tyre diplomatik për të ndihmuar në rivendosjen e drejtësisë.


TIRANË - Letra informuese drejtuar përfaqësive diplomatike në Tiranë, është hapi i
dytë që ka ndjekur Kryetari i PDK-së, Nard Ndoka, pas depozitimit të padisë penale në organin e akuzës, kundrejt disa anëtarëve të grupeve të numërimit, për zgjedhjet parlamentare të 28 Qershorit. Dje, nga selia e PDK-së i është dërguar një letër informuese kryetarit të misionit të OSBE-së në Shqipëri, Robert Bosh, Ambasadës Amerikane, si dhe ambasadave të tjera në vend.


Në letrën e tij, kryedemokristiani, Nard Ndoka, shpreh shqetësimin për një problem që nuk ka të bëjë me individin, apo me një subjekt të vetëm politik, por me parimet demokratike dhe vlerat ligjore të demokracisë në Shqipëri."Stafi im teknik u angazhua për mëse dy muaj në përpjekje për të bërë verifikimin midis votave të vërtetuara në pamjet filmike dhe atyre të shënuara në procesverbalet zyrtare.


Përfundimi është dramatik. Kemi të bëjmë me një deformim të plotë të rezultateve, të procesit, të zgjedhjeve dhe të vetë parimeve kushtetuese për zgjedhje të lira e të ndershme në Shqipëri", - thekson Ndoka.


Më tej, gjatë letrës së tij, numri një i demokristianeve, informon për procesverbale dhe manipulime të shumta, të faktuara në qarkun e Shkodrës, informacione këto, të cilat së bashku me dokumentacionin e plotë përkatës dhe pamjet filmike, do t'u vihen në dispozicion OSBE-së dhe ambasadave te tjera te akredituara në vend.


"Ju drejtohemi juve zoti ambasador, si institucioni zyrtar i vëzhgimit të ecurisë së procesit zgjedhor dhe post - zgjedhor, si dhe i nivelit të demokracisë në Shqipëri, që të përdorni autoritetin tuaj politik e diplomatik për të ndihmuar në rivendosjen e drejtësisë, kushtetueshmërisë dhe sovranitetit real të popullit në vendin tonë, shprehur përmes votës së fshehtë më 28 qershor 2009.


Prova jonë e re dhe e dokumentuar në kuptimin politik por edhe ligjor, mund të jetë edhe rruga më e mirë ligjore për t'i dhënë përgjigje krizës politike, ku po përfshihet vendi ynë, ku nga njëra anë kemi një mazhorancë, që refuzon drejtësinë dhe numërimin e votave dhe nga ana tjetër kemi një opozitë që kërkon mbrojtjen e votës së lirë", - thuhet në letrën e dërguar nga kryetari i PDK-së.

 

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›